Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të pranojnë të bashkë qeverisin me koalicionin NISMA– AKR, ndonëse pikërisht këto subjekte mund t’ua rrëmbejnë dy partive fituese të zgjedhjeve 4 deputetë.
Të paktën kështu kanë deklaruar përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët thonë se nuk do të ftojnë për bashkëpunim rreth formimit të qeverisë së re asnjë parti, e cila ka keq qeverisur në mandatin e kaluar, pavarësisht rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Në anën tjetër nga koalicioni NISMA– AKR janë shprehur se nuk kanë interes të bëhen pjesë e qeverisë së re, mirëpo ata kanë theksuar se për të vendosur përfundimisht për këtë çështje duhet pritur certifikimi i rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, shkruan gazeta “Zëri”.
Kurse njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se koalicioni NISMA– AKR me të kaluar pragun prej 5% do të faktorizohet përsëri. Rrjedhimisht sipas tyre, nëse Vetëvendosja nuk e fton NISMA-n në Qeveri, atëherë gjasat janë reale që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje. /tesheshi.com/