Albert Berisha është një nga “viktimat” shqiptare përsëgjalli të luftës në Siri. Atë tashmë e ndjek një paradoks: ndërsa është angazhuar me të gjitha format për të parandaluar shkuarjen e bashkëkombasve atje, vetë pritet të kryejë një dënim me burg mu pse ka marrë rrugën, edhe pse nuk shtënë asnjë plumb.
Ai është viktimë e një ideali human, rrethanash të çmendura po ashtu, si dhe njerëzish të pabesë.
Pas disa ditësh ai pritet të nisë dënimin me burg prej një neni-çark, ku në të bijnë dhe njerëz pa shkrehur kurrë armë, siç ai, por thotë se pavarësisht kësaj, përmes shkrimeve të ndryshme do të kontribuojë në parandalimin e shkuarjes së shqiptarëve në Siri…
Bisedoi: Blendi Gashi
Pse shkuat për t’iu bashkangjitur luftës në Siri, çka ndikoi të merrni këtë vendim?
Kanë qenë një grumbull faktorësh që kanë ndikuar tek unë. Ndër ta faktori humanitar, faktori fetar, faktori nacional, sepse dihet se atje jetojnë mbi 10.000 shqiptarë, plus shto këtu ata që i ishin bashkëngjitur luftës, urrejtja ndaj diktaturës, veprimi ka qenë politikisht korrekt, i përkrahur nga politika vendore e ndërkombëtare.
Si erdhët deri të kontaktet me njerëz që ju mundësuan shkuarjen në Siri, çka ju thanë ata për luftën atje?
Takimin me këta njerëz e kam pasur shok pas shoku, megjithatë vendimin e kam marrë vet dhe nuk fajësoj askënd për asnjë gjë që më ka ndodhur, vetëm se shpresoj që dikë ndonjë ditë ta vrasë ndërgjegjja, ngase ajo që ka ndodhur me mua qysh para se të nisem, gjatë rrugës, gjatë kohës sa isha atje, e sidomos periudha pasi jam kthyer , nuk kanë qenë thjeshtë manipulim por tradhti tipike. Gjërat që më janë prezantuar çdoherë kanë qenë pamjet e tmerrit të luftës, betejat e suksesshme të vëllezërve tanë opozitarë, mirësjellja ndaj civilëve , gjithçka dukej luftë e drejtë, ideale dhe politikisht korrekte.
A mund ta përshkruani rrugën se si u nisët dhe kush iu priti në Siri?
Jam nisur nga Prishtina me aeroplan. Personi që më ka shoqëruar në aeroport është i pari që më ka tradhtuar (këtë nuk e kam thënë asnjëherë më herët ), por ka kohë për të gjitha. Personat me të cilët kam udhëtuar janë tërhequr në moment të fundit. Personi me të cilin kam blerë biletën dhe i cili mi ka dhënë të gjitha informacionet dhe koordinatat është tërhequr si dhe ka shpëtuar pa aktakuzë, ndonëse ka qenë thellë i involvuar. Megjithatë, për ta pasur ndërgjegjen e pastër do i vuaj pasojat i vetëm ashtu siç kam udhëtuar i vetëm. Personat që është dashur të më presin në Turqi, njëri është kthyer mbrapa nga autoritetet turke, ndërsa katër të tjerët kanë vendosur që të mos më presin, tre nga ata tashmë janë të vdekur, ndërsa i katërti është kthyer dhe çuditërisht nuk ka as aktakuzë e as ndjekje penale. Me të arritur në Kilis jam takuar me një pjesëtar të FSA, i cili më ka ndihmuar shumë që të kaloj kufirin, të cilin e kam kaluar në mes të ditës me një motoçikletë. Pastaj pasi kam hyrë në territorin sirian gjërat filluan ta merrnin kahjen e kundërt.
Me të arritur atje, sa shqiptarë keni takuar dhe si ju pritën ata, a ju përcaktua ndonjë detyrë konkrete?
Në ditën e parë tek kampi i grupit Al Nusra ku shkova krejt aksidentalisht duke shpresuar që të takoj shqiptarët, por përpos arabishtfolësve kam takuar vetëm një shqiptar nga Maqedonia ci cili ishte komandanti i shqiptarëve në këtë formacion. Tek grupi i shqiptarëve që do i bashkoheshin ISIS-it kam takuar disa dhjetëra nga të gjitha trojet, kryesisht djem të rinj që kishin ngelur aty aksidentalisht dhe kuptohet udhëheqësit e grupit që vinin shkurtimisht herë pas here. Ndërsa në Ahrar al Sham, grupi kishte përbërje multietnike ku përpos arabëve kishte edhe turqë, amerikanë, kanadezë, gjermanë dhe bullgarë. Nuk kam pasur ndonjë detyrë të posaçme në asnjë nga këto grupe, përpos pritjes për t’u formuar grupi për trajnim dhe pritjes për t’u verifikuar identiteti.
Sa ditë keni qëndruar në Siri dhe a mund të na përshkruash çfarë aktivitetesh ke bërë ato ditë, si ishte një ditë e jotja atje?
Gjithsej kam qëndruar nëntë ditë. Aktiviteti varionte nga personi në person, në të dy kampet dikush lexonte Kuran, dikush dëgjonte ndonjë ilahi, bënim debate në të dy kampet. Debati në Ahrar ishte dukshëm me i relaksuar, përderisa në ISIS secili ishte dijetar me vete. Heshtnin zakonisht ata që frikësoheshin dhe nuk e dinin as vet se çka po bënin aty. Ka pasur raste kur kemi shëtitur jashtë kampeve. Ne Ahrar sa herë kemi dalur kemi pasur nga një rekrut me të moshuar me vete dhe na jepnin nga një armë për vetëmbrojtje. Unë zakonisht kam qëndruar me një amerikan dhe një irakian. Të dy kanë qenë shumë djem të mirë, përderisa me këta të ISIS nuk kam pasur ndonjë person me te cilin kam krijuar shoqëri.
A ka ndonjë ndodhi apo rast interesant që ju është ngulitur në mendje derisa keni qëndruar në Siri?
Natën kur flija, çantën me rroba dhe gjithçka kisha me vete e lija në oborr në pushimore me qëllim për t’u treguar atyre se nuk kisha çka të fsheh, dhe një natë derisa unë flija ma kishin hapur çantën. Kam pasur vetëm Kuranin arabisht dhe një libër të Hysamedin Ferajt, “Skicë e Mendimit Politik Shqiptar” dhe ju kishte bërë shumë përshtypje se “çka kërkojnë librat e qafirëve në çantën time. Në fakt është një nga librat më të mirë që kam lexuar ndonjëherë .
I njëjti libër vlen të përmendet se u pengoi edhe policisë turke, të cilët me ndaluan në qytetin Yayladag. Atyre u pata thënë se jam gazetar dhe jam ndarë nga pjesa tjetër e ekipit. Seç e kishin dy palët fiksim këtë libër nuk e di, por pastaj besoj se prania e Kuranit në çantën time i neutralizonte të dy palët.
A ke takuar shqiptarë nga Shqipëria dhe Maqedonia, cila ishte qasja e tyre ndaj luftës atje?
Po kam takuar shqiptarë nga Kosova të cilit ishin më shumë viktima sesa që vërtetë kishin ngarkesë ideologjike tekfiriste. Poashtu edhe ata nga Shqipëria që ishin viktima të vullnetit të mirë. Ndërsa ata nga Maqedonia vërtetë ishin të “infektuar” keq me ideologji ekstremiste. Numri i tyre ishte më i vogël por çdoherë më të zëshëm dhe të gatshëm për të debatuar për çështje të akides e menhexhit, për çështje të hakut dhe batilit, për çështje të kufrit dhe tekfirit etj.
Kur e kuptuat që nuk ishte ajo lufta për të cilën ke shkuar atje, kur vendose të kthehesh në Kosovë?
Vendosa të kthehem në momentin kur e kuptova që lufta po merrte kahje tjetër, pasi secili nga grupacionet ishte i gatshëm të luftonte tjetrin. Por më së miri këtë e kuptova gjatë kohës sa qëndrova në Ahrar al Sham nga një pjesëtar i grupit i cili më tha se do t’i kundërpërgjigjeshin sulmeve të kryera pas shpine të ISIS. Unë nuk shkova atje të luftoja muslimanët, por kriminelin Asad cili edhe sot e kësaj ditë vret e bombardon fëmijë muslimanë në Alepo, Ghuta e Idlib së bashku me kriminelët tinëzarë nga Rusia e Irani.
A ishte i vështirë kthimi në Kosovë, a ju ka penguar ndokush, a jeni kërcënuar për shkak se jeni kthyer?
Nuk ka qenë i vështirë kthimi, përpos një pjese të vogël gjatë kthimit në kufi ku me vete kishim edhe një familje kurde me fëmijë të vegjël. Për t’u kthyer kam marr leje nga komandanti i grupit të njërës nga njësitë e Ahrar al Shamit, i cili ishte një i moshuar për të cilin do të kem konsideratë përjetësisht, i njëjti është zënë rob nga ISIS dhe është ekzekutuar më vonë. Po ashtu kam pasur fjalë të rënda dhe kërcënime idiote dhe shprehje e keqardhjes pse nuk më kishin vrarë pas shpine në momentin që kam marrë çantën dhe jam larguar nga grupi i atyre që do i bashkoheshin ISIS-it. Por atyre as nuk ua kam frikën e as që i respektoj. Për të qenë dikush armik i imi duhet të jetë i denjë për një gjë të tillë, jo secili qyqan nëpër rrjete sociale me identitet anonim mundet që të më marrë kohën apo vëmendjen time.
Është raportuar se disa shqiptarë janë vrarë nga vet grupet të cilave u janë bashkangjitur, a keni parë apo a është folur për diçka të tillë derisa keni qenë atje?
Ka pasur vëllavrasje në mes të grupeve dhe organizatave të ndryshme opozitare, ka pasur vrasje pas shpine, ka pasur intriga, tekfirizime, ekzekutime për spiunazh pa kurrfarë prove apo gjykimi. Ka pasur ekzekutime mizore që i kemi parë të gjithë përfshirë ekzekutimet me zjarr, mbytje në ujë, ekzekutime me eksploziv rreth qafe, dehumanizim i skajshëm i kundërshtarit, vrasje në masë. Ka pasur shumëçka që bie ndesh me urdhrat e Islamit. Prandaj mendoj se e kemi obligim fetar dhe patriotik që të bëjmë gjithçka që ta diferencojmë Islamin prej terrorizmit.
Pasi që jeni kthyer në Kosovë a i keni takuar ata që kanë ndihmuar shkuarjen tënde në Siri, a keni biseduar me ta se çfarë keni parë atje dhe a i keni kërkuar që ta ndërpresin një gjë të tillë?
Po, jam takuar me këta persona, nuk kam parë shenja pendese tek ta. Krejt çka kam parë dhe kam hetuar kanë qenë intrigat dhe tendencat për të më dërguar sërish atje mua, shokët e mi dhe individë të tjerë djem të rinj me vullnet të mirë. Kur e kanë parë që nuk po ja dalin dot, kanë filluar me fushatë të poshtër të fyerjeve, intrigave dhe shpifjeve tek xhemati. Unë i kam mbrojtur gjatë tërë kësaj kohë për hir të Allahut, më janë dhimbsur më shumë fëmijët e tyre dhe familjet e tyre dhe kam pasur shpresë se një ditë do të rezonojnë, do të ndalen dhe nuk do të marrin vëllezër tjerë në qafë. Por dikush thjesht ka mentalitet krimineli dhe krimin e tij e legjitimon duke keqpërdorur Islamin.
A janë ende ata persona aktivë në Kosovë a dërgojnë persona tjerë për në Siri, apo janë arrestuar nga policia?
Më sa e di unë, shumica e rekrutueseve dhe atyre që shpërndajnë këtë ideologji janë akoma të lirë, madje pa ndonjë aktakuzë, gjë që më bënë të mendoj se këta persona punojnë për agjenda të caktuara jashtë Kosovës. Janë individë që Islamin e kanë mjet përfitimi, janë të tillët që kanë dërguar njerëz dhe i kanë lënë rrugëve, janë ata që i kanë nxitur dhe pastaj i kanë prerë në besë, janë ata që i kanë sharë dhe etiketuar pjesëmarrësit direkt në këto luftëra me lloj-lloj emri. Puna më e mirë që ata dinë të bëjnë është tradhtia.
Pas kthimit ju jeni angazhuar që të parandaloni shkuarjen e shqiptarëve të Kosovës në Siri, sa keni arritur që të përçoni mesazhin tuaj sidomos tek të rinjtë?
Mendoj që kontributin tim ndaj kësaj shoqërie e kam dhënë maksimalisht, privatisht jam përpjekur me sukses që të ndaloj shumë persona, duke ua shpjeguar gjendjen në detaje. Publikisht ju kam bërë thirrje miliona njerëzve që të reflektojnë. Mendoj që ka pasur efekt, por që përpjekjet nuk duhet të ndalën. Ajo çka më lëndon është një lloj neutraliteti i individëve dhe imamëve në këtë lidhje me këtë çështje. Nuk mundemi që të jemi indiferent ose të heshtim; ose e kam unë mirë, ose e kanë disa individë dhe organizata atje mirë. Rezultati po shihet. Megjithatë unë mendoj që ndihmën më të madhe që mund t’ia japim popullit sirian dhe irakian është që të mos përfshihemi në organizata që janë të dëmshme për vet popullsinë irakiane dhe siriane. Ne duhet t’i ndihmojmë opozitën dhe popullin me ndihma humanitare, me ushqime e veshmbathje, me medikamente, me strehim të refugjatëve, me presion politik qytetar. Pra ka plot e përplot mënyra për t’i ndihmuar vëllezërit tanë, pa rënë viktimë e ndonjë organizate a grupacioni.
Edhe pse ju keni bërë përpjekje për deradikalizim, jeni dënuar me tri vjet e gjysmë burgim, a do të duhej që institucionet tona të jenë më të kujdesshëm kur e miratuan Ligjin Kundër Bashkimit në Luftëra të Huaja, a është dashtë që të ofrohej një amnisti për ata qytetarë që kanë shkuar?
Ka pothuajse më shumë se tri vite qëkur unë i pari në publik kam dhënë propozimin për amnisti të monitoruar për personat që kanë udhëtuar në Siri dhe që nuk kanë kryer krime, pa marrë parasysh se në cilën organizatë kanë përfunduar, mbase pa vullnetin dhe dijeninë e tyre. Vazhdoj të mendoj se shteti ka obligim për secilin qytetar të vetin dhe shteti i cili pretendon se është në të mirën e qytetarëve nuk mundet të luajë kaq thjeshtë me jetërat e tyre. Nuk mundet dikush një ditë të bëjë thirrje për t‘iu bashkuar luftës, të nesërmen të bëjë thirrje për t’u kthyer. Një ditë tjetër t’i arrestojë ata që kthehen, një ditë të miratojë ligje të pakuptimta që do të ua pamundësonin të tjerëve të ktheheshin. Thjesht nuk mundet një shtet që pretendon të jetë normal, t’u ofrojë vetëm zgjidhje të këqija njerëzve, nuk mundet t’u ofrojë vetëm burg, vetëm shtypje, vetëm fukarallëk apo vetëm vdekje. Amnistia është hapi më i mirë që do të mund të merrej nga Kuvendi i Kosovës. Është e padrejtë dhe e pandershme të amnistohen strukturat paralele në veri të vendit që kanë qenë të përfshira në krime të ndryshme, ndërsa të burgosen ata që thjesht ishin viktima të një politike të gabuar.
A mund të ndikojë ky ligj që disa qytetarë të Kosovës që tashmë janë në Siri të mos kthehen në Kosovë?
Padyshim që po. Secili njeri normal që e di se do e pret burgu, ai do të preferojë t’i shmanget burgut. Megjithatë unë mendoj që urgjentisht duhet të fillojë procesi i kthimit të qytetarëve tanë në atdhe. Nuk mund të rrimë duarkryq përderisa fëmijët tanë vriten nga bombat, apo motrat dhe nënat tona keqpërdoren atje nga palët ndërluftuese. Nuk mund të lejojmë që vëllezërit tanë të përfundojnë të vdekur apo të zënë rob dhe të ekzekutohen në mënyra të pamëshirshme. Prandaj mendoj që kthimi është domosdoshmëri. Amnisitimi dhe lehtësimet ligjore janë obligim që ky shtet duhet ta përmbushë, tek e fundit ka pasur edhe premtime elektorale për këtë punë. Në të kundërtën procesi i deradikalizimit dhe integrimit nuk do të kishte kuptim.
A do të vazhdoni ende që të kontribuoni në parandalimin e shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në Siri dhe në atë që ju e quani deredikalizim, si mendoni ta bëni këtë, sa keni gjetur përkrahje në këtë drejtim?
Më lejoni që të sqaroj një gjë, deradikalizimi si proces në asnjë mënyrë nuk do të thotë deislamizim, apo largim nga besimi, apo largim nga çdo koncept i islamit. Secili që mendon të bëjë një gjë të tillë veç e ka humbur veten e tij. Deradikalizim do të thotë normalizim, deradikalizim do të thotë mendim kritik, deradikalizim do të thotë reflektim, deradikalizim do të thotë kthim në bazat e Islamit dhe largim nga keqinterpretimi dhe keqpërdorimi i Islamit. Natyrisht se do të vazhdoj, për arsye se mendoj që e kam obligim, jo vetëm unë por secili mysliman i devotshëm, secili imam që nuk e ka ndërgjegjen e lënduar, secili individ që ja do të mirën Islamit, muslimanëve dhe këtij vendi. Me ose pa përkrahjen e të tjerëve, unë do të vazhdoj. Mendoj se jam në rrugë të drejtë dhe mendoj dhe shpresoj që kjo rrugë të mos jetë e dëmshme për askënd, por përkundrazi shpresoj të jetë e dobishme për komunitetin musliman të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare. /tesheshi.com/