Nga Vepror Hasani
Vërtet që për një kohë Korça është qeverisur nga francezët, por cilësimi i saj si “Paris i vogël” i ka rrënjët gjetkë, tek Izmiri i Turqisë, që dhe ai qytet njihet ndryshe si “Paris i Mesdheut”.
Ata e donin Korçën, e konsideronin të bukurën e dheut. Kush ishin ata? Banorët e saj. Korça e nisi jetën e vet 500 vjet më parë, më 1486, kur në themelet e Xhamisë u vu guri i parë. Ajo u rrit shpejt, hodhi shtat dhe u bë e bukur. Gjithkush donte të kishte në shtëpinë e vet pamjen e saj të pikturuar a të gdhendur. Të shumtë ishin ata që dëshironin ta shihnin nga afër. Evelia Çelebiu, udhëtari i mirënjohur turk i shek XVII e vizitoi Korçën në vitin 1661. Kështu shkruan në udhëpërshkrimet e tij.
E përmend Korçën si qytet. Pas tij erdhën të huaj të tjerë: Pouqueville, William Martin Leake, August Dozon, Edit Durham etj. Emri i Korçës u bë i rëndësishëm. Janina e shihte si një konkurente të rrezikshme. Selaniku dhe Stambolli e shihnin me zili. Korça ishte depoja natyrale e tyre. Britanikët shpejtuan të sillnin në Korçë më 1858 ambasadën e tyre. Arsyeja ishin marrëdhëniet tregtare me këtë qytet. Ishte koha kur Korça befasonte edhe me bukurinë e saj.
Njerëz të pasur që kishin qenë në shumë vende të botës, e krahasonin Korçën herë me Fanarin e Kostandinopolit e herë me Izmirin, i cili quhej ndryshe “Parisi i Mesdheut”. Dhe ishte kjo arsyeja që Korça u quajt “ Paris i Vogël”. Këto dhe shumë të tjera vijnë më poshtë të detajuara e të renditura kronologjikisht.
1486
Mirahori themelues i Korçës
Korça e nisi jetën e saj me ndërtimin e Xhamisë, me çeljen e një shkolle për vajza dhe djem dhe me ngritjen e një qendre humanitare për të vobektët. Me ngritjen e pazarit, qytetit nisi të përshkonte udhën e vet. Iliaz bej Mirahori ishte ideatori i krijimit të saj:
“Mrahor Iliaz beu, shkruan Sami Frashëri, është stërgjyshi i autorit të ngratë nga nëna dhe themelues i qytetit të Korçës që gjendet në vilajetin e Manastirit. …Mirahor Iliaz Beu konsiderohej si njeri i shenjtë. Ç’është e vërteta, për të tregohen gjëra të çuditshme…”.
Sami Frashëri kishte të drejtë. Korça mbeti vërtet një çudi. (Sami Frashëri, Kamus-ül alâm, f. 1028)
1644-1669. Lufta veneto-turke e bëri Korçën edhe më të njohur:
“Nga një dokument i viteve 1647-1648 mësojmë se tregtarët elbasanas për të shkuar në Venedik në kohën e luftës Veneto-turke (1644-1669) kur siç duket porti i Durrësit ishte i mbylluar, ndiqnin rrugën shumë të gjatë Elbasan – Korçë – Sajadhë – Korfuz – Venedik. Gjatë rrugës në tregun e Korçës ata blinin prodhime blegtorale (lëkurë dyllë), prodhime zejtarie (mutafe, litarë, hararë) dhe shisnin prodhime manifakture (stofa e letër) të sjella nga Venediku”. (PirroThomo, Korça, urbanistika dhe arkitektura, f. 30-31)
1712. Voskopojarët vijnë në Korçë të mësojnë zanatet:
“Nga dokumentet e vitit 1712 mësojmë se banorët e Voskopojës kanë shkuar te mjeshtrit e “kazasë” së Korçës, kanë punuar dhe mësuar zejet e rrobaqepsisë, këpucarisë dhe farkëtarisë”. “Duket qartë, shkruan Thomo, se në atë kohë zejet në këtë qytet ishin në lulëzim, përderisa banorët e Voskopojës, e cila kishte arritur një nivel të lartë si qendër e rëndësishme tregtare e kulturore vinin këtu dhe mësonin zanatet”. (Pirro Thomo, Korça, urbanistika dhe arkitektura, f. 33)
1767. Korça skicohet në gravurë:
“Në vitin 1767 u skicua në Vjenë prej voskopojarit Theodhor Sina Grundo, nën përkujdesjen e murgut të shenjtë Parthen të manastirit të Shën Prodhromit Voskopojë, me shpenzime prej tregtarit gjithashtu voskopojar të asaj kohe, zotit Andrea Tirka
Gravura e Korçës është një pjesë mikroskopike e një gravure komplekse të madhe ku përveç pamjes së Voskopojës, Shipskës etj, jepet edhe pamja e qytetit të Korçës. Në këtë gravurë dallohet lumi, xhamia, disa shtëpi të qytetit dhe një pyll me pisha në pjesën jugore matanë lumit të Moravës”. (Ilia Ballauri, Korça Encyclopedica, Nr.1, f. 2)
1784. Ngrihet sahati i Korçës, voskopojarët ofrojnë ndihmë, mjeshtrit malësorë e ndërtojnë:
“Ora u vendos në një godinë të lartë dhe të ngushtë prej guri. Godina është ndërtuar më 1784, prej mjeshtrish malësorë nga veriu i vendit, ndërsa këmbanën e orës, e cila peshon afërsisht 40 okë (rreth 50 kg) e ngritën fqinjët tanë, voskopojarët”.
Ndërkaq, shkruan Ballauri, duhet thënë më saktë akoma se, ndërtimi i kësaj ore u investua prej rufetit të bakejve me anëtarë myslimanë në bashkëpunim vllazëror me zejtaro-tregtarët e Voskopojës”. (Ilia Ballauri, Korça Encyclopedica, Nr.1, f. 12)
1798. Mehmet Pashë Plasa, gjyshi i nënës së vëllezërve Frashëri (nga ana e nënës), më 1798 ndërtoi ujësjellësin e qytetit:
“Mehmet Pasha nga Plasa, bëri depon e grumbullimit të ujrave dhe solli ujërat nga një vend afër Drenovës, i quajtur “Drenicë”, në largësi 20 minuta prej Korçës. Ky Mehmet Pasha, i shpërndau ujërat nëpër lagjet, të cilat lagje i ndërtuan çezmat e tyre me të hollat e tyre, kurse bijtë e tij, Ismail Pasha me të vëllezërit, shpenzonin për mbajtjen e depos së grumbullimit të ujrave…”. (Kodiku i madh i Korçës)
1850. Korça, konkurrente e rrezikshme e Janinës.
Mesi i shek XIX, konsulli i Austrisë dhe Janinës, albanaologu Han shkruan:
“…Tani kohët e fundit po bahet Korça, që është në lulëzim e sipër nji konkurent i rrezikshëm i Janinës përsa i përket tregtisë me viset e veriut… Pozita e saj ku kryqëzohen shumë rrugë kryesore, asht shumë e përshtatshme për tregtinë, dhe tregtarët e Janinës kanë filluar të shqetësohen”. (Piro Thomo. Korça, urbanistika dhe arkitektura, f. 34)
1850. Korça krahasohej me Izmirin, “Parisin e Mesdheut”
“Pamja fisnike që mori qyteti (i Korçës pas 1850-ës) bëri që në përshkrimet e shumë pashallarëve, Korça të krahasohej me Izmirin (Smirni), i cili në atë kohë quhej dhe “Parisi i Mesdheut”, dhe me Fanarin e Konstandinopolit…” (Adela Ismiriadhu , ”Korça Arsimi-Dhuruesit-Ekonomia 1850-1908”) .
1858. Britanikët kërkojnë marrëdhënie tregtare me Korçën:
“Nënkonsullata Britanike funksionoi me detyrë zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Korçës dhe tregut Britanik të mallrave. Sipas të dhënave, që bazohen tek korrespondenca e asaj kohe, mes Konsullit Britanik të quajtur Calvert në Manastir dhe Konsullit Britanik në Stamboll të quajtur Bulëer, si nënkonsull Britanik në Korçë për çështje të zhvillimit të tregtisë, për këtë kohë të shkurtër, u caktua një i quajtur Georgevich, i cili zyrtarisht mori funksinin e mësipërm më 18 mars të vitit 1861, por që jo zyrtarisht punonte në këtë post, muaj më parë. Qëllimi ishte që Korça të zhvillonte marrëdhënie tregtare direkt më Britaninë dhe jo nëpërmjet Manastirit”. ( Ilia Ballauri, Encyclopedica, Nr. 6, f. 117)
1871
Korça me Postë-Telegraf
“Zyrat e Telegrafit dhe Posta ishin në Korçë institucion i ngritur në vitin 1871.
Në fund të shekullit XIX në Korçë vinte dhe nisej posta në drejtim të Manastirit, të Janinës, të Kosturit dhe Starovës. Më 1890-92 në Korçë kishte një vulë me gërma arabe, ku shkruhej Gierixhe (frengj. Gueuridje), që quhej Korça në Turqisht. Në vulat postare të dekadës së parë të shekullit XX, lexohet me gërma latine emri Gierixhe dhe Koriça (Goritza)”. (Kolë Gjinaj, Historia e filatelisë shqiptare)
1874
Korca me mjekë, barnatore dhe spital, kërkohet ngritja e një tipografie
“Që në shekullin e XIX qyteti kishte mjekë, më 1892 funksiononte barnatorja,
ndërsa udhëtari francez August Dozon më 1874 i raportonte qeverisë së vet: “për të ardhmen mendohet krijimi i një spitali e qysh tani po bëhen përgatitje për të ngritur një tipografi ku do të bëhen botime të autorëve klasikë”.(Pirro Thomo, Korça, urbanistika dhe arkitektura f. 37 )
1888. Korça, depoja e Selanikut dhe Stambollit
Sipas Karmicit, Korça “… është depoja natyrale e Selenikut dhe e Stambollit dhe pjesërisht dhe e Janinës, duke i përhapur prodhimet industriale edhe të Evropës e të kolonive, siç janë stofrat e ndryshme, sheqeri etj, në tërë periferinë e Shqipërisë Juglindore”. (Karmici, Gjeografia e Korçës dhe e rethit)
1904. Edit Durham shkruan:
“Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qenër e plehra nëpër këmbë…”.(Edit Durham, Brenga e Ballkanit)
1908. Korça boton gazetën e parë shqiptare:
”Jo me qëllim tjatër, po vetëm me një mejtim për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarve, të cilët janë një komb i dëgjuar edhe me nder në ballë, me ndihmën e Zotit zumë ta nxjerrim fletën “Korça…”, shkruante botuesi i saj, Sami Pojani. (Gazeta “Korça” 22 janar 1909)
1908. U ngrit shtypshkronja “Drejtësia”
Për shtypshkronjën “Drejtësia” në Korçë na lipsen dy radhonjës që i cili njëri prej tyre lipset të dijë dhe të përdorurit e maqinës… Drejtonjës i gazettes, Sami Pojani”. (Gazeta Korça, 12 shkurt 1909)
1908. U krijua “Banda e Lirisë”:
“Banda e Lirisë” u krijua më 1 tetor 1908. Iniciatorët për themelimin e saj ishin drejtuesit e klubit “Dituria Shqip”: Kryetar nderi i këtij klubi Ymer bej (Zavalani), kryetar, Orhan bej Pojani, arkëtar Idhomene Kosturi, ndërsa pleq: Thomaq Eqimi, Qani bej Dishnica, Hafëz Ali, Çikozi Miçe, Ismail Bej Leskoviku dhe Tefik Efendi”.(Është fjala për Tefik Panaritin”. (Gazeta “Korça”, 26, vjesht’ e III 1909).
1908. Lindi teatri
“Pas zëdhënieve që u botuan në “Korça”, edhe afisheve që u ngjitnë nëpër muret të dielën që shkoi, më 13 të këtij, u luajt drama “Besa” prej amatorësh në sallën e klubit të Osmanllinjve”, (sot lokali “Panda”në Korçë)(Gazeta Korça, 18 shkurt 1909)
1908. Lindi Sporti
Shoqëria “Dituria shqip”, krijoi shoqëritë sportive:
Në nyjën 1 të shoqërisë “Dituria shqip”, sanksionohej: “Qëllimi i kësaj shoqërie do të jetë të punojë me bashkim për të përhapur dhe të mbrodhësuar mësimin të muzikës, të gjimnastikës dhe të valles në mes të shokëvet (të) shoqërisë”. Sipas Thanas Viso Mborjes, (15.09.1908), “Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar”, shoqëria “Dituria Shqip”, organizoi të rinjtë në shoqëri sportive.
1911. Korça kishte 6 banka
Në këtë kohë (në vitin 1911) në Korçë figurojnë të paktën 6 banka private, të njohura jo vetëm në Korçë por edhe gjetkë, deri në Stamboll, zyrtare, të ligjshme, të themeluara nga gjashtë familje të vjetra korçare. Këmbimi bëhej në këto banka. Bankierët në fjalë ishin në kontakt me vlerat e monedhave në Stamboll dhe, qarqet e këtushme financiare njiheshin me vlerat e monedhave në paris në Londër…”. (Ilia Ballahuri, historia e kambizmit në kohën e Turqisë në Korçë)
1911 . Shfaqen filma për herë të parë
Për herë të parë, në vitin 1911, në kafene “Stema” filloi shfaqja e filmave, gjë që do t’i hapte rrugë ndërtimit të kinemave në qytetin e Korçës. Kafene “Stema” sot nuk ekziston. Sipas historikut të kinematografisë “Pioneri i shfaqjes së filmave në Shqipëri ishte fotografi dhe piktori Idromeno (1860-1939), kurse klubi ku shfaqeshin keta filma quhej “Gjuha shqipe” (1911) në Shkodër dhe “Kafe Stema” në Korçë”
1911. Korça prej vitesh me ndriçim, provon sitemin e ri të ndriçimit
Qeveria tonë (e Korçës) solli për provë një llampë sistem “Radium” me 350 fuqi dritë qiriri. Llampa ka dritë të bukur dhe kështu së shpejti do të sjellin më shumë llampa të këtilla që të ndritin qytetin dhe rrugët e gjëra. Përgëzojmë z. Ahmet Efendinë, kryesonjësin e qeverisë si dhe gjithë këshillonjësit për përpjekjet që bëjnë për të zbukuruar qytetin. Por jo më të pakta janë lavdërimet që i detyrohen Kajmekan Pashës së Ushtrisë për këto zbukurime dhe nevoja të qytetit
(Gazeta “Koha”, 17 mars 1911)
1912. Korça që nga fillimet e saj me plane urbanistike
Korça, që në fillesat e saj u ideua mbi bazën e planeve të mirëfillta urbanistike. Sistemi urbanistik që u vu në zbatim ishte ai ortogonal, i njohur që nga antikitetit, i cili ka në thelb të vet struktura të regullta gjeometrike katrore ose drejtkëndore, gjë që e gjejmë të mishëruar te Pazari i Korçës ku gjthçka është korrektesë gjeometrike. Edhe për vitin 1912 ekzistonte një plan i ri urbanistik, i cili u gjet nga pasardhësit e Bashkisë në zyrat e saj.
Sot gjithkush të thotë: Korça ishte perëndeshë e bukurisë, ngjasonte me Izmirin “Parisin e Mesdheut”. Ishin banorët e saj që e bënë të tillë. Për themeluesin e saj, Sami Frashëri shkruan: …Mirahor Iliaz Beu konsiderohej si njeri i shenjtë. Ç’është e vërteta, për të tregohen gjëra të çuditshme…”.
Ai kishte të drejtë. Korça mbeti vërtet një çudi.
/tesheshi.com/