Nga Ylli Pata
Lulzim Basha ka hyrë në vitin e pestë të opozitës dhe është profilizuar tashmë si kanidati alternativ për të zëvendësuar Edi Ramën në postin e kryeministrit.
Kreu i PD-së, ka bërë gati protestën e dytë të madhe pas asaj të çadrës.
Më 27 janar është planifikuar që të mbillet një lëvizje e fuqishme kundërshtuese ndaj qeverisë, e cila do të jetë bazë për të krijuar një bazë politike për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
Por sa lëvizjet e Lulzim Bashës kanë qenë lineare për të krijuar një besueshmëri në elektorat, se ai përfaqëson vërtetë alternativën politike në vend?
Për të krijuar një panoramë sa më të kuptueshme, le ta krahasojmë përvojën opozitare të Lulzim Bashës, me atë të Edi Ramës, i cili në vitin 2005, kur mori PS-së doli si kandidat zyrtar për kryeministër i vendit.
Lulzim Basha, në një takim në Kurbin ku po mobilizonte opozitarët për protestën e 27 janarit, tha se PD-ja kërkon si provë për të luftuar krimin që “ të futen në burg Saimir Tahiri, Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini”.
Përveç rastit “Tahiri” ku siç e tha edhe Basha, PD-ja ka qenë ajo që ka dërguar dosjen e tij në Itali nëpërmjet Dritan Zaganit, për dy të tjerët nuk ka një denoncim të opozitës në prokurori.
Megjithatë, profilimi i një “opozite inkuizitore” pra që kërkon të burgosë njerëz, duket pak jo shumë e qartë, pasi një opozitë denoncon faktet dhe nuk ka rrugë tjetër veçse të lërë drejtësinë të punojë pa i bërë presion, ose nëse nuk ka besim tek drejtësia, të presë që të fitojë zgjedhjet dhe të ndryshojë gjërat.
Le të krahasojmë pak opozitën “Basha” me atë “Rama” për të krijuar një ide.
Opozita e Ramës
Në vitin 2005, pas marrjes së PS-së, Edi Rama, pati si moto bashkimin e së majtës dhe arriti që të fusë Ilir Metën në koalicion për zgjedhjet lokale të vitit 2007.
Ndërkohë me grupin parlamentar në PS-së, Rama, i cili nuk ishte deputet por kryetar i Bashkisë së Tiranës, protestonte me bilbila në Kuvend kundër paketës fiskale të qeverisë.
Ministria e Transporteve e drejtuar nga Lulzim Basha prishi një vepër publike që Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Edi Ramës kishte nisur: mbikalimin e “Zogut të Zi”.
Rama nxori opozitën në protestë kundër prishjes së mbikalimit të “Zogut të Zi” si dhe e çoi çështjen në gjykatë.
Kërkoi garanci zgjedhore nga mazhoranca dhe bëri të mundur që të miratohet një marrëveshje nën negocimin e presidentit Alfred Moisiu, për të limituar dhënien e certifikatave për votuesit.
Në zgjedhjet e vitit 2007, opozita e Ramës fitoi të gjithë qytetet e mëdha përfshirë dhe Tiranën, kurse PD-ja fitoi në shumicën e komunave rurale.
Në vitin 2008, shpërthen Gërdeci ku në një punishte demontimi municionesh vdesin 26 vetë, ndër ta edhe fëmijë dhe plagosen qindra të tjerë, por Edi Rama çuditërisht nuk ndezi fitilat e ekspozivit të protestës. Vendi ishte pranë marrjes së ftesës për hyrjen në NATO.
PS-ja u tërhoq nga aksionet në rrugë dhe mori nga ambasadori i atëhershëm amerikan vlerësimin “burrë shteti”.
Pas rrahjes së shpatullave në spitalin ushtarak, Edi Rama në vitin 2008 arrit një marrëveshje me kryeministrin Sali Berisha për të ndryshuar Kushtetutën, e cila përveç sistemit zgjedhor rajonal-proporcional, i jepte fuqi më të madhe kryeministrit dhe kryetarëve të partive, si dhe zvogëlonte pushtetin e Presidentit të Republikës.
Kjo marrëveshje me Berishën egërsoi Ilir Metën, i cili nga shqetësimi se të mëdhenjtë po punonin për ta larguar, iku nga koalicioni me Edi Ramën dhe ju afrua Sali Berishës.
Në zgjedhjet e vitit 2009, nuk pati asnjë fitues absolut. PS-ja doli parti e parë, por koalicioni i djathtë i drejtuar nga PD-ja mori 4 mandate më shumë.
Asnjëri nuk i kishte numrat për të qeverisur vetëm. Rama i çon sinjalet Berishës për një koalicion të madh. Ky i fundit nuk pranon dhe fton zyrtarisht LSI-në në qeveri.
Rama nuk pranon rezultatin dhe kërkon hetimin e zgjedhjeve për 3 qarqe: Tiranë, Fier dhe Shkodër.
Kërkon hapjen e kutive, por KQZ nuk pranon dhe merr vendim për të ndarë mandatet. PS e çon në Kolegj Zgjedhor, por as Kolegji nuk pranoi të hapen kutitë e zgjedhjeve.
Nis kështu stina e përbashët e dy njerëzve të fortë në vend: Sali Berishës dhe Ilir Metës, njëri kryeministër dhe tjetri zëvendësi.
Edi Rama ishte në qoshe, madje Ben Blushi me disa të tjerë kërkuan largimin e Ramës nga PS. Ky i fundit shpalli zgjedhjet e PS-së me platformën se votimet e 18 qershorit ishin vjedhur.
Kërkon hapjen e kutive për të hetuar rezultatet në dhe shpall parullën “Hap kutitë ose largohu”.
Kësaj here PS-ja kur e pa që mazhoranca nuk hapte kutitë e fletëve të votimit, kërkoi të paktën të hapen kutitë e materialeve zgjedhore, pra ato që mbajnë listat e votuesve dhe ku janë shënuar numrat e kartave të identitetit, si dhe firmat.
Mbeti e famshme deklarata e Gramoz Ruçit në Parlament i cili sfidoi Berishën duke i kërkuar të hapen të paktën kutitë e fshatit Ruzhdije.
“Nëse del që procesverbalet janë në rregull, unë iki nga politika, por nëse ka problem, duhet të hapen kutitë”, tha Ruçi
Mazhoranca jo vetëm nuk pranon, por djeg demonstrativisht kutitë e materialeve zgjedhore në fshatin Lundër.
Edi Rama nis protestat duke bllokuar edhe disa rrugë nacionale për pak orë. Pas disa javë protestash, kreu i opozitës mban një grevë urie përpara kryeministrisë ku i fut deputetët e tij në çadër.
Pas 12 ditësh grevë urie, Parlamenti Europian hyn si negociator mes palëve. Greva ndërpritet. Nuk arrihet marrëveshje, dhe PS-ja nuk kthehet në Kuvend, vazhdon bojkotin jo të plotë të Kuvendit.
Në janar të vitit 2011, del videoja Meta-Prifti dhe Edi Rama shpall protestën e madhe të 21 Janarit, që e quan “demonstratë që nuk do të drejtohet nga opozita, por nga populli”.
Siç dihet, demonstrata ishte e dhunshme, në fund të saj u vranë 4 qytetarë prej forcave të Gardës.
Në maj të 2011-s u zhvilluan zgjedhjet lokale. Edi Rama, humb bashkinë e Tiranës pas një vendimi të KQZ-së së drejtuar nga Arben Ristani që të hapë kutitë e këshillave.
Opozita fiton të gjitha qytetet e mëdha në vend, por edhe bashkitë e komunat e mesme. Arrin të marrë rresht të gjitha njësitë vendore të gjithë vijës bregdetare nga Velipoja deri në Sarandë.
Pas këtyre zgjedhjeve, shpall përfundimin e periudhës së përlasjes. “Populli votoi në shumicë kundër kësaj qeverie në çdo qytet. Tani duhet të përgatitemi të marrim pushtetin”, tha Rama dhe shpalli platformën “Rilindje”. Hartoi program dhe thirri këshilltar të huaj, bëri konsultime me biznesmenë e grupe interesi, duke ndarë fletëpalosje në çdo shtëpi.
Drejtoi një debat për taksën progresive, sa arriti të bindë njerëzit se taksa progrssive do të sjellë begatinë. Në opinion u krijua ideja se tashmë ardhmja e Edi Ramës në qeveri është thjesht çështje kohe dhe ndodhi…
Opozita e Bashës
Lulzim Basha, e ka nisur opozitën ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e luftuar që në fillim fort.
Ndërmori protestat për armët kimike në vitin 2013, duke e konsideruar si fitoren e parë, ku PD-ja u rreshua me aktivistët e shoqërisë civile.
Ndërkaq, opozita në Kuvend ishte agresive. Deputetët e PD-së nisën akuza të forta ndaj Ramës, Saimir Tahirit, duke përmendur si strumbullar kryesor një emër nga bota e krimit, Emiljano Shullazi.
Pas kësaj, deputetë të mazhorancës nisin të bien një nga një.
Mark Frroku arrestohet dhe futet në burg për një vrasje që e kishte kryer në Belgjikë, Armando Prenga qëllon me armë mbi një person, arrestohet dhe dënohet.
Arben Noka qëllon me grusht Gent Strazimirin dhe më pas largohet nga Parlamenti. Lista e Lezhës i mbaron të gjithë emrat.
Lulzim Basha shpall nismën e fortë të dekriminalizimit dhe fiton një kauzë të fortë.
Por nga ana tjetër refuzon çdo marrëdhënie me mazhorancën. Nuk pranon reformën territoriale administrative dhe bojkoton procesin
Megjithatë në vitin 2015 humbet zgjedhjet lokale, duke marrë vetëm 5 bashki.
Në vitin 2016 në kohën e reformës në drejtësi, Lulzim Basha përplaset fort me ndërkombëtarët pasi kundërshton edhe ndryshimet Kushtetuese, por edhe pjesë të ligjeve organike.
Në fund voton ndryshimet kushtetuese, por kundërshton ligjet organike në kushtetuese. Arrin të fitojë të drejtën e vetos për organet e vettingut dhe më pas vonon implementimin e procesit.
Reforma në drejtësi bllokohet dhe dy muaj përpara zgjedhjeve futet në çadër para Kryeministrisë duke kërkuar “largimin e Edi Ramës” pasi sipas Bashës, “Zgjedhje me Ramën-Kryeministër nuk do të ketë”.
Në fund pas një përpasje shumë të fortë me BE-në, amerikanët sjellin në Tiranë Hoyt Brian Yee dhe i kërkojnë kreut të PD-së të dalë nga çadra.
Ky i fundit futet në zgjedhje pas një marrëveshje me Edi Ramën, ku merr gjysmën e qeverisë dhe bashkë me ministrant e LSi-së ka shumicën në kabinet.
Në zgjedhjet e 25 qershorit humbet shumë rëndë, duke firuar 250 mijë vota nga katër vjet më parë.
Pas nisjes së Parlamentit të ri, Lulzim Basha juridikisht njohu zgjedhjet por rezultatin e kundërshtoi duke shpallur një stinë protestash “për rrëzimin e Edi Ramës”.
Lulzim Basha nuk ka punuar fare këto 5 vjet se si të krijojë një alternativë qeverisjeje, por ka tentuar që ta delegjitimojë, kontestojë dhe rrëzojë Edi Ramën.
Ai ka synuar që të krijojë një frymë dhe lëvizje antiqeveritare, për ta kanalizuar atë më pas në një “armatë për të ardhur në pushtet”.
Deri tani, të gjitha përpjekjet nuk i kanë krijuar realisht një frymë e tillë, ndërkohë që si alternative qeverisëse Basha ka gjetur “ilaçin”: koalicionin me LSI-në.
Pra kërkon që të krijojë një mazhorancë numerike nga lart. Por a do të gjejë kjo aleancë një mbështetje në popull?
Kjo është dilema. Deri tani Lulzim Basha është tek A-ja, pra krijimi i frymës, pasi për tek shkuar tek alternative sesi do të qeverisë, duhet të kalojë te ajo se si do të vijë në pushtet…/tesheshi.com/