Nga Vepror Hasani
Korça ka diçka të veçantë në jetën e saj. Është qytet-vakëf. Kjo do të thotë qytet pa taksa. Këtë status e mbajti për gati 500 vjet me radhë. Banorët e saj u lehtësuan nga detyrimet fiskale. Patën më shumë mundësi investimi. U nxit zhvillimi i Korçës. Emri i saj shumë shpejt u bë i njohur brenda dhe jashtë vendit. Si ndodhi e gjitha kjo?
Korça përbëhej nga dy pjesë; nga vetë qyteti më të majtë të lumit, ku jetonin myslimanët dhe nga fshati Peskëpi më të djathtë të tij, ku jetonin ortodoksët. Themeluesi i qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori i kërkoi Portës së Lartë të Stambollit që këto prona të tij (të dy pjesët e Korçës) t’i shndërronte në vakëf. Kërkesa e tij u përmbush. Më 1 të muajit Ramazan të vitit 910, sipas kalendarit hixhri, ose sipas kalendarit të sotëm, 1504-1505, Korça u shpall vakëf. Pas kësaj, Korça mund të konisiderohej qytet i shenjtë.
Përveç fshatit Peskëpi, (ose Peskopje), u shpallën vakëfe edhe fshatrat Boboshticë, Vithkuq dhe Leshnjë të kazasë së Korçës dhe fshatrat Serdena-Breg dhe Bodenca në kazanë e Përmetit. (Pronat e Mirahorit të kthyera në vakëf janë të shumta, jo vetëm në Korçë e Përmet, por edhe në Stamboll, në Janinë, në Berat e gjetkë, por në këtë material do të flasim vetëm për Korçën).
Në dekretin perandorak (vakëfname), ndër të tjera thuhet:
“…Kjo pasuri e lënë vakëf është si vijon: Krejt katër katundet që ndodhen në vilajetin e Rumelisë, në kazanë e qytetit të Gjorixhës (Korçës), që quhen: i pari katund Postica, (Boboshtica) i dyti katund Peskopje, i treti katund Bithukuk (Vithkuqi), i katërti katund Leshna (Leshnja). Krejt dy katunde që ndodhen në vilajetin e Rumelisë, në krahinën Çakdari të Kazasë së Përmetit, të cilët quhen: i pari Serdena-Breg dhe i dyti Bodenca. Edhe krejt ara e vetme, e quajtur Jenze Bexheke, në kufi të katundit Panarit, dhe ky i varur nga qyteti i Përmetit…”(Fragment nga dekreti perandorak, Vakëfnameja)
Fill pas marrjes së statusit vakëf, gjithçka u bërë realitet. Përjashtimi nga detyrimet fiskale hyri në fuqi. Këtë privilegj do ta gëzonin brez pas brezi edhe bijtë e tyre. Vakëfi ishte bamirësia më e mirë që mund t’u bëhej njerëzve. Kështu shkruhet edhe në vakëfname:
“ …Vakëfi është më e mira vepër, shpërblimi i të cilit i kthehet njeriut dhe në jetën e pasosur i jep dobi e fitim; vakëfi është më e madhja vepër e mirë nga pikëpamja e sevapit, më e çmueshmja nga pikëpamja e prodhimit, më e bukura e tyre që lë kujtim për të vijuar dobia e fitimi çdo kohë e ditë që kalon dhe sa herë që përsëriten vitet dhe motet”. (Fragment nga dekreti peranadorak, Vakëfnameja)
Aktivitetet tregtare dhe prodhuese të banorëve të Korçës nuk u regjistruan më në regjistrat fiskalë. Pazari, një nga projektet madhore të Mirahorëve, kishte nisur të merrte jetë:
“Bërthama e tretë formuese e qytetit ishte pazari. Mospërmendja e tij në dy regjistrat kadastralë osmanë, 1431-1432 dhe 1568-69, e gjen shpjegimin në vetë përmbajtjen e këtyre dokumenteve: banorët e Korçës ishin të falur nga taksat dhe, si rrjedhim, në regjistrat e karakterit fiskal nuk mund të figuronte as pazari, për të cilin qendrat e tjera paguanin taksë” . (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 46)
Pirro Thmo përmend më sipër edhe regjistrimin e vitit 1431-1432, (kohë kur Mirahori ende s’i kishte shpallur pronat e tij vakëve), por në këtë rast bëhet fjalë për rojtarët e kështjellave dhe konkretisht për rojet e kalasë së Korçës; edhe ata gëzonin të drejtën e përjashtimit nga taksat. Te kjo kala ka zanafillën qyteti i Korçës. Pra, përjashtimi nga taksat nis që nga viti 1431. U konfirmua sërish më 1504-1505 me kthimin e pronave të Mirahorit në vakëfe.
Përjashtimi nga taksat nxiti investimet. Shumë shpejt qyteti-vakëf i Korçës nisi të shkaktonte frikë në tregjet e Janinës dhe Selanikut. Edhe pse pazari u dogj tri herë me radhë, ata e ngritën sërish. Mundësitë e tyre ekonomike tashmë ishin të mëdha. Për herë të parë pazari u dogj më 19 qershor 1822. Zjarri shpërtheu atë natë kur dyqanet ishin furnizuar me mallra të sjella nga Trieste dhe Venediku. Nuk mbeti dyqan pa u djegur, por tregtarët e ngritën nga e para. Djegia e dytë ndodhi më 12 prill 1858. Dëmi llogaritej në 500 mijë lira angleze. Për tregtarët ishte goditje e madhe, por ata i ngritën përsëri dyqanet, hanet, hotelet, restorantet, punishtet etj. Vite më vonë, më 13 gusht 1879, pazari u mbulua nga flakët për herë të tretë. U dogjën 600 dyqane, shpëtuan vetëm 100, që gjendeshin periferive të tregut. Edhe këtë herë pothuajse gjithçka u ndërtua nga e para. Për Korçën nuk kishte vdekje. Ajo ringjallej herë pas herë nga hiri. Thuhej se pazari digjej nga njerëz të paguar prej konkurentëve të saj.
Qyteti kishte bekimin e themeluesit të tij. Që nga dita e parë e ardhjes së Iljaz bej Mirahorit më 1484 e deri në shpalljen e Korçës nënprefekturë më 1827, qeverisja bëhej vetëm nga Mirahorët. Para vitit 1827 nga vilajeti i Manastirit u dërgua në Korçë një komandant ushtrie. Në vitin 1827 erdhi kajmekani (nënprefekti), ndërsa kur Korça u bë prefekturë, më 1870, në krye të saj u vendos mytesarifi (prefekti), i cili kishte edhe të drejtën e kontrollit të financave të Mirahorëve. Më pas kontrolli i financave bëhej nga një nëpunës i quajtur Evkaf Mydir.
Megjithatë, Mirahorët vijonin të qeverisnin ashtu si edhe më parë, pasi kishin të drejtën legjitime mbi pronat e tyre të kthyera në Vakëf. Një pjesë e të ardhurave që sigurohej nga vakëfet mbahej nga vetë Mirahorët, pjesa tjetër shkonte për të varfërit, për sigurimin e ushqimit të tyre; çfarë mbetej i kalonte qeverisë. Pas vdekjes se Iljaz bej Mirahorit, kujdestaria e vakëfeve i kaloi birit të tij Sefer Shah Çelebiut, më pas djemve të këtij të fundit. Kujdestari i fundit i vakëve ishte Rustem Myteveliu, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë.
Si funksiononte institucioni i vakëfit e gjejmë te një shpjegim i vitit 1900, shkruar nga Nuçi Naçi te “Korça dhe fshatrat përqark”:
“Koxha Mir’ahori la me dhjatë (testament) gjithë dherat (arat) q’i pat falur Sulltani Bajazit’ i II-të, si dhe të tjera q’i patnë falur të tjerë sulltanë më parë, në vakëf; po la dhe për far’e fisn e ti mjaft. … Far’e fis’ i ti dhe sot ( viti 1900 kur u shkrua libri), quhenë: Evlatë Vakif do-me-thënë, bij të atij që bën vakëf …Po sot qeveria ka vënë një kryetar që e quajnë Evkaf Mydir; ky sheh të gjithë llogarit’ e vakëfit, e të imaretit, u-ep dhe far’e fisit të Koxha Mir’ahorit dhe ç’tepërojnë i mer qeverija. Far’e fis’ i Koxha Mir’ahorit kanë një të parë në mes tyre q’e quajnë Myteveli; ky ep e mer në mes të gjithë bijvet të vakëfit edhe me ferman nga sulltani njihet për i parë ndër mes të Evlatëvet. Ky sheh shumimet (të ardhurat), bashkë me Evkaf-Mydirë”
Përjashtimi i banorëve nga taksat i dha frytet e veta. Lulëzimi i Korçës qe i shpejtë. Në vitin 1850 nisi të krahasohej me Izmirin, i cili quhej ndryshe “Parisi i Mesdheut”. Askush nuk e kishte menduar se do të ndodhte kështu. Tashmë Korça ishte një realitet. Vizitorët e huaj vinin me karvane kuajsh e qëndronin në Korçë për ditë të tëra. Për ta Korça ishte një mrekulli:
“Më tepër myshterinj të haneve ishin ata që punonin e vinin me karvane nga qytetet e tjera të largëta, sidomos nga Elbasani, Manastiri, Follorina, Janina etj. Kur u hapën rrugët që lidhnin qytetet me njëri-tjetrin, kur u zgjeruan e u përmirësuan rrugët, filluan të punojnë edhe qerret, taliket apo llandonat me kuaj për udhëtarët. Edhe qerret e llandonat qëndronin në hanet dhe, disa herë, edhe për një kohë më të gjatë. Kështu që hanet ishin kthyer tani edhe si agjenci mallrash e njerëzish, por edhe si hotele e restorante”. (Tasi Gusho (1910-1996): “Pazari i Korçës – Kujtime”, Dorëshkrim)
Edhe fshati Peskëpi, ku jetonin ortodoksët ishte tjetërsuar. Tashmë siguroheshin më shumë të ardhura. Banorët e fshatrave përreth filluan të mësynin drejt Peskëpisë me dëshirën për të jetuar aty. Kështu u shpëtonin edhe taksave që paguanin në fshatrat e tyre. Mitropolia dhe banorët e Peskopisë nxorën arat e tyre në shitje. Gjithçka blihej me para në dorë. Familje të tëra të fshatrave përreth dhe larg, zbritën në Peskëpi. Kontratat e shitblerjes përgjatë viteve 1860-‘70 ishin të shumta. Peskëpia u mbipopullua:
Më vonë, gjatë viteve 1868-1873, gjejmë akte shitjesh të shumta trojesh nga kisha për ndërtime banesash, të cilat më parë ishin toka të punueshme, ara ose bostane. Kjo gjë mund të ketë ndodhur edhe me tokat e tjera përreth qytetit, të cilat nuk ishin prona të kishës, dhe me të vërtetë, ndër datat e banesave të kësaj periudhe, vitet 1868-1873 janë më të shpeshta”. (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 135)
Të ardhurit nga fshatrat por edhe vendasit u bënë furnizues të pazarit të Korçës me bostane, fruta, zarzavate, drithra etj, të cilat i kultivonin përgjatë përroit të Shën Gjergjit, në krah të djathtë të tij, që nga “çezmat e arave” deri përtej kishës së Shën Mërisë. Gjithashtu pazari siguronte prej tyre mishin, vezët, bulmetin e prodhime të tjera, kryesisht drithra. Peskëpia kishte nisur nga përgatitjet për t’iu bashkuar qytetit të Korçës. Përfund saj u ngrit një pazar i vogël, i cili çelej vetëm të shtunave. Funksionin e këtij pazari e shpjegon studiuesi Pirro Thomo:
“Funksioni i kësaj të fundit (pjesës së pazarit në territorin e Peskëpisë), ishte më i kufizuar (në krahasim me Pazarin e Madh), dhe veprimtaria në të kryhej kryesisht në një ditë të caktuar të javës, në ditën e pazarit”.
Gjithashtu, në vijim të këtij informacioni, Thomo sqaron:
“I shkëputur mjaft nga ky, (nga Pazari i Korçës), buzë lumit, ishte Pazari i Vogël, ku tregtohej kryesisht bereqeti” (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 206 dhe 210)
Me krijimin e Pazari të Vogël, shkrirja me qytetin e Korçës dukej më e afërt. Përjashtimi nga taksat ishte një mundësi më shumë për arritjen e qëllimit. Udhëtimi i fshatit Peskëpi drejt qytetit të Korçës vijonte. Korça vazhdoi të ishte e përjashtuar nga detyrimet financiare edhe për shumë vite me radhë. Pjesë e sistemit fiskal u bë pas vitit 1920.
Fill pas instalimit të diktaturës, Pazarit të Vogël të Peskëpisë s’i mbeti asnjë shenjë, kurse Pazari i Madh i qytetit të Korçës u përgjysmua. Tashmë sapo ka rilindur nga hiri i vet. Korça ka bekimin e Mirahorit, themeluesit të saj. /tesheshi.com/