Një det flamujsh të Turqisë pushtuan dje sheshin e Taksimit në Stamboll, ku një masë e jashtëzakonshme njerëzish protestuan kundër puçit ushtarak të ditëve më parë.
Manifestimi qe organizuar nga opozitarët e CHP-së, republikanëve, të cilëve do t’u bashkoheshin dhe mbështetësit e AKP-së, partisë në pushtet në Turqi.
Një nismë e rrallë kjo, shenjë e kundërshtisë së plotë së turqve ndaj grushteve të shtetit, prej të cilave kanë vuajtur në dekadat e fundit.
“Jo puçit, po demokracisë,” “Sovraniteti i përket vetëm popullit,” Ne mbrojmë republikën dhe demokracinë,” shkruhej në banderolat e manifestuesve.
“Ne jemi të gjithë bashkë sot në Taksim. Sot është dita që bëjmë historinë së bashku,” theksoi kryetari i CHP-së, Kemal Këllëçdarogllu, i cili mbajti fjalën në këtë manifestim.
Ndërsa përpjekja për grusht shteti e dhjetë ditëve më parë dështoi, rrugët e sheshet e qyteteve të Turqisë vijojnë të qëndrojnë të mbushura nga njerëzit në orët e mbrëmjes.
Për herë të parë ndasitë politike janë bërë të padallueshme, e retorika e ashpër mes partive politike ia ka lënë vendin thirrjes për bashkim.
Erdogani pret sot në pallatin presidencial krerët e dy partive politike opozitare për t’i falënderuar për qëndrimin e tyre të prerë kundër përpjekjes për grusht shteti. /tesheshi.com/