Presidenti turk dhe ai amerikan kanë patur sot një bisedë telefonike, gjatë së cilës është folur për tentativën për grusht shteti, si dhe në lidhje me pozitën e klerikut Fetullah Gylen.
Ka qenë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, që ka hedhur dritë mbi temën e bisedës mes dy personaliteteve.
Eshtë pohuar se Turqia ka dorëzuar tashmë një kërkesë zyrtare për ekstradimin e Gylenit, të akuzuar për organizimin e puçit të 15 korrikut, e se administrata amerikane është e gatshme të japë gjithë ndihmën e nevojshme për hetimin e grushtit të shtetit.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë pohoi se materialet e qeverisë turke ishin dorëzuar në formë elektronike e se ato po shqyrtoheshin.
Pak pasi kryeministri turk, Binali Jëlldërëm, deklaroi se janë dorëzuar katër dosje për ekstradimin e Gylenit, Turqia kërkoi nga SHBA-të ndalimin e përkohshëm të Fethullah Gylenit. /tesheshi.com/