Nga Bashkim Kastrati
Kosova është vendi që e ka numrin më të madh të rasteve të prekur më sëmundjen e tuberkulozit. Sipas të dhënave që tesheshi.com i ka marrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) zyra në Kosovë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, në vitin 2014 në Kosovë janë regjistruar gjithsejt 834 raste të reja me TB ose 37/100,000 banorë. Numri total i rasteve nga viti 2002/ 1443 raste të reja është ulur në 968/ 2012, ose 46/100,000 me një zbritje vjetore rreth 3.5%.
Që nga mbarimi i luftës, donatorë të shumtë kanë qenë vazhdimisht në Kosovë dhe kanë kontribuar me shuma të konsiderueshme financiare. Ndërkaq, OBSH ka kontribuar sidomos në aspektin e këshillimeve, trajnime, udhërrëfyes etj.
Fatmirësishtm trendi i të prekurve me TB ka rënë falë intervenimeve dhe epidemia e tuberkulozit është vënë në kontroll, por është e domosdoshme që edhe më tutje të bëhen intervenime që numri i të prekurve të bie edhe më shumë.
Brenda 15 vitesh në Kosovë janë mjekuar 16 mijë raste të tuberkulozit. Kosto e shërimit ka qenë rreth 2.5 milionë euro çdo vit.
Skënder Syla, shef i zyrës së OBSh-së në Kosovës, ka thënë për tesheshi.com se numri i përgjithshëm dhe rastet e porsazbuluara të tuberkulozit në një regjion të caktuar, zakonisht llogariten ne vitin e ardhëm për vitin paraprak, prandaj edhe numri i rasteve të TB në Kosovë për vitin 2015 do të dihet në tremujorin e parë të vitit 2016.
Ai thotë se numri i rasteve të posa zbuluara të TB brenda një viti është e përafërt me vendet e Evropës Juglindore, por është më e larta krahasuar me vendet e rajonit përreth.
“Shkalla e vdekshmërisë ka qenë 1.4/100,000 banorë në vitin 2013. Sa i përket tuberkulozit rezistent në barna gjithsej janë regjistruar 5 të sëmurë kurse në vitin 2014 është regjistruar vetëm një rast i ri. Nga viti 2004 deri në vitin 2012 ka pasur 59 raste të TB në burgje”, ka thënë Syla.
Prioritet luftimi i tuberkulozit multirezistent
Syla thotë se plani kombëtar i kontrollit të tuberkulozit në Kosovë ka filluar të funksionojë në vitin 1999 me fillimin e implementimit të DOTS-it ose Strategjisë së trajtimit të mbikëqyrur të tuberkulozit e cila është vërtetuar si mënyra më e mire e menaxhimit të pacientëve me tuberkuloz.
“OBSH ka krijuar dhe ka distribuuar në mbarë botën e edhe në Kosovë, udhërrëfyesit e diagnostikimit, trajtimit dhe parandalimit të tuberkulozit. Po ashtu ka organizuar trajnime të mjekëve specialistë Pulmologë, dhe ka angazhuar asistencë teknike përmes konsulencave. OBSH ka angazhuar dhe tani angazhon ekspertë me eminentë në lëmin e tuberkulozit në diagnostikimin laboratorik si dhe trajtimin e TB”, ka thënë Syla.
Ai thotë se aktualisht plani i aksionit i OBSH-së në nivel të Evropës po edhe në Kosovë, është të parandalojë dhe të luftojë Tuberkulozin multirezistent ne Regjionin e Evropës në vitet 2011-2015. Në këtë kuptim OBSH ndihmon dhe jep asistencë teknike edhe në Kosovë.
Faik Hoti, Drejtor i departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë për tesheshi.com se prej vitit 2000 në Kosovë, përkrahur nga OBSH (WHO) dhe “Doctors of the World” ka filluar programi i tuberkulozit dhe aplikimi i DOTS –si formë e menaxhimit të trajtimit të pacientit me mbikëqyrje të drejtpërdrejte. Ai thotë se në vitin 2001 filloi për herë të parë funksionimin zyra dhe zyrtari për TB në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ka pasur shumë arsye që Kosova ka qenë përfituese e këtij granti si: arsye politike /situata e pasluftës , popullata relativisht e varfër, numri i larte i incidences se te prekurve me TB etj. Në një formë ekziston një mbështetje e ndërsjelle e këtij programi, fondi global ka ofruar mbështetjen financiare të këtij programi, ndërsa MSh-ja ka ofruar infrastrukturën spitalet –repartet e TB dhe Dispanzeret në regjione si dhe resurset njerëzore: si mjekët pulmologë të specializuar, infermierët dhe stafin teknik mbështetës”, thotë Hoti, duke shtuar se prej vitit 2004 janë trajnuar rreth 800 mjekë dhe infermierë që punojnë në Kujdesin Parësor Shëndetësor me qellim që vazhdohet trajtimi dhe ndjekja e pacientëve me TB.
Ka trend të rënies, por numri i të prekurve mbetet i lartë
Hoti thotë se në MSH prej Janarit 2014 është e formuar Njësia për TB me organograme dhe strukturë funksionale me koordinatorë regjionale në të 7 regjionet më të mëdha në Kosovë. Është përfunduar Plani i Veprimit për Programin Kombëtar te TB 2016 -2018 dhe për herë të parë është vendosur prioritet sëmundja e TB dhe ky program në Strategjinë Sektoriale Shëndetësore 2016-2020. Është përfunduar CN-Koncept Nota për aplikim te grantit të ri në Fond Global për periudhën 2016-2018.
“Numri i të sëmurëve me TB/incidenca për vitin 2014 ka qene 46.8/100,000 banorë dhe në numër total 834 të sëmurë nga TB për 2014 (88 raste më pak) çka në fakt krahasuar me vitin 2013 me 922 të sëmurë dhe incidence 50.4/100,000 banorë, përbën një ulje të konsiderueshme krahasimore prej 5%. Rezultatet e trajtimit kanë qenë për 2014 -86% i suksesshëm çfarë i ka tejkaluar limitet e vendosura prej OBSH-së, pra një shkallë e lartë e trajtimit të suksesshëm”, theksoi Hoti.
Ai thotë se shkalla e vdekshmërisë është 1.43/100,000 banore dhe se e rëndësishme është që për asnjë ditë të sëmurëve me TB nuk ju mungojnë terapia antituberkulare qoftë e rendit të parë po ashtu edhe e rendit të dytë.
Hoti tregon se në Kosovë ka gjithsej 5 pacientë me MDR –Multi Drug Rezistencë dhe vetëm një rast të ri me MDR për vitin 2014.
“Deri më tani Ministria e Shëndetësisë në këtë program ka ofruar resurset humane, mjekë specialistë dhe infermierë të trajnuar dhe kualifikuar për diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve me TB, infrastrukturën me institucionet publike shëndetësore dhe me rrjetin e laboratorëve për BK, qëndrimet javore dhe mujore të pacientëve me TB të shtruar në spitalet regjionale dhe në QKUK. Prej vitit 2016- 2018 nga Ministri i Shëndetësisë janë nënshkruar mjetet financiare në vlerë te 539.000 euro për blerjen e barnave antituberkulare të gjeneratës së parë dhe të dytë, blerja e reagensëve për laboratorë, blerja e një aparati të ri për Rtg si dhe funksionalizimi i laboratorëve ne Podujevë dhe Lipjan”, u shpreh Hoti
Llogaritet se rreth një e treta e popullatës në botë është e infektuar nga tuberkulozi.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, çdo 10 sekonda, një person vdes në botë nga tuberkulozi dhe një i prekur nga kjo sëmundje mund të infektojë 10 deri në 15 njerëz brenda një viti. /tesheshi.com/