Nga Bashkim Kastrati
Publikimi në media i një rëntgeni të deputetes Albulena Haxhiu, ka nxitur reagime të shumta. Publikimi i një raporti të tillë mjekësor u konsiderua si skandal i madh dhe cenim i privatësisë, pavarësisht se çka paraqet ai rëntgen. Por shumë doktorë kanë konsideruar se nuk shihet asnjë trup i huaj në rëntgenin në fjalë dhe kjo ishte si kundërpërgjigje për publikimin e lajmit se në trupin e deputetes Haxhiu është gjetur gaz lotsjellës.
E në këtë situatë nuk ka qëndruar duarkryq as Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Kosovës. Kjo agjenci në një përgjigje elektronike për portalin tesheshi.com ka deklaruar se që nga e mërkura ka filluar ta trajtojë një rast të kësaj natyre (pas informatave të siguruara nga mediumet elektronike) edhe pse nuk ka marrë ankesë nga deputetja Haxhiu në lidhje me këtë çështje.
“Vlen të theksohet, me këtë rast, që përpunimi i të dhënave (zbulimi i rezultateve të ekzaminimit me rreze Röntgen) duhet të përmbushë disa kritere, në mënyrë që të konstatohet se i njëjti është zbuluar (publikuar) në mënyrë të ligjshme. Meqë pyetja juaj nuk i referohet një rasti shumë specifik, por ka karakter të përgjithësuar, sipas praktikës, vetëm pasi të jetë përmbyllur procesi i inspektimit të kontrolluesi/përpunuesi i të dhënave personale (në këtë rast institucioni shëndetësor që ka bërë një ekzaminim [apo edhe publikim] të këtillë), mund të dalim me konstatime të sakta lidhur me shkeljet e mundshme të Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thotë kjo agjenci.
Ndërsa të pyetur në lidhje me sanksionet ligjore që parasheh Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kjo agjenci ka theksuar se sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, personi juridik ose personi që ushtron veprimtari të pavarur, dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 4000 euro deri në 10.000 euro nëse përpunon të dhëna personale të ndjeshme në kundërshtim me nenin 6 të këtij ligji, apo nuk i mbron ato në pajtim me nenin 7 të këtij ligji.
“Sa për sqarim, në një rast, të cilit i referoheni ju, nuk kemi të bëjmë me diagnostikim (i cili zakonisht paraqitet në formë të shkruar në dokumentin përkatës dhe shoqërohet me përshkrim të terapisë eventuale), por vetëm me ekzaminim. Veç kësaj, në raste të këtilla, procesi i inspektimit do të zbulonte edhe arsyet e përpunimit (që në këtë rast do të mund të ishte nënshtrimi i individit ndaj procesit ekzaminues me rreze Röntgen dhe rrjedhimisht pasqyrimit të këtij ekzaminimi përmes RTG Nativ), nëse i njëjti është bërë për të vlerësuar gjendjen shëndetësore apo është ndërmarrë si masë e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ndërkohë deputetja Haxhiu ka paralajmëruar padi për ata që kanë publikuar të dhënat e saj mjekësore.
“Pas gjithë tronditjes fizike e emocionale, kjo dhunë psikologjike është e tepërt. Gjithsesi, të gjithë mediat apo gazetarët që kanë shpërndarë këto lajme do të mbajnë përgjegjësi legale. Po ashtu, do të mbajnë përgjegjësi edhe mjekët e policët që janë bërë pjesë e kësaj fushate linçuese. Tashmë jam duke i përgatitur me një grup avokatësh paditë për ta. Nuk do ta lejoj cënimin e identitetit tim, sepse dëshiroj me gjithë zemër që këtë lloj dhune të mos e provojë më askush tjetër. Nuk kam në plan të dorëzohem, dhe nuk kam në plan ta lë të harrohet këtë gjë!”, thuhet ndër të tjera në reagimin e saj.
A janë më private faturat e drekave të qeveritarëve apo diagnozat mjekësore të qytetarëve?
Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është treguar rigoroze në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale, sidomos të zyrtarëve të qeverisë. Kjo agjenci me 30.04.2012, në një përgjigje për Avokatin e Popullit ka thënë se nuk lejohet qasja e publikut në faturat e drekave dhe darkave të krerëve të qeverisë, edhe pse kemi të bëjmë me para të qytetarëve të Kosovës.
“Faturat e ushqimit mund të përmbajnë të dhëna të cilat mund të zbulojnë përkatësinë fetare, apo gjendjen shëndetësore të zyrtarit apo zyrtarëve të lartë shtetërorë. Këto të dhëna janë të dhëna personale të ndjeshme dhe si të tilla, në bazë të nenit 7 të Ligjit 03/L-172 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, klasifikohen me qëllim të parandalimit të qasjes dhe përdorimit të paautorizuar. Faturat të cilat mund të përmbajnë të dhëna prej të cilave mund të zbulohen të dhëna personale të ndjeshme janë faturat e drekave dhe darkave zyrtare të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Këto fatura mund të përmbajnë: llojin e ushqimit, llojin e pijeve të konsumuara gjatë takimeve zyrtare nga të cilat mund të zbulohet apo prejudikohet gjendja shëndetësore dhe përkatësia fetare e zyrtarëve të lartë shtetërorë të ndërlidhur me faturë, si dhe në të shumtën e rasteve vendet ku mbahen apo janë mbajtur takimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë”, thuhet ndër të tjera në shkresën e kësaj agjencie.
Mjekët specialistë: Në rëntgen nuk shihet gaz lotsjellës
Në lidhje më këtë çështje ka reaguar edhe neurokirurgu Talat Gjinolli. Ai ka thënë se sipas informatave të marra nga mediat (pamjet në TV) si dhe deklaratat publike të të lënduarës (Znj. Haxhiu) si: humbje e përkohshme e vetëdijes për kohë të shkurtë pas lëndimit, marramendje dhe humbje e kujtesës për periudhën e shkurtë para lëndimit, sugjerojnë për lëndim të kokës me çrregullim të përkohshëm të vetëdijes. Ai thotë se në këtë drejtim, nuk është i qartë indikacioni për incizim rëntgenologjik të pelvikut përderisa nuk ka pasur ankesa lidhur me këtë pjesë të trupit.
“Në incizimet rëntgenologjike, përveç të tjerash, duhet të shkruhet edhe emri i organit i cili incizohet. Nëse me kujdes shikohet foto (incizimi rëntgenologjik i pelvikut) e plasuar në media me emrin e znj. Albulena Haxhiu, informata mbi organin që është incizuar nuk përkon me fotografinë, duke qenë se SKULL është emërtimi në gjuhën angleze për kafkën. Ky incizim si i tillë, në asnjë institucion Shëndetësor apo Ligjor, nuk mund të pranohet si dokument mjekësor e as si provë ligjore që i përket personit në fjalë, e të mos dyshohet për manipulim. Rregull bazik tek incizimet radiologjike është se përveç të dhënave të pacientit, shkruhet edhe organi i cili pretendohet të prezantohet në këto incizime”, thotë ndër të tjera doktor Gjinolli.
Ai thotë se radiologu që ka bërë përshkrimin e incizimeve të kokës dhe të pelvikut, ka konkluduar se nuk shihen ndryshime traumatike dhe nuk ka bërë kurrfarë komenti lidhur me prezencën apo jo të trupave të huaj në këto dy pjesë të trupit të të lënduarës.
“Edhe këtu lind dyshimi se çfarë incizime i janë prezantuar radiologut për përshkrim, dhe çfarë (i kujt) incizimi prezantohet në media”, ka thënë neurokirurgu Gjinolli.
Rengenin e publikuar të deputetes Albulena Haxhiu, e ka quajtur skandaloz edhe Jusuf Ulaj, neuropsikiatër dhe ish-drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ai në reagimin e tij ka deklaruar se interpretimi i rëntgenit të Albulena Haxhiut është tërësisht i gabuar dhe shpifës. Sipas tij, publikimi i këtij rëntgeni është tërësisht kriminal.
“Së pari, si profesionist i mjekësisë, dëshiroj të sqaroj për opinionin se në raportin e publikuar ne media të radiologut Dr. Hakif Thaqi, qe ka bërë interpretimin e filmit, shkruan se: “ kraniogrami dhe pelviku janë rtg. pa ndryshime traumatike “ – pra nuk shkruan askund se në trupin e sajë janë gjetur “trupa te huaj” që do ishte e domosdoshme të shënoheshin nëse kanë qenë prezente. Pra, të gjitha interpretimet e publikuara nëpër media të ndryshme, sipas së cilave zonja Haxhiu e ka fshehur gazin në trupin e saj, janë saktësisht të gabuara”, ka deklaruar doktor Ulaj.
Ai thotë se mënyra se si ka dalë ky rëntgen në publik është shqetësuese dhe se kjo përbën thyerje të Betimit të Hipokratit, betim të cilin e jep çdo mjek. Sipas tij, ata mjekë që kanë nxjerrë në publik këtë rëntgen kanë thyer çdo kod etik edhe ligjor të mjekësisë, sepse ruajtja e diskrecionit të pacientit është obligative në çdo kusht. /tesheshi.com/