E pranon se dështimi më i madh për ministrinë që drejton është mosbërja e ushtrisë. Edhe pse nuk jep një afat kohor, shprehet tejet i bindur se politika do gjejë një gjuhë të përbashkët dhe përfundimisht më 2017-të do të bëhet trasformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Është ky ministri i FSK-së, Haki Demolli, i cili thotë se ndihet i nderuar që është në krye të njërit prej institucioneve më të besueshme dhe suksesshme në vend.
Në një intervistë dhënë për tesheshi.com ai flet për raportet që MFSK ka me NATO-n, me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, për bashkëpunimin me KFOR-in, si dhe tregon cilat janë sfidat për vitin e ardhshëm.
Intervistoi: Blendi Gashi
Ministër Demolli sa është privilegj e sa përgjegjësi të drejtoni MFSK-në. A ishte synimi juaj para zgjedhjeve posti i ministrit të FSK-së?
Të drejtosh cilëndo ministri, e në veçanti Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për mua në radhë të parë është një përgjegjësi, e cila në vazhdimësi kërkon punë dhe angazhim me përkushtim e kujdes të jashtëzakonshëm.
E vërtetë është se posti i ministrit ofron disa privilegje “të natyrës teknike”, të cilat në raport me përgjegjësitë mund të thuhet se janë tejet minore. Kur flitet për privilegjet, atëherë më duhet thënë, se si ministër kam pasur fatin që të jem në krye të njërit prej institucioneve më të besueshme dhe më të suksesshme në vend, andaj sukseset e treguara të pjesëtarëve të FSK gjatë këtyre dy viteve sa jam ministër i FSK-së si dhe puna profesionale e tyre, me bëjnë të ndjehem krenarë dhe gjithsesi të privilegjuar.
Para zgjedhjeve të vitit 2014, synim të vetmin e kam pasur fitimin e mandatit të deputetit. Falë besimit dhe votës së sovranit ia kam dalur të bëhem deputet për çka i falënderohem shumë anëtarësisë, simpatizantëve dhe votuesit të LDK-së. Mirëpo pas krijimit të koalicionit qeverisës, përgjegjësit e partisë të cilës i takoj (LDK-së), më kanë besuar drejtimin e Ministrisë së FSK-së, për çka jo vetëm që i jam mirënjohës, por duke ushtruar këtë detyrë me përkushtim, profesionalizëm dhe korrektësi, mendoj se e kam arsyetuar respektivisht shpaguar besimin e fituar nga LDK.
Sa jeni i kënaqur me punën e deritashme në FSK. Cilat janë sukseset dhe dështimet që nga koha që jeni zgjedhur në krye të këtij dikasteri?
Me duhet thënë se, kur kam marrë postin e ministrit, FSK-ja si institucion i rëndësishëm i sigurisë, ka pasur një strukturë tejet profesionale dhe mjaft mirë të organizuar, andaj me mua vetëm ka vazhduar që me sukses të kryej detyrat dhe misionin e saj të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës.
Kuptohet ja kam dalur që të mbaj trendin e zhvillimit dhe të ngritjes së kapaciteteve sikurse njerëzore ashtu edhe të infrastrukturës dhe të pajisjeve tekniko-ushtarake për FSK.
Sa i përket sukseseve unë do të veçoja pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK në shumë ushtrime fushore dhe gara të ndryshme të karakterit ndërkombëtarë, ku zakonisht kanë treguar suksese duke zënë vendet e para duke u stolisur me medalje të arta si p.sh; kadeti Ismajl Hoxha në Akademinë Ushtarake të Sandhurst, pastaj skuadra patrulluese e Brigadës së Reagimit të Shpejtë, në garën “Combrian Patroll” në Britani të Madhe etj.
Sukses tjetër jashtëzakonisht i madh i FSK-së është, se forca jonë falë punës dhe bashkëpunimit me ushtritë e shteteve mike, si të SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë, Turqisë, Kroacisë, ia ka dal që të zhvillohet dhe ndërtohet në një forcë mbi bazat, kriteret dhe standardet e NATO-së.
Mos fillimi i procesit të transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës, gjithsesi paraqet njërën prej objektivave tona të parealizuara deri më tani.
Ja kush është fajtori kryesor për mos themelimin e ushtrisë
Pse Kosova edhe këtë vit dështoi të bëhet me ushtrinë e saj. Kush është fajtori?
Shkaktari kryesor janë dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, sipas të cilave për plotësimin dhe ndryshimin e saj (kushtetutës), kërkohen edhe dy të tretat e votave të deputetëve të komuniteteve jo shumicë, gjë që e kanë “shfrytëzuar” deputetët e Listës serbe, të cilët për shkak të qëndrimeve të tyre nacionale dhe politike ndaj Forcave të Armatosura të Kosovës, deri me tani nuk kanë treguar gatishmërinë e tyre politike për të votuar amendamentet kushtetuese dhe draft-ligjin me të cilin do të krijohej baza juridike për themelimin e FAK-ut.
Pavarësisht, mos realizimit të kësaj objektive, është evidente se MFSK nuk është shkaktare e vonesës, përkundrazi duhet theksuar se ministria jonë i ka kryer të gjitha veprimet e duhura (si në rrafshin legjislativ ashtu edhe në atë planifikues operativ) dhe sa i përket ministrisë tonë me plotë të drejtë mund të themi se, FSK që tani është e gatshme për transformim në FAK. Mirëpo zhvillimet e përgjithshme në skenën tonë politike, e në veçanti në Kuvendin e Kosovës nuk janë duke shkuar në favor të fillimit të transformimit, apo më mirë thënë janë duke penguar fillimin e këtij procesi.
A do jetë përfundimisht 2017-ta, vit i themelimit të ushtrisë?. Nëse po a mund të na jepni një kohë, muaj se kur mund të ndodh kjo?
Unë jam thellësisht i bindur se edhe gjatë vitit 2017, MFSK do të vazhdojë me punën dhe ngritjen profesionale të Forcës së Sigurisë, në mënyrë që ajo të jetë e gatshme në çdo moment për transformim në Forcë të Armatosur.
Po ashtu edhe qeveria do të angazhohet maksimalisht që të përafrojë qëndrimet politike, me deputetët dhe përfaqësuesit e Listës serbe, në mënyrë që ata të votojnë për amendamentet kushtetuese që hapin rrugën për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Andaj falë kësaj pune dhe angazhimi politik të qeverisë dhe MFSK, besoj dhe shpresoj që përfundimisht viti 2017, do të jetë viti kur Kosova do të bëhet me Forca të Armatosura, duke e realizuar kështu një dëshirë të kamotshme jo vetëm të MFSK-së, pjesëtarëve të FSK-së por edhe të të gjithë kosovarëve.
Sa është vlera e armëve që ka në posedim Forca e Sigurisë së Kosovës. Me ligj, FSK-ja ka të drejtë të posedojë edhe helikopter. Pse ende nuk e keni blerë këtë mjet?
FSK posedon armë dhe pajisje të mjaftueshme që nevojiten për të përmbushur detyrat të cilat dalin nga misioni i saj Kushtetues. Pasur parasysh që FSK është institucion relativisht i ri, në fazën e krijimit dhe ndërtimit të saj profesional, është e kuptueshme dhe natyrshme që zhvillimin e vet në fusha të caktuara e bënë me kujdes të veçantë duke bërë analizat, planifikimin dhe përgatitjet e nevojshme profesionale.
FSK në kohën e duhur, do të ketë të gjitha njësitet dhe pajisjet përkatëse që asaj i nevojiten për përmbushjen e cilitdo mision që ia përcakton kushtetuta e vendit. Kuptohet të gjitha këto zhvillime dhe ngritje profesionale të FSK-së, do të bëhen në koordinim, konsulencë dhe bashkëpunim intensiv sikurse me institucionet relevante të Republikës së Kosovës, ashtu edhe më partnerët tonë strategjik siç janë SHBA-të, pastaj ekipet këshilluese të NATO-së si dhe mekanizmat tjerë relevantë të sigurisë në vend (KFOR-in).
Sa jeni i kënaqur me numrin e të interesuarve për të qenë pjesë e FSK-së?
Bazuar në praktikat e deritashme të rekrutimit të ushtarëve dhe kadetëve të FSK-së, më duhet të them se jam tejet i kënaqur me interesimin e të rinjëve dhe të rejave kosovare për tu bërë pjesëtare të FSK-së, respektivisht për ta veshur uniformën e forcës tonë.
Kështu para dy vitesh, në një konkurs për 150 pozita për ushtarë të FSK-së, kanë aplikuar afro 6000 të rinjë kosovarë, kurse për çdo konkurs për 15 pozita të kadetëve në Qendrën për Studime Universitare të MFSK, aplikojnë mbi qindra të rinjë kosovarë. Këto të dhëna, tregojnë për një interesim dhe konkurrencë tejet të madhe për uniformën e FSK-së, në të cilën garojnë zakonisht kandidatët që e kanë ëndërr jetësore (të motivuar maksimalisht) punën në FSK, që janë të përgatitur mirë dhe që kanë treguar suksese të shkëlqyeshme në shkollimin paraprak të tyre.
Se bëhet fjalë për kandidatët tejet ambicioz, të vyeshëm dhe të përgatitur mirë, tregon fakti se një kadetë e FSK-së gjatë këtij viti ka aplikuar me sukses dhe është regjistruar në njërën prej akademive më prestigjioze në botë, pra në “West Point” të SHBA-ve, e cila ja ka dalur të regjistrohet në konkurrencën prej 94 kundër kandidatëve nga 29 shtete që kanë aplikuar për vetëm 15 pozita të lira.
FSK e gatshme të jetë pjesë e operacioneve të NATO-s
A është e përgatitur dhe e gatshme FSK të jetë pjesë e operacioneve paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO dhe cilat janë raportet me këtë Aleancë?
Ndonëse sipas një vlerësimi të përgjithshëm, shteti ynë nuk ka marrëdhënie formale me NATO-në, prapëseprapë mund të flitet për marrëdhënie teknike, ndërmjet NATO-së dhe MFSK-së. Konkretisht, MFSK ka një bashkëpunim intensiv profesional me NALT-in, që është ekipi këshillues i NATO-së, i cili në gusht të këtij viti u fuzionua nga dy ekipet e deritashme këshilluese të NATO-së, (NAT dhe NLAT).
Pjesëtarët e FSK-së që nga viti 2014, marrin pjesë në trajnime të organizuara nga NATO, për shtetet jo-anëtare të NATO-së, konkretisht gjatë këtij viti kanë marrë pjesë 22 pjesëtarë në 16 kurse trajnimi, ndërsa gjatë vitit 2017, do të marrin pjesë në 17 kurse te tilla.
Gjithsesi pas përgjegjës së NATO-së (dhjetor të këtij viti) në shkresën e kryeministrit Mustafa, pres që bashkëpunimi ndërmjet FSK dhe NATO-së, në përgjithësi do të intensifikohet, e veçanërisht në programet e karakterit doktrinarë dhe shkencorë.
Pasur parasysh këtë bashkëpunim si dhe ngritjen profesionale të pjesëtareve të FSK-së, me plotë të drejtë mund të theksohet se FSK me kapacitetet që dispozicion, në tërësi është e gatshme për të marrë pjesë në operacionet humanitare të zhvilluara nga NATO. Madje duhet thënë që në kontaktet që kam pasur me ministrat e mbrojtjes si të Kroacisë, Kanadasë, Hungarisë etj., ndër të tjera e kemi diskutuar edhe mundësinë e pjesëmarrjes së pjesëtarëve të FSK-së, në kuadër të formacioneve të tyre ushtarake në misione të tilla humanitare.
Në cilat segmente FSK-ja, bashkëpunon me forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe me policinë ?
MFSK ka një bashkëpunim tejet konkret dhe profesional edhe më KFOR-in, si në rrafshin e sigurisë të vendit ashtu edhe në zbatimin e projekteve të ndryshme nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës, e sidomos është i theksuar implementimi i projekteve (infrastrukturore, humanitare përmes të cilave sforcohet mirëbesimi) në mjedise me popullatë multi-etnike, respektivisht në mjedise ku pjesa dërmuese e popullatës janë të komuniteteve jo shumicë.
Këtë vit FSK ka marrë pjesë aktive në dy ushtrime të organizuara nga KFOR-i, si dhe pjesëtarët e KFOR-it kanë marrë pjesë në ushtrimin ushtarak të organizuar nga MFSK “Shqiponja 5”.
FSK po ashtu ka bashkëpunim edhe me policinë e Kosovës, sidomos në sferën e organizimit dhe zhvillimit të ushtrimeve të përbashkëta, në të cilat role dhe detyra të ndryshme kanë sikurse pjesëtaret e FSK-së ashtu edhe ata të policisë.
Cilat janë detyrat, sfidat që e presin MFSK-në më 2017?
Detyra kryesore e FSK-së në vitin 2017, është përkrahja e autoriteteve civile në raste të emergjencave, qofshin atyre natyrore ashtu edhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri.
Krahas saj, detyrë tjetër e MFSK është intensifikimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, si në rrafshin bilateral, regjional ashtu edhe më gjerë, përmes të cilit bashkëpunim do të këmbehen përvojat me forcat ushtarake të vendeve mike. Këto forma të bashkëpunimit, MFSK-së i mundësojnë të zhvillojë dhe ngritë, kapacitetet e veta profesionale, si dhe të plotësojë standardet dhe kriteret që kërkohen për anëtarësim në NATO.
Përndryshe objektiva përfundimtare e MFSK është integrimi në NATO dhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtar të sigurisë. Kurse ndër sfidat kryesore të MFSK edhe për vitin 2017, mbetet transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
“Ja ç’bashkëpunim kemi me FARSH-in”
Çili është bashkëpunimi i FSK-së me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë?
MFSK deri më tani ka nënshkruar 12 marrëveshje bashkëpunimi me ministritë e mbrojtjes të shteteve mike të Kosovës. Njëra prej këtyre marrëveshjeve është nënshkruar edhe me Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, e cila shërben si bazë juridike për bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH).
Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, në çdo fillim të vitit grupet punuese nga të dy palët, hartojnë planet e veprimit, në të cilat parashihen aktivitetet konkrete të karakterit bashkëpunues ndërmjet FSK-së dhe FARSH-it. Këto aktivitete zhvillohen me qëllim të këmbimit të përvojave në fusha të ndryshme ushtarake, si ushtrime fushore, trajnime të njësive të caktuara, hartimin e dokumenteve strategjike ushtarake, kurse trajnimi të natyrave të ndryshme, shkollimin e kadetëve dhe oficerëve të dy forcave e kështu me radhë.
Në fund të çdo viti, bëhet analiza dhe vlerësimi i realizmit të aktiviteteve të planifikuara, nga të cilat analiza mund të konstatohet se zakonisht mbi 90 % të aktiviteteve bashkëpunuese të planifikuara realizohen, e nga të cilat përfitojnë pjesëtaret e dy forcave.
Realizimi i aktiviteteve të planifikuara në këtë përqindje kaq të lartë, mundësohet në radhë të parë për shkak të vullnetit dhe interesimit maksimal të pjesëtareve të dy forcave, por një gjë të tillë e mundëson edhe afërsia fizike e dy vendeve tona si dhe mos ekzistimi i barrierave gjuhësore në komunikim dhe përgatitje të materialeve trajnuese.
Për fund, cili është mesazhi juaj për të gjithë qytetarët por në veçanti për pjesëtarët e FSK-së?
Pjesëtarët e FSK-së duhet të janë sa fatlumë aq edhe krenarë që kanë veshur uniformën dhe shërbejnë në forcën e shenjtë të popullit tonë, por në të njëjtën kohë kanë mbi shpatullat e tyre përgjegjësinë e madhe, që me veprime korrekte dhe profesionale të ruajnë, zhvillojnë dhe ndritin imazhin e FSK-së.
Kurse, mesazhi im drejtuar qytetarëve është, se shteti ndërtohet me veprime dhe punë konkrete e jo më demagogji dhe fraza koti, këto veprime shtet-formuese mund t’i kryejnë vetëm njerëzit e ndershëm e jo profiterët e natyrave të ndryshme.
Të nderuar qytetarë, ju jeni ata që vendosni se fati i udhëheqjes me Kosovën në duar të kujt do të mbetet. /tesheshi.com/