Nga Bashkim Kastrati
Organizata Çohu! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese-Preportr ka prezantuar sot hulumtimin për financimin e partive politike, me theks të veçantë në përfitimet e financuesve të partive politike të titulluar “Politika e parasë”.
Të dhënat e hulumtuara tregojnë se financuesit e partive politike gjatë shtatë viteve 2007-2014 kanë marrë 442 tenderë dhe kanë përfituar mbi 220 milionë euro. Hulumtimi tregon se financuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që për shtatë vite drejtoi Qeverinë e Kosovës, janë në krye të listës së përfituesve nga tenderët publikë, të pasuar nga financuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV). Financuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe të Aleancës për Kosovën e Re (AKR), kanë përfituar shumë më pak të hyra nga tenderët publikë se sa ata të PDK-së dhe LVV-së.
Në përgjithësi hulumtimi tregon se PDK, si partia më e madhe në vend, përgjatë shtatë viteve në pushtet ka arritur të ndërtojë një lidhje shumë të ngushtë me bizneset që e kanë financuar gjatë fushatave zgjedhore. Këtë raport PDK e ka shtrirë në të gjitha nivelet e pushtetit, në atë qendror dhe lokal.
Rrjedhimisht sipas hulumtimit, financuesit e PDK-së kanë përfituar më së shumti nga tenderët publikë mbi 160 milionë euro. Lëvizja Vetëvendosje! edhe pse e regjistruar vonë si subjekt politik (2010) ka arritur të ketë shumë donatorë, të cilët kanë marrë afër 60 milionë euro nga tenderët publikë. Të dhënat tregojnë se financuesit e LDK-së kanë marrë 419,631 euro nga tenderët publikë, ata të AAK- së 9,767,240 euro, përderisa ata të AKR-së 3,089,817 euro. Këto tri parti në total kanë përfituar 14 milionë euro nga tenderët publikë.
Disa kompani financojnë parti të ndryshme gjatë fushatave
Hulumtimi ka treguar se dy burimet kryesore të financave të partive politike vijnë nga buxheti publik dhe nga donatorë të jashtëm në formë të parave kesh ose në atë të kontributeve në mallra dhe shërbime. Në këtë mes, PDK dhe Vetëvendosje! kanë natyrë të përafërt të financimit, pra për të dyja partitë burimet kryesore të financave vijnë nga buxheti i shtetit dhe nga donatorë të ndryshëm. LDK dhe AAK deklarojnë shumë pak donatorë, ndryshe prej AKR-së, që në disa vite ka marrë më shumë donacione se Partia Demokratike e Kosovës.
Nga të dhënat e raporteve të auditimit të KQZ-së, kontratat e nënshkruara nga autoritetet publike si dhe të dhënat e analizuara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës- ARBK-ja, është gjetur se 35 kompani ( 18 financuese si subjekte juridike dhe 17 si subjekte fizike) që kanë financuar subjektet politike kanë marrë rreth 173 milionë euro përmes 147 tenderëve nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ish-Ministria e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit (MTPT) dhe Ministria e Infrastrukturës (MI) për periudhën kohore gusht 2007- maj 2014.
Çohu! gjithashtu ka bërë edhe një kërkim shtesë të bazuar në një mostër me përzgjedhje të rastësishme në internet për bizneset që kanë financuar pesë partitë politike nga ku ka gjetur se 52 kompani (10 financues si subjekte juridike dhe 42 si subjekte fizike) kanë përfituar rreth 46 milionë euro përmes 295 tenderëve nga institucione tjera publike.
Në total, në kuadër të hulumtimi janë analizuar afër 1000 kontrata të nënshkruara nga autoritetet publike për periudhën kohore gusht 2007- maj 2014. Nga këto të dhëna janë nxjerrë informacione rreth kompanive që kanë fituar tenderë të cilat janë krahasuar me të dhënat nga regjistri i bizneseve në ARBK, për të identifikuar pronarët e kompanive përfituese të tenderëve publik. Pas popullimit të databazës me këto të dhëna, Ҫohu! ka krahasuar këto të dhëna me të gjeturat nga krahasimi i të dhënave të raporteve të auditimit të KQZ-së, për të krijuar kështu një pasqyrë të plotë të përfitimeve të tenderëve publik nga financuesit e partive politike.
Tri databaza online që tregojnë për klientelizimin dhe patronazhin politik
Në këtë konferencë, gjithashtu janë bërë publike edhe tri databaza online të cilat do t’ju shërbejnë gazetarëve, hulumtuesve dhe studiuesve si mjet online për monitorimin dhe vëzhgimin e financave të partive politike dhe përfitimeve të donatorëve të tyre.
Databaza e parë përfshinë të dhëna për financimin e subjekteve politike gjatë viteve 2009-2012.
Databaza e dytë përfshinë lidhjet e biznesit me politikën, përkatësisht një vizualizim i të gjeturave nga hulumtimi “Politika e parasë”.
Databaza e tretë përfshinë të dhënat mbi nivelin dhe shtrirjen e politizimit të institucioneve publike –punësimi në poste të larta publike në baza partiake – nga anëtarë të partive politike.
Databaza përmban këto të dhëna: Emrin dhe mbiemrin e zyrtarit, institucionin ku punon, pozitën, përshkrimin e pozitës, datën e emërimit, partinë politike të cilës i takon, lidhjen konkrete me partinë politike, vazhdimësinë e ushtrimit të funksionit ndër vite dhe komuna nga cilat vijnë zyrtarët.
Përmes kësaj databaze mund të filtrohen të dhëna të ndryshme dhe të shihet politizimi në secilin institucion veç e veç, cilat pozita janë më së shumti të politizuara, cila parti është më e shtrirë në secilin institucion, trendin e shtirjes së patronazhit ndër vite si dhe analiza dhe krahasime të tjera.
Këto të gjetura, përkatësisht krijimi i kësaj databaze është bërë pasi janë kontrolluar regjistrat e deklarimit të pasurisë të 2 mijë e 132 zyrtarëve të lartë publik, të cilët janë punësuar përmes konkurseve publike. Nga ky numër janë gjetur të dhëna faktike se 249 zyrtarë të lartë publik kanë lidhje direkte/zyrtare me partitë politike./tesheshi.com/