I thirrur për të shpjeguar rolin e policisë në protestat studentore, ministri i Rendit Sandër Lleshaj deklaroi në Komisionin e Medias dhe Edukimit se incidentet kanë qenë zero. Kjo, në përgjigje ndaj pretendimeve të opozitës se policia ka ushtruar dhunë në disa fakultete.
“Protestat kanë shkuar shumë mirë – ky është konkluzioni. Kemi pasur pothuajse zero incidente pasi duhet të merrni parasysh që kanë qenë protesta të shtrira gjatë gjithë vendit”, tha ministri Lleshaj.
Atij iu shfaqën disa pamje incidentesh nga kryetarja demokrate e komisionit Albana Vokshi, të cilat i shpërfilli e njëherësh ofroi këtë arsyetim.
“Janë konstatuar tentativa të personave të caktuar për të marrë peng protestat, për të kycur universitetet, për t’u vendosur zinxhirët. Madje edhe kur një fakultet mësimi u spostua në një gjimnaz të Tiranës, edhe aty u bllokuan dyert me qëllimin për të penguar studentë të futeshin në orët mësimore. Janë konstatuar se janë të njëjtat emra. Kjo tregon që incidentet janë të provokuara”, u shpreh kreu i Rendit, duke veçuar faktin se nuk ka asnjë denoncim ndaj policisë për ushtrim dhune. /tesheshi.com/