Nga Vepror Hasani
Ndoshta nuk e keni ditur më parë. Të gjitha qytet si Korça, që jetën e tyre e nisën me ndërtimin e një xhamie, të një pazari dhe të një kuvendi, (ose parlamenti qytetar), kishin qenë mjaftueshëm të ngjashëm midis tyre. Lagjet mbanin pothuajse të njëjtat emra: lagjja e xhamisë ose e sahatit, lagjja e tregut ose çarshia, bezisteni, mejdani etj. Kanë patur edhe një lagje të quajtur “qoshku”, që pa asnjë dyshim mund ta gjeje në të gjitha këto qytete. Edhe kjo gjë ka mbetur e panjohur. “Qoshku” ishte kuvendi ku burrat mblidheshin dhe flisnin për punët e qytetit dhe hallet njerëzve – ishte parlamenti qytetar.
Emërtimet e vjetra nuk ekzistojnë. Në vend të emrit “lagjja e xhamisë” u përdor më së shumti “lagjja e sahatit”, sot ky emërtim është i harruar. Mjaft i parapëlqyer kishte qenë termi “çarshi”, por sot çarshia nuk është më. Nuk mbahet mend që kur është shembur. Nuk ekziston as bezisteni, pazari i mallrave të zgjedhura e të shtrenjta. Këto qytete kanë patur edhe ngjashmëri të tjera, si “lagjja e lumit”, “varoshi”, “bostanet”, “poçarana” etj. Shpesh kishin edhe një lagje të quajtur “kala”. Pse ka ndodhur kështu? Të gjitha këto emërtime do t’i gjeni të shpjeguara më poshtë, por mjaft domethënës mbetet parlamenti i qytetarëve. Për Qoshkun, edhe pse nuk është folur asnjëherë, përsëri gjenden gjurmë të ekzistencës së tij. Ato i kemi gjetur në pazarin e Përmetit, në pazarin e Elbasanit dhe shumë më pak, vetëm si emër, në pazarin e Korçës, por nuk është çudi që gjurmët e Qoshkut të gjenden së paku në të gjitha qytet e medha. Po e fillojmë me lagjen e xhamisë, për Qoshkun do të flasim më gjerësisht pak më poshtë.
Lagjja e xhamisë
Lagjja e xhamisë përbënte bërthamën e qytetit, pikënisjen e tij. Rreth saj ngriheshin banesat e themeluesit të qytetit, të pasardhësve të tij, të nëpunësve, njerëzve të shkolluar etj. Përgjithësisht ata ishin njerëzit më të pasur. Kishin në pronësi hane, dyqane, magazina, ara, kullota, vreshta etj. Shtëpitë i kishin dykatëshe me oborr të gjerë, të thurura me avlli, me hajate, qoshqe, divane, dollape, nusendra dyer e dritare të gdhendura nga mjeshtrit me emër.
Aty ngrihej qendra sociale për të varfërit (imareti), institucionet fetare, spitali dhe bibloteka e xhamisë, e quajtur “xhild-hane”. Përtej kësaj lagjeje të parë, ngriheshin lagjet e tjera, të cilat merrnin emrat që i përmendëm më sipër. Ndërtimi i pazarit filloi në të njëjtën kohë me ndërtimin e xhamisë, ku fillimisht u ngrit një han, një tavëhane, një hamam, dyqanet e ushqimeve dhe zarzavateve dhe më pas, me shtimin e tyre u krijuan sheshet e tregtimit dhe punishtet e zejtarisë.
Pranë xhamisë nuk mungonte asnjëherë shkolla e vajzave dhe e djemve, ku rolin e mësuesit e kryente hoxha. Rreth xhamisë kishin varret themeluesit e qytetit dhe pasardhësit e tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Mitropolinë, pranë saj gjendeshin shkollat që u vinin në ndihmë fëmijëve të krishterë, ndërsa varret pranë mitropolive u përkisnin njerëzve që kishin status të veçantë. Varrezat e qytetarëve vendoseshin më në periferi. Edhe tek ato ekzistonte një ndarje sipas fiseve, edhe pse bëhej fjalë për të njëjtën varrezë. Çdo komunitet fetar, mysliman, ortodoks, katolik, protestant, (Korça ka patur edhe protestantë) etj, kishin varrezat e tyre. Vllehët kishin varrezë më vete.
Tashmë le të ndalemi të parlamenti i qytetarëve.
Qoshku, parlamenti i qytetarëve
Të gjitha qytetet me xhami dhe Pazar kishin edhe një lagje të quajtur “Qoshk”. Edhe qyteti i Korçës e kishte një lagje të tillë. “Qoshku” i Korçës përmendet nga Karmici, Nuçi Naçi, Sejdin Ramo, Pirro Thomo e gjithkush tjetër që ka shkruar për historikun e Korçës, por pa thënë asnjë fjalë se çfarë përfaqësonte ky term.
Emërtimi “Qoshk” nuk është shumë simpatik, të krijon përshtypjen e një lagjeje të vogël, si e krijuar rastësisht, sikur e ka marrë emrin nga forma e vendit dhe për më shumë sikur ka qenë e shkëputur nga lagjet e tjera, por kur hyn në historinë e saj, të krijon një përfytyrim tjetër.
Lagjja “Qoshk” zinte fill pas lagjes së xhamisë. Kjo lagje mendohej si parlamenti i qytetit. Për këtë arsye që në fillesat e ndërtimit të xhamisë, parashikohej ndërtimi i një sheshi të madh, ku mund të mblidheshin gjithë njerëzit. Sheshi ishte i thurur me avlli, me porta të mëdha e të rënda si për të treguar peshën e fjalës së qytetarëve. Në krye të sheshit ngrihej një ndërtesë e madhe në hapësirë, (shtrirje), zakonisht dy katëshe, e cila ishte pjesë e ndërtesave qeveritare.
Sa herë banorët e qytetit ndjenin se një punë apo një tjetër duhej pleqëruar mirë, mblidheshin te “Qoshku”, ku merrnin takim me njerëzit e qeverisë. Pjesëmarrësit u përkisnin të gjitha shtresave. I pranishëm mund të ishte gjithkush që kishte diçka për të thënë, ose jo, por përgjithësisht liheshin të flisnin njerëzit që ishin të shkolluar dhe që kishin besimin e banorëve. Qoshku nuk zëvëndësonte qeverinë (hyqymetin), as bashkinë (beledijen), as deputetët dhe as këshilltarët (azallarët). Funksioni i “Qoshkut” ishte një kuvend i hapur, ku mund të flisnin dhe të dëgjoheshin të gjithë.
Çdo njeri që merrte fjalën vendosej “në Qoshk”, që do të thotë se dilte në krye, në podiumin e ndërtesës që ndodhej në krye të sheshit. Për këtë arsye, lagjja “Qoshk” ishte një nga lagjet më rëndësishme, në mos më e rëndësishmja. Shpesh, sipas pjesëmarrjes, përdoreshin edhe ambientet e brendshme të ndërtesës.
Ku ndodhej ky shesh në Korçë? Nuk mund ta themi me saktësi, por sipas të gjitha gjasave sheshi shtrihej pranë shtëpisë së mëmëdhetarit Ali Qyteza. Edhe grekët kur hynë për herë të parë në Korçë, aty nisën t’i mblidhnin njerëzit që t’u shpjegonin përse kishin ardhur, ndërsa detyronin Belul Efendinë kryetar Bashkie dhe Hafiz Ai Korçën që t’u fliste njerëzve mirë për Greqinë.
Qoshku ka ekzistuar edhe në qytete të tjera me Pazar dhe xhami, por të dokumentuar e gjejmë në qytetin e Përmetit: “Tatëpjetë pazarit, buzë Vjosës, prej çipit të shkarrëzimit për tek ura gjer te guri i Qytetit, shtrihej lagjja e Qoshkut me atë të Lumit. Quhej “Qoshk”, sepse në sheshin e tij, në kohëra të vjetra, ngrihej një i tillë, ku rrinte qeveria dhe mblidhej parësia tok me qeveritarët për të rrahur të gjitha punërat. Ky ndodhej edhe në kohën e Ali Pashës…” (Sitilian Adhami, “Përmeti dhe përmetarët në udhëpërshkrimet e të huajve dhe në kujtimet e popullit”, f. 177).
Për Qoshkun e Permetit ka shkruar edhe anglezi Thomas Smart Hjuz te libri i tij: “Udhëtime në Siçili, në Greqi dhe në Shqipëri, i cili, ndërsa përshkruan sarajet e guvernnatorit të Përmetit përmend edhe Qoshkun: “Ndërtesa ishte e një madhështie, që i afrohej atij të Tepelenës, kishte banjo shumë të bukura dhe një qoshk të shkëlqyeshëm shtruar me mermer dhe një shatërvan në midis…”
Qoshku i Përmetit është quajtur ndryshe “vendi i Asamblesë”: “Kisha e Lindjes së Hyjlindëses është e vendosur në pjesën lindore të pazarit të vjetër në Përmet në një lagje të quajtur “lagjja e Qoshkut dhe e Lumit”. Kjo lagje është e vendosur në pjesën lindore të bregut të lumit të Vjosës. Lagjja ishte emëruar sipas një “Qoshke” e cila ka qenë e ndërtuar në pjesën perëndimore të vendit të kishës dhe përdorej nga krerët e vendit si një vend mbledhjeje me qeveritarë zyrtarë për të bashkëbiseduar rreth çështjeve të ndryshme. Për këtë arsye sheshi i kishës quhej “sheshi i hyqymetit” (i administratës), në të cilin zyrat e nën-prefekturës, e kadastrës dhe gjyqi lokal funksionuan.
Ky vend i Asamblesë u shkatërrua plotësisht nga zjarri rreth viteve 1865-1870”. (Kisha e Lindjes së Hyjlindjes tek pazari i Vjetër, Përmet, shkruar nga Dr. Kostantinos Giakoumis, Byzantinist, B.A. Athens University H.D. C.B.O.M.G.S., University of Birmingham, UK dhe nga Mr. Joan Stratoberdha, Architect B.A. Tirana)
Lagjja e lumit
Përgjithësisht këto qytete kanë patur edhe një lagje të quajtur “lagjja e lumit”. Ndodhte kështu sepse territori ku do të ngrihej qyteti, duhej të gjendej doemos në kryqëzime rrugësh dhe mundësisht pranë një lumë apo një përroi me ujë të rrjedhshëm e të pashterueshëm që t’i shërbente qytetit në çdo kohë.
Lumenjtë janë korridorë të përhershëm që sjellin ajrin e pastër të maleve dhe luginave. Kanë aftësi të krijojnë mikroklima. Qyteti mund t’i shfrytëzojë për pastërtinë e tij; për ujitjen e parqeve dhe lulishteve, për larjen e shesheve dhe rrugëve, për mbajtjen pastër të banjove publike, për fikjen e zjarreve etj. Uji i tyre është falas. Me ujërat e një lumi mund të krijosh imazhe të pabesueshme, pasqyra uji, pishina dhe lokale, pse jo edhe hotele pranë tyre. Një pasuri të tillë ta fal vetëm Zoti, por vetëm nëse di ta çmosh atë. Kjo ishte arsyeja pse kërkohej prania e një lumi.
Themeluesi i qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, shëtiti gjithë krahinën për të parë se ku mund të ngrihej qyteti i tij dhe së fundi përzgjodhi këtë vend, ku ngrihet Korça sot, vetëm për shkak të ekzistencës së lumit; ndryshe Boboshtica, pronë e tij me dekret perandorak, do të kishte qenë shumë herë më e pereferuar.
Në këto qytete, banesat që ngriheshin buzë lumit merrnin emrin “lagjja e lumit”. Shumë qytete e kanë edhe këtë lagje. Edhe Korça e kishte një lagje të tillë, por sot nuk e ka më. Lumin e nxorën jashtë qytetit. Dhe e dini pse ndodhi kështu? Në atë kohë, vitet 1960, nuk funksiononte Qoshku, parlamenti i qytetarëve. Vetë flisnin, vetë dëgjonin. Megjithate, jehona e ekzistencës së Qoshkut arrin të vijë edhe në ditët e sotme. Edhe qyteti i Elbasanit kishte patur një institucion të tillë i cili kishte shërbyer si seli e tregtarve të tabakëve::“Kjo ndërtesë qindravjeçare ishte selia e esnafit të Tabakëve (lëkurë-regjësave). Kishte një numër dhomash dhe një çardhak të madh të rrethuar me parmakë dhe prefund tyre një teqe, formë xhamie, ku hasej simboli i esnafit, bajraku me flokë, e cila përdorej edhe për mbledhjet e zakonshme të esnafit. Kjo ndërtesë, që sipas fjalës së pleqve, supozohet të ishte ngritur në shekullin XVI, qëndroi deri në vitin 1954, kur zyra komunale urdhëroi sheshimin e saj bashkë me tre hane karvanesh që kishin edhe dhoma të larta për udhëtarë, për t’i lëshuar vendin lulishtes me shatërvan, që u krijua pranë bulevardit. Fotografia e këtij qoshku ruhet sot në muzeun lokal te Elbasanit. Pas qoshkut, ndërmjet hanesh ka qenë një tyrbe e vogël, e cila quhej si aksesor i këtij qoshku dhe ishte nën kujdesin e esnafit të tabakëve”. (Armanda Kodra (Hysa), “Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shek.XIX dhe fillimi të shek. XX”, f. 120).
Lagjja kala dhe varoshllinjtë e vërtetë
Themeluesit e qyteteve të kësaj periudhe parapëlqenin që zona ku do të ngrihej qyteti i tyre të kishte një kala, qoftë edhe të rrënuar, ose së paku të dihej që kishte ekzistuar një e tillë. Këtë shenjë e shihnin si bekim. Kalaja ishte dëshmia më e mirë që tregonte se aty kishin jetuar njerëz dhe mbi të gjitha kishin patur përparim për shekuj me radhë. Natyra u kishte ofruar miqësinë e saj. Me ngritjen e qyteteve nuk mund të eksperimentohej. Ngritja e qytetit të ri ishte si një ringjallje për njerëzit që kishin jetuar aty shekuj më parë. Kjo ishte dhe arsyeja pse Iljaz bej Mirahori preferoi një vend pranë Kalasë së Mborjes, ku nuk mungonte as lumi. Madje mori edhe 26 familjet e kalasë dhe i vendosi në qytetin që ngriti vet. Ato 26 familje myslimane janë varoshllinjtë e vërtetë të Korçës, sepse ata ishin vërtetë banorë të kalasë.
Kjo e vërtetë thuhet edhe në Regjistrin Osman të Kosturit (1520-1530), ku saktësohet se një pjesë e fshatit Emporje, 34 familje bashkë me teologun Bilal Faiku, zbritën në Peskëpi, (siç dihet Peskëpia përbëhej nga dy pjesë; nga fshati Peskëpi dhe qyteti i Korçës), gjë që kuptohet se ata u vendosën në qytetin e Korçës, ku jetonin muslimanët.
Pazari dhe lagjet e tjera
Sigurisht, një nga lagjet më të rëndësishme të Korçës mbetet pazari. Si pjesë të tij ishin edhe çarshia me bezistenin, dy ndër tregjet më të bukura të tij. Si pjesë e pazarit shihej edhe “mejdani”. Një shpjegim më të qartë për këtë term na jep studiuesi Stilian Adhami: “…në mejdan punohej lini, mëndafshi, kërpi, zbardhej dhe ngjyrosej; këtu pritej, qepej, thurej, bëheshin ndërtitë e bukura me engjërdhi të nuses. Këtu më në fund përgatitej mazia dhe kënahu për plakat …(“Përmeti dhe përmetarët në udhëpërshkrimet e të huajve dhe në kujtimet e popullit”, f. 175).
Por për të gjitha qytetet, të mëdhenj ose të vegjël, veçanërisht në atë kohë, kërkohej te kishin një periferi me toka të përshtatshme për bostane (zarzavate), të cilat ishin ushqimi i përditshëm i banorëve, por edhe një poçaranë që mund t’i sillte pazarit mjaft të ardhura. Me ardhjen e vllehëve, pazarit iu shtuan prodhimet prej leshi dhe shajaku si dhe produktet e shumta të qumështit. Që të gjitha këto, Iljaz bej Mirahori i gjeti në këtë vend, ku ngrihet sot qyteti i Korçës. Nëse emrat e vjetër dhe disa nga objektet e përmendura më sipër, siç ishte Qoshku do të ishin ruajtur, qyteti do të ishte vërtetë një antikë e rrallë. /tesheshi.com/