Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, është një proces që nuk mund të ndalet – shkroi të martën mbrëma në profilin e tij në Tëitter, zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, si reagim ndaj deklaratës së presidentit Vuçiç në lidhje me formimin e ushtrisë.
Hoxhaj pohon se Vuçiç qëllimisht shtrembëron imazhin e procesit dhe të ushtrisë së pritshme, në mënyrë që të krijojë frikë në Ballkan.
“Kalimi i FSK-së në Forcat e Armatosura është një proces që nuk mund të ndalet”, shkroi ai në Twitter.
Ai gjithashtu tha se kërcënimi më i madh për paqen vjen nga “militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë me arsenalin rus”.
Më parë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se transformimi i FSK-së në një ushtri ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë perëndimorë.
“Do të kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë perëndimorë. Ne do të punojmë në bashkëpunim me ta”, tha ai.
Veseli theksoi se miratimi i një ligji mbi transformimin e FSK-së nuk ka për qëllim provokimin apo nxitjen e konflikteve.
“Ushtria e Kosovës do të jetë një ushtri paqeje dhe partneriteti me NATO-n. Ne nuk kemi qëllimin e provokimit, as nxitje për konflikt”, shtoi ai. /tesheshi.com/