Nga Massimo Di Ricco
Silvia Romano e rrëmbyer në Kenia u përball me një pritje armiqësore kur u kthye në Itali
Punonjësja italiane e ndihmave, Silvia Romano, u rrëmbye në nëntor të 2018-s në verilindje të Kenias nga njerëz me armë të lidhur me grupin e armatosur somalez esh-Shebab. Romano po bënte punë vullnetare për një OJQ italiane në një jetimore në fshatin Chakama në kohën e sulmit, që la një numër njerëzish të plagosur.
Lajmet për rrëmbimin e Romano-s sollën jo vetëm shqetësim dhe pikëllim, por gjithashtu dhe polemikë, në vendin e saj. Figura publike dhe politikanë të së djathtës, dhe disa pjesëtarë të publikut, e akuzuan punonjësen e ndihmës për “kërkim telashesh” duke shkuar në Kenia dhe deklaruan se ajo duhej të kishte “qëndruar në Milano dhe t’i ndihmonte njerëzit atje”.
Ata e quajtën vendimin e saj për të vajtur në Kenia si një punonjëse vullnetare ndihme një shprehje të “shitjes së guximshmërisë” dhe thanë se ajo kërkonte vëmendje. Këto akuza u kundërshtuan nga liberalë të zemëruar të cilët folën për “rëndësinë” e të rinjve idealistë si Romano që shkojnë jashtë në misione ndihme vullnetare dhe i ndihmojnë ata në nevojë në vende të tjera.
Cikli i lajmeve vazhdoi në javët në vijim dhe diskutimet për Romanon-n dhe punën që ajo po bënte në Kenia patën një fund dalëngadalë.
Por Romano e pa veten përsëri në muajin e fundit nëtabelën e qitjes të sulmeve të së djathtës, këtë herë jo vetëm për vajtjen në Kenia dhe “shkaktimin e telasheve”, por gjithashtu për zgjedhjen vullnetare për t’u kthyer në Islam gjatë provës së rëndë të kaluar.
Shpërthimi i urrejtjes dhe islamofobisë
Më 9 maj, kur kryeministri Giuseppe Conte njoftoi nëTwitter se Romano ishte liruar më në fund, shumica e italianëve u ngazëllyen. Veç shpejt u mësua se punonjësja e ndihmës kishte zgjedhur të bëhej muslimane gjatë tetëmbëdhjetë muajve në robërinë e esh-Shebabit dhe se e kishte ndryshuar emrin në “Aisha”. Kjo e ftohu atmosferën festuese dhe i bëri shumë në të djathtën italiane t’i vinin edhe një herë në diskutim shtysat e Romano-s për shkuarjen fillimisht në Kenia.
Pasi Romano zbriti në Romë e veshur me një xhilbab në të gjelbër të lehtë, një rrobë e gjerë e lëshuar që e mbulon tërë trupin dhe vishet shpesh nga gratë somaleze, konvertimi i saj u bë shpejt fokusi i vetëm i organeve mediatike italiane të së djathtës. Ato publikuan fotografi “para dhe pas” ku tregohej “shndërrimi” i punonjëses së ndihmës dhe i hynë kërkimit për të hedhur dritë mbi “misterin që e rrethonte konvertimin”: Ishte konvertuar ajo forcërisht? I ishte bërë shpërlarje truri? Ishte viktimë e sindromës së Stokholmit?
“Ne kemi liruar një grua muslimane” deklaroi e përditshmja konservatore “Libero Quotidiano”, sikur vetëm qytetarët italianë të krishterë meritonin të mbroheshin nga qeveria e vendit të cilën e quajnë shtëpi, e jo ata muslimanë.
“Islamike dhe e lumtur. Silvia, mosmirënjohësja”, thoshte titulli në faqe të parë i një artikulli nga Alessandro Sallusti, editori i “Il Giornale”-s. Sallusti e akuzonte Romano-n në të njëjtin artikull për veshjen e “uniformës xhihadiste të armikut” dhe shprehej se konvertimi i saj është po aq absurd sa kthimi i një hebreu nga një kamp përqendrimi i veshur si nazist.
Një varg politikanësh të së djathtës e shfrytëzuan po ashtu përvojën e vështirë të kaluar dhe konvertimin e Romano-s si një mundësi për t’u dhënë zë pikëpamjeve islamofobe. Udhëheqësi i partisë të së djathtës, Lega Nord-it, Matteo Salvini, për shembull, e kornizoi rrëmbimin dhe konvertimin e Romano-s brenda një përplasjeje të pretenduar të qytetërimeve, dhe tha se “terroristët islamikë” e kanë fituar “betejën kulturore në emër të konvertimit dhe velit islam”. Ndërkohë, zëvendësi i Salvini-t, Alessandro Pagano, e damkosi Romano-n si “terroristja e re” gjatë një sesioni parlamentar.
Mbulimi agresiv dhe akuzues nga media e së djathtës i lirimit dhe kthimit në Islam të Romano-s, i bashkuar me komentet diskriminuese dhe të mërishme të politikanëve të spikatur të Lega-s, tregoi sa është konsoliduar islamofobia në Itali.
Por Romano nuk u vu në shenjë vetëm nga këta të dyshimtë të zakonshëm.
Ca feministe italiane e sulmuan të renë punonjëse ndihme për kthimin në Islam dhe veshjen e “rrobave islame”.
Për shembull, e dalluara historiane feministe, Nadia Riva, e cila në vitet 1980 ishte një prej themelueseve të grupit radikal dhe me ndikim feminist “Cicip & Ciciap club”, iu referua Romano-s në një postim nëFacebook si “një femër e qeshur në një thes të riciklueshëm të gjelbër”. Duke deklaruar se xhilbabi i Romano-s është simbol i shtypjes mashkullore dhe jo shprehje e identitetit të saj fetar, ajo shpjegoi se nuk mund ta besonte që një femër të zgjidhte të vishej me dëshirë asisoj.
Shumë feministe italiane u vunë në mbrojtje të Romano-s dhe u distancuan nga komentet polemizuese të Riva-s. Por fakti se disa feministe italiane me emër e panë të përshtatshme të sulmojnë një tjetër grua për shkak të asaj që ajo zgjedh të besojë dhe mënyrës si zgjedh të vishet tregoi se sa e ngulitur është ideja e superioritetit moral në pjesë të lëvizjes feministe italiane dhe perëndimore.
Riprodhimi i “miteve të shpëtimtarit të bardhë”
E majta dhe liberalët italianë e dënuan hapur urrejtjen që mori Romano për kthimin në Islam dhe e festuan kthimin e saj në shtëpi. Ama reagimi i tyre ndaj retorikës me urrejtje të së djathtës që e rrethoi lirimin e punonjëses së ndihmës ishte njëlloj problematik, sido që për arsye të ndryshme.
Në reagimin e tyre ndaj tërë sagës së Romano-s, figurat publike dhe organizatat mediatike liberale të Italisë u përpoqën të vënë në pah anën njerëzore të historisë dhe e festuan pa rezerva kthimin e saj shëndoshë e mirë në shtëpi. Por në festimin e tyre pa dyshim qëllimmirë u bënë vend stereotipeve të rrënjosura thellë dhe tejet të dëmshme për Afrikën. Jo vetëm e portretizuan kontinentin si një vend të egër dhe të braktisur, por lanë të kuptohej në të njëjtën kohë se afrikanët janë në nevojë për “shpëtimtarët e bardhë”.
Gazetat liberale publikuan imazhe të panumërta që e tregonin Romano-n të rrethuar nga fëmijë kenianë, por u nuk përpoqën ta ruajnëtë drejtën e atyre fëmijëve për të mos u shfaqur, siç do të bënin normalisht me fëmijët europianë. Këto imazhe, dhe artikujt që i shoqëruan ato, ishin riprodhim i përsosur i dekadave të miteve të “shpëtimtarit të bardhë”, që folën për gra e burra vetëmohues perëndimorë të cilët udhëtuan drejt Afrikës pa ndërhyrje për t’i shpëtuar “fëmijët afrikanë”.
E përditshmja italiane e qendrës së majtë, “La Repubblica”, botoi madje një artikull ku thuhej se Romano u “tradhtua nga i njëjti fshat që donte të shpëtonte”; një deklarim i cili ripohon tropetë pabaza dhe të dëmshme mbi mosmirënjohjen e popullit afrikan përballë përpjekjeve perëndimore për t’i “shpëtuar” ata.
Një nga riprodhimet më të dukshme të “mitit të shpëtimtarit të bardhë” erdhi prej autorit të botimeve të shumëshitura dhe antifashistit të zëshëm, Roberto Saviano. Ai i portretizoi afrikanët, mbase në mënyrë të paqëllimshme, në një artikull në “La Repubblica” dhe në faqen e tij nëFacebook, si njerëz të cilët jetojnë në një vend të shkretuar që kanë nevojë për ndihmë dhe drejtim nga Perëndimi.
Në artikullin e tij, duke e mirëpritur kthimin e Romano-s në Itali, Saviano i përshkroi fëmijët kenianë me të cilët ajo punoi si “të braktisur dhe të harruar”, e shkroi se ata ka të ngjarë të bëhen vetë luftëtarë të esh-Shebabit në mungesë të “shpëtimtarëve” perëndimorë si Romano. Duke e shpërfillur luftën e Kenias kundër grupit të armatosur, ai shkoi aq larg sa të thotë se “një grua e re europiane që arrin e paarmatosur për të qëndruar pranë fëmijëve” si Romano është “armiku i madh” i organizatave të tilla terroriste.
Kjo narrativë nuk është vetëm thjeshtëzuese dhe problematike, por po ashtu shpërudhëse dhe paternaliste. Ajo paraqet një imazh të dekontekstualizuar të rajonit dhe nuk e merr parasysh rolin që luajtën vetë europianët, dhe që vazhdojnë ta luajnë, në gjëmën në vazhdim në Bririn e Afrikës.
Vërtet, sipas një studimi të publikuar në vitin 2018, shumë nga fëmijët e mbetur jetimë në qendra të banuara keniane si Chakama nuk do të shkojnë në Somali për të luftuar për esh-Shebabin, por do të lëvizin me shumë mundësi për në vende turistike ndërkombëtare si Malindi, Mtwapa apo Mombasa për të nxjerrë jetesën. Kërcënimi më i madhe me të cilin do të ndeshen atje nuk do të jetë mundësia e radikalizimit, por futja në tregtinë e seksit. Duhet vënë në dukje se klientela kryesore e punëtorëve të seksit në këto rajone janë kryesisht turistët europianë të seksit, mes tyre italianë.
Mbulimi mediatik italian shpërfilli gjithashtu krimet e shkuara të Italisë në Afrikë. Ndërsa gazetat dhe kanalet televizive diskutuan rolin e luajtur nga Turqia në lirimin e Romano-s dhe deklaruan se vendi është tani “padroni i ri i Bririt të Afrikës”, ishte e dukshme nostalgjia e tyre për ato kohë kur Italia kishte pushtet mbi këto pjesë të Afrikës. Në këto artikuj nuk përmendej sigurisht katastrofa që shkaktoi sipërmarrja koloniale e Italisë në Bririn e Afrikës në shekullin e fundit.
Në mungesë të komenteve kritike dhe mendimeve përkatëse, një prej zërave të paktë jashtë korit ishte ai i autores somalezo-italiane Igiaba Scego, e cila e shfrytëzoi mundësinë për t’u kujtuar njerëzve se, “Italianët duhet të dekolonizohen nga imagjinata e tyre koloniale. Edhe në gjuhë ne mbartim shumë trashëgimi, jo vetëm të fashizmit, por të retorikës tipike të shekullit të nëntëmbëdhjetë.”
Nuk ka shumë për t’u fituar prej vënies në diskutim të motiveve të Romano-s për t’i hyrë një misioni ndihme vullnetare në Kenia pas përvojës së saj të dhimbshme tetëmbëdhjetëmujore dhe kthimit shëndoshë e mirë në shtëpi. Ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur për ta mbrojtur këtë grua të re prej sulmeve nga politikanë dhe media italiane të së djathtës, të cilët e bëjnë objektiv atë vetëm ngaqë ajo zgjodhi të konvertohej në një fe të cilën ata e shohin si “armiku”.
Megjithatë, nuk duhet të lëmë pas dore narrativat e dëmshme që disa figura dhe organizata mediatike liberale i përdorën në mbrojtjen e tyre të punonjëses së ndihmës.
Ndërsa nuk duhet ta pranojmë islamofobinë, qoftë në vjen nga figura të së djathtës apo nga feministe të njohura, duhet t’u kundërvihemi dhe ligjërimeve që i paraqesin miliona afrikanë si barbarë të cilët duhen shpëtuar nga perëndimorë altruistë.
Marrë nga Radio 1
Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/