Politika shqiptare reagoi dhembshurisht për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të gazetarisë shqiptare të pas 90-ës, ndër të tjeraq mjeshtrit të reportazheve, Fatos Baxhaku.
Presidenti Meta tha se “një nga pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90, Baxhaku spikati si një penë e mprehtë dhe kritike e tranzicionit shqiptar, por veçanërisht edhe si një nga autorët më të njohur të reportazheve të shkruara e dokumentarëve televizivë”.
“Fatosi u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për tridhjetë vjet me rradhë, duke e lidhur emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë!”,theksoi kreu i shtetit.
Kryeministri Rama e quajti ikjen e Fatos Baxhakut si humbjen e një miku të kohëve të vjetra.
“E pabesueshme, por fatkeqësisht jeta është edhe kjo, pa u zbutur një fije pikëllimi për Gjergj Xhuvanin, një tjetër mik i kohëve të vjetra, Fatos Baxhaku, njeri i mirë i librave e i gazetarisë së sojit më të mirë, që jetoi me një kuriozitet fëminor për natyrën njerëzore dhe me një dashuri pa zhurmë për brendinë e këtij vendi, sot e humbi betejën me sëmundjen cfilitëse…
Lamtumirë Baxhak!”, shkroi Rama.
Ndërsa Basha qe më politik në vlerësimet e tij.
“Fatos Baxhaku i përket asaj plejade gazetarësh që kontribuan më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej nga mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave okulte. Në këtë fushë Baxhaku spikati në mësimdhënien e gazetarisë, por edhe si një shembull integriteti profesional dhe pavarësie.
Pionier i reportazhit e dokumentarit televiziv, gazetaria shqiptare është me fat që pati për thuajse 30 vjet shërbimet e Fatos Baxhakut. Fatkeqësisht ato nuk do t’i ketë më, por do të shfrytëzojë si thesar trashëgiminë e tij”, shkroi Basha. /tesheshi.com/