Nga Saimir Sulaj/ Uashington DC
Ndërtesa “Rayburn” e Kongresit amerikan gjendet në anën e djathtë të kompleksit të godinave të Capitol Hill-it, në pjesën që i takon Dhomës së Përfaqëuesve. Është mesditë dhe në katin e tretë të kësaj ndërtese, na pret në takim në zyrën e tij kongresmeni republikan, Dana Rohrabacher. Kur mbërrijmë te zyra, atë e gjejmë në paradhomë, duke biseduar me pjesëtarë të stafit. Na afrohet menjëherë e na takon dhe me një buzëqeshje prej babaxhani në fytyrë na shoqëron për te zyra e tij.
Muret e zyrës janë të veshura të tëra me fotografi. Ndër to mbizotërojnë foto të shkrepura të Presidentit amerikan Ronald Regan. Dana ka shërbyer për shumë e shumë vite për Reganin, qëkurse ky i fundit qe guvernator e më pas edhe President i SHBA-së. Rohrabacher ishte pjesë e stafit të tij të ngushtë dhe një prej shkruesve të fjalimeve të Regan. Na tregon me shumë zell dhe entuziazëm për ato kohë; bashkëpunimin me Reganin dhe për histori personale. Na tërheqin vëmendjen ato për historinë e fjalimit të famshëm të Reganit në Berlin në vitin 1987, përpara Portës së Brandenburgut, ku kalonte edhe muri famëkqe drejtuar ish-udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbaçov: “Tear down this wall Mr. Gorbachev” – “Rrëzojeni këtë mur zoti Gorbaçov”. Rohrabacher na rrëfen se kur e panë fjalimin paraprakisht, zyrtarët e Departamentit të Shtetit e hoqën këtë pjesë, pasi duke iu përmbajtur asaj që e quajnë korrektesë politike, i trembeshin pasojave të mundshme të kësaj fraze. Por Dana e riktheu sërish në fjalim këtë fjali, dhe Regani e lexoi fuqishëm. Kjo shënoi edhe nisjen e procesit që dy vite më vonë çoi në shembjen e atij muri.
Zoti kongresmen, faleminderit që pranuat të flisni për ne!
Kemi një situatë të fundit në Kosovë, në marrëdhëniet me Serbinë. Kemi trenin serb që tentoi të hyjë në veri dhe kemi arrestimin e ish-komandandit të UÇK-së, ish-kryeministër dhe deputet i Parlamentit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Çfarë mendoni për këtë situatë? Si mendoni se mund të zgjidhet ajo, tani kur jemi në vitin 2017?
Njerëzit duhet të angazhohen që t’i lënë pas ato barrikada që kanë penguar përparimin mes serbëve dhe kosovarëve. Nuk ka pasur angazhim të mjaftueshëm. Njerëzit janë bllokuar në atë që ka ndodhur 20 vjet më parë, duke lejuar që të vazhdojë një situatë e papranueshme dhe që të vazhdojë të ekzistojë. Populli i Kosovës dhe serbët gjithashtu, po vuajnë sepse ka kaq shumë mundësi që të bëhen gjëra që të ecet më mirë, por askush nuk ka pasur vullnetin që të merret me thelbin dhe që të kuptohet që tashmë Kosova është një shtet i pavarur, sepse populli i Kosovës nuk donte që të ishte pjesë e Serbisë. Serbët duhet të kuptojnë se shqiptarët kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Kosovarët duhet të kuptojnë gjithashtu se në ato zona, që janë pranë kufijve me Serbinë, nëse shumica dërmuese e popullsisë janë serbë, ata duhet t’i bashkohen Serbisë. Gjithashtu edhe shqiptarët që janë pjesë e Serbisë, dhe që nuk duan të jenë, duhet të jenë pjesë e Kosovës, në vendin e tyre. Pra, ne duhet të përballemi me këto çështje thelbësore dhe të tregohet paksa vullnet i mirë mes Serbisë dhe Kosovës. Unë mendoj se tani ka ardhur koha, kur kemi një President të ri të SHBA-së, i cili ka vullnetin të shohë dhe të mbështesë krijimin e qasjeve për zgjidhjen e këtyre problemeve që zgjasin prej shumë kohësh dhe tashmë ka ardhur koha që ne të veprojmë.
Shqipëria dhe Kosova presin shumë nga Amerika. Si mendoni, këto pritshmëri të këtyre dy vendeve, janë reale tashmë që Trump është President i SHBA-së?
Mendoj që ajo që njerëzit në atë pjesë të botës duhet të dinë, jo vetëm shqiptarët dhe kosovarët, por edhe serbët dhe të tjerët në rajon, që ne kemi një mundësi me këtë President, që të marrim atë çka ka ngrirë në realitetin e 20 viteve të fundit dhe të bëjmë ndryshimet e nevojshme. Në këtë mënyrë, të rinjtë do të kenë mundësi më të mira ekonomike. Rajoni duhet të ecë me hapin e duhur aty ku ndodhet pjesa tjetër e botës dhe të çlirohen nga këta stereotipe të mbetjes pas në kohë, siç janë ato se përse Kosova po pavarësohet dhe Jugosllavia po shpërbehet. Po. Ne kemi disa mundësi tani dhe duhet t’i kapim ato. Hapi i parë duhet të jetë ndryshimi i kufijve, rregullimi i kufijve në hartën e tanishme, në mënyrë që serbët të jetojnë në Serbi, kur është e mundur dhe kosovarët të jetojnë në Kosovë, kur është e mundur.
Në këtë pikë, çfarë mendimi keni për shqiptarët në Maqedoni? Ka shumë shqiptarë në Maqedoni. Edhe më shumë nga sa ka serbë në Kosovë, apo shqiptarë në Serbi. Mbase 40 për qind e qytetarëve të Maqedonisë janë shqiptarë. Pra, çfarë mendoni për këtë? A duhet që ata të bashkohen me shqiptarët, që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet, nëse u dashka që të ndryshojmë kufijtë?
E urrej ta them këtë, sepse kjo do të bëjë që të gjithë të tërbohen me mua, por pse jo dreqi ta hajë… Qëndrimi im është që Maqedonia nuk është një vend. Më vjen keq por nuk është një shtet. Ata janë kaq të ndarë, sa kurrë nuk do të jenë në gjendje që të shkojnë mirë së bashku. Prandaj, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të bëhen pjesë e Kosvës. Ndërsa pjesa tjetër e Maqedonisë duhet të bëhet pjesë e Bullgarisë apo çfarëdo vendi tjetër me të cilët ata pretendojnë se kanë lidhje. Ideja që do ta mbajmë Maqedoninë gjallë sepse dikush, 30 vjet më parë vendosi që ky është konfigurimi që duhet të dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë, nuk çon në një arsyetim që kjo ide të mbahet ende.
A mendoni që administrata e re amerikane do ta nxisë këtë?
Nëse unë do të luaj një rol të madh në këtë, ata do ta nxisin këtë proces. Në të kundërt, ata nuk do ta bëjnë. Unë kam ndikim në politikbërësit amerikanë tani. Jam kryetari i Komitetit të Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve që merret me atë pjesë të botës. Ne do të kemi seanca dëgjimore në muajt në vijim. Një nga çështjet që do të diskutojmë është ndryshimi i kufijve në mënyrë që ata të kenë kuptim dhe të sjellin paqe në Ballkan.
Duke qëndruar tek çështja Haradinaj, çfarë mendoni se do të ndodhë me të dhe sa e rrezikshme është që Serbia të angazhohet në veprime të tilla që mund të përhapin konflikte të reja në Ballkan?
Unë mendoj se përpjekjet për të kthyer në vëmendje krime që janë kryer gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë është joproduktive. Veçse do të krijojë më shumë probleme dhe do të prishë paqen. Dhe nëse prishet paqja, do të vriten më shumë njerëz. Ne nuk e duam këtë. Ka ardhur koha që ato dosje të mbyllen. Unë e mbaj mend Ramushin, e di kush është ai. Ai ishte një udhëheqës trim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jam i sigurt që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer ca krime që zakonisht ndodhin gjatë kohëve të luftërave. E di gjithashtu që serbët kanë kryer shumë më shumë krime. Këto ndodhin kur ke të bësh me këto lloje konfliktesh. Është më mirë për ne që të mos ndalemi tek këto. Të mbyllim këto libra dhe të nisim të shohim drejt së ardhmes, në vend që të përpiqemi që të gjëjmë gjëra të mëdha, por që do të bëjnë që të urrejmë njëri-tjetrin, për hir të së shkuarës.
Kongresmeni DioGuardi ka punuar me ju gjithashtu që të shkohet drejt zgjidhjes së rastit Haradinaj apo jo?
Unë flas me shumë njerëz dhe Joe DioGuardi është një prej tyre. Ai është një prej njerëzve me të cilët flas shpesh dhe është një mik i mirë imi. Ai është ish-kongresmen dhe ne i marrim shumë në konsideratë mendimet e tij.
Duke parë në të shkuarën tuaj, ju keni përvojë në ndalimin e agresionit rus në Afganistan. Çfarë mësimesh nxirrni nga ajo përvojë, e cila mund të përdoret sot dhe si e shihni përhapjen e ndikimit rus në Ballkan?
Kur unë isha në Afganistan dhe gjatë kohës që kam shërbyer për Presidentin Regan, ne po luftonim kundër Bashkimit Sovjetik. Nuk po luftonim Rusinë. Po luftonim komunizmin. Nuk po luftonim kulturën ruse. Ne po luftonim komunizmin që donte të instalonte diktaturat gjakatare. Ata donin të rrëzonin demokracitë dhe t’i zëvendësonin me diktatura të egra, bazuar mbi një filozofi marksiste-leniniste. Por ata u tërhoqën. Bashkimi Sovjetik u tërhoq. Bashkimi Sovjetik dhe komunizmi dështuan sepse ishin djallëzorë. Prandaj nuk funksionoi. Sot, nëse Rusia ka më shumë ndikim në Ballkan, nuk më shqetëson aspak. Përse duhet të shqetësohem. Rusia është porsi çdo vend tjetër. Dhe nëse ata janë aty, duke ndihmuar për të ndihmuar të ndërtohen shkolla apo projekte në shëndetësi a energjitikë, është diçka pozitive. SHBA duhet të bëjë të njëjtën gjë gjithashtu, me prezencë aty. Bizneset amerikane dhe njerëz nga e gjithë bota duhet të shkojnë e të investojnë. Arsyeja përse fatkeqësisht nuk po e bëjnë, është sepse kemi këtë konflikt që s’po ndalet mes serbëve dhe fqinjëve. Ne duhet ta pushojmë atë konflikt. Po të ishte për mua, do të sugjeroja që kjo zonë e republikave të ish-Jugosllavisë, të kenë një zonë të tregtisë së lirë përmes të cilave të krijonin vende pune, që jo vetëm rusët të shkojnë e të investojnë, por njerëz nga e gjithë bota. Më duhet ta them se shqiptarët kanë një nga vijat bregdetare më të mrekullueshme në botë dhe arsyeja përse nuk po zhvillohet siç duhet, është kjo paqëndrueshmëri. Pra, le ta zgjidhim këtë situatë në Kosovë dhe besoj se në atë pikë, shumë nga armiqësitë që ekzistojnë mes shqiptarëve dhe serbëve do të shuhen. Në atë mënyrë do të gjenden edhe njerëz që duan të investojnë. Nuk jam i shqetësuar për praninë e rusëve ashtu siç nuk shqetësohem për të tjerët.
Vitin e kaluar ju publikuat çështjen e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për t’u përpjekur që të merrte pjesë në një mbrëmje për mbledhje fondesh të Partisë Demokrate në SHBA, në mënyrë që të takohej me Presidentin Obama. U zbulua se një pagesë e paligjshme ishte bërë dhe çështja u vu nën hetim. Çfarë mendimi keni për këtë tashmë?
Unë isha i informuar. Disa njerëz po përpiqeshin të bënin disa gjëra që nuk ishin etike.
Jam i lumtur që isha në gjendje që të paktën të tregoja. Nuk ka rëndësi se kush e bën këtë dhe cilës palë politike të Shqipërisë i përket. E rëndësishme është që këtu në SHBA nuk mund të kemi këtu njerëz që vijnë dhe luajnë ato lloj lojërash. Dhe ta bëjnë këtë të duket sikur janë amerikanë mbështetës të një partie politike apo një tjetre. Kjo thjesht nuk funksionon këtu. Jam i lumtur që isha në gjendje që të tërheq vëmendjen e njerëzve; ta sjellim përgjegjësin para drejtësisë dhe të japim mesazhin që këto gjëra nuk bëhen.
Kryeministri Edi Rama ishte mjaft kritik ndaj Presidentit Trump gjatë fushatës zgjedhore këtu në SHBA. Tani që Trump ka fituar zgjedhjet dhe është President, çfarë duhet t’u thotë qytetarëve të tij zoti Rama?
Gjëja e parë që ai duhet t’u thotë shqiptarëve është që “Trump ka fituar zgjedhjet”. Trump ka fituar. Ai është President. Tani është koha që të bëhen marrëveshje dhe të mundohemi të shohim se cila është gjëja më e mirë që mund të bëjmë apo përmbushim me këtë njeri si President. Jo të përgjigjemi në mënyrë armiqësore, duke thënë se ne nuk na pëlqen ai apo ai nuk na pëlqen ne. Por të gjejmë diçka që ne mund ta bëjmë dhe që Trump do që ta bëjë dhe le të punojmë të gjithë për këtë. E njëjta gjë si ne me rusët. Ne nuk duhet të shohim se si t’i godasim me grusht. Ne duhet të shohim se si mund të punojmë me këta njerëz në mënyrë që të përfitojë gjithsecili. Mendoj që Shqipëria ka shumë për të ofruar sepse shqiptarët janë një ndër vendet e botës që mund të na ndihmojnë drejt një marrëdhënie pozitive me myslimanë. Në Shqipëri, në fakt, njerëzit nuk janë të përfshirë thellësisht në fe por ajo është kultura e tyre prej shumë brezash. Është pozitive që ne mund të kemi marrëdhënie shumë të mira me grupe popullsie që e konsiderojnë veten muslimanë.
Si është jeta në Kongres, tashmë që Presidenti Trump është në Shtëpinë e Bardhë?
Për mua është shumë emocionuese sepse Trump dhe unë kemi shumë mendime të njëjta. Trump kërkon t’i shkundë gjërat. Ai nuk është aty për të marrë pjesë në festa të bukura dhe festime. Ai është aty për të shkundur establishmentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe ne kishim nevojë për këtë. Jam i lumtur me të sepse shpresoj se ai do t’i shkundë gjërat.
A e mbështesni urdhrin e tij ekzekutiv për ndalimin e përkohshëm të udhëtimeve?
Po.
Zoti kongresmen, shumë faleminderit! /tesheshi.com/