Kryeministri në pritje i Kosovës Albin Kurti, u shfaq entuziast nga fakti se Kuvendi i ri i pas-zgjedhjeve të 6 tëtorit u konstituua, e ngërçi mes VV e LDK nuk çoi në bllokim institucionesh.
“Kuvendi është tempulli i demokracisë dhe ligjvënies. Prandaj, jam i bindur që me këtë hap kemi treguar një lloj qytetërimi demokratik sepse për dallim nga legjislatura e gjashtë, ne nuk kemi bllokuar konstituimin e institucioneve”, tha Albin Kurti. Ai shprehu bindjen se edhe mosmarrëveshjet me LDK-në do kapërcehen.
“Me dashamirësinë dhe me interesin e përgjithshëm para çfarëdo interesi tjetër besoj që do t’i tejkalojmë të gjitha pengesat dhe të kemi edhe qeveri të re ashtu siç patëm edhe Kuvend të ri”, tha Kurti, duke u treguar gjithashtu i kujdesshëm në komentet në lidhje me kreun e LDK-së Isa Mustafa.
“Ne jemi në kontakt të rregullt. Me siguri që do të kemi komunikim, bashkëpunim dhe takime”, tha Albin Kurti. /tesheshi.com/