Ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje në Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi, dhe sipas tyre gjithçka është me standarde ndërkombëtare.
Kështu, ka deklaruar presidentja e vendit Atifete Jahjaga në një konferencë për media.
Jahjaga, më tej tha se Raporti i Komisionit përbënë një vlerësim të pavarur në përputhje me mandatin e ekspertëve dhe të Komisionit, duke shtuar se ky proces është dashur të jetë më transparent, siç e kërkon praktika evropiane përfshirë familjarizimin e publikut kosovarë me procesin e vendosjes së kufirit, hartat dhe gjetjet gjeodezikë.
“Ky komision i thirrur dhe i zgjedhur nga unë, gjatë punës së tij ka biseduar me një spektër të gjerë profesionistësh, qytetaresh, dhe udhëheqës partik e institucional. Ftoj institucionet dhe spektrin politikë që të reflektojnë këto vlerësime dhe rekomandime“, shtoi Jahjaga, e cila ad-hoc e kishte thirrur këtë komision ekspertesh të huaj.
Ekspertë e huaj: Demarkacioni bazuar në ligjet e Kosovës
Fletcher Burton, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Demarkacion ka deklaruar se nga studimi që i kanë bërë dokumentacionit kanë ardhur në përfundim se Komisioni Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi është bazuar në ligjet e Kosovës.
“E di që debati për kufijtë mund të jetë shumë i vështirë. Kam përvoja personale në këtë pikë. Jam i familjarizuar me dokumentet dhe jam i kënaqur që bashkë me kolegët e mijë kemi qenë në këtë mes dhe këtu kemi bashkëpunuar dhe kemi kryer një punë të përbashkët. Këto javët e fundit kemi takuar palët që i kanë shfaqur pakënaqësitë. Kemi sjellë ekspertizën profesionale. Kemi takuar akademikët, profesionistët, kemi folur lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kemi diskutuar edhe me qytetarë të shqetësuar, sidomos me persona ku jetojnë në rajonin ku po bëhet demarkacioni, bashkë me ekspertët tjerë kemi udhëtuar edhe vetë për të parë kufirin dhe kemi marrë përshtypjet e dorës së parë. Është një proces i rëndësishëm. Kemi sjellur perspektivën ndërkombëtare; kemi marrë parasysh rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës në këtë raport; dhe, fokusi jonë ka qenë bazamenti ligjor i kësaj çështje”, ka thënë ai.
Eksperti gjerman i Gjeodezisë, Herbert Wilmes, ka shpjeguar ekspertizën e komisionit në vlerësimin e demarkacionit. Ai tha se Komisioni ad-hoc ka zbatuar praktikat ndërkombëtare të dëshmuara në vendet tjera.
“Dy komisionet shtetërore, ai i Kosovës dhe ai malazez kanë aplikuar teknikat me të mira, si GSS ose GPS, të cilat kanë mundësuar që në mënyrë gjeodezike të përcaktohet çdo milimetër i kufirit. Neve na është dashur që t’i kombinojnë koordinatat me hartat gjeografike. Vija kufitare e cila është prezantuar është bazuar në informatat të sakta. Vija më e lartë është vija administrative e cila është e Krahinës Autonome të Kosovës dhe në nivelin dytë janë përdorur vijat e kufijve komunalë në të dy anët e kufirit dhe niveli i trete janë përdorur informatat kadastrale”, ka pohuar ai.
Eksperti britanik, Fred Newton, i pyetur nëse kundërshtimi i opozitës për demarkacion ka rënë poshtë, ka thënë se procesi në vetvete ka qenë i saktë dhe është mbështetur në të dhënat kadastrale të cilat shkojnë deri në vitin 1930.
“Nuk ka bazë për atë se çfarë na është thënë nga disa njerëz, ose na është këshilluar nga ata. Ne nuk kemi gjetur asgjë e cila do të kontradiktonte raportin. Ka gjetje se Mali i Zi nuk ka hyrë në territorin tuaj. Procesi në vetvete ka qenë i saktë dhe është arritur nga puna e komisionit dhe komunave. Kjo ka qenë e mbështetur në të dhënat kadastrale të cilat shkojnë deri në vitin 1930”, ka thënë Newton
Opozita e bashkuar: Do ta kundërshtojmë vendimin
Vlerësimi i dhënë nga ekspertët e huaj se Demarkacioni është në rregull, ka bërë që të reagojë fuqishëm opozita e bashkuar kosovare dhe njohës të fushës së shënjimit të kufirit.
Opozita e Bashkuar përmes një kumtese thotë se që nga krijimi i komisionit të ri për demarkacionin me Malin e Zi ka shprehur skepticizmin dhe kundërshtimin e saj, për shkak se ky komision nuk përmbante asnjë ekspert vendor dhe në anën tjetër, kishte përcaktuar që metodën e punës ta kishte të njëjtë me atë të komisionit paraprak.
“Një komision që nuk përmban ekspertë vendorë dhe që ka metodë të njejtë me komisionin e kaluar, nuk kishte se si të sillte rezultate të ndryshme nga ai”, thuhet në kumtesë.
Më tej opozita e bashkuar vlerëson se të gjeturat e këtij ekipi ndërkombëtarë, janë vlerësime që janë bërë për nevojat e Presidentes dhe si të tilla nuk mund të kenë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi..
“Kufijtë e Kosovës mund t’i caktojë vetëm një Komision kredibil shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumenta valide, metodologji adapte të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personave prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë”, thuhet në kumtesë.
Kufiri i Kosovës me Malin e Zi, sipas opozitës së bashkuar, është në Çakorr dhe në Kullë të Zhlepit, dhe pavarësisht vlerësimit të tre ekspertëve ndërkombëtar, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, nuk është i pranueshëm për opozitën dhe qytetarët dhe do të kundërshtohet pa kompromis.
“Mbi 205 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër këtij demarkacioni dhe vullneti i tyre nuk është marrë parasysh as nga presidentja e as nga ky ekip”, thuhet më tej nga opozita e bashkuar, duke shtuar se argumentet e paraqitura nga ky ekip ndërkombëtarë se demarkacioni me Malin e zi është një proces legal e ku nuk ka pasur s’përputhje ndërmjet dy komisioneve shtetërore, nuk qëndrojnë, sepse edhe në një proces legal, e ku nuk ka as s’përputhje, mund të behën zgjidhje jolegale, siç ka ndodhur me rastin e Kosovës me Malin e Zi.
“Kosova nuk ka territore për të falur dhe tërësinë e saj territoriale do ta mbrojmë pavarësisht vendimeve të tilla”, thuhet në fund të kumtesës.
Eksperti vendor Shpejtim Bulliqi: Kam pritur një vendim të tillë
Shpejtim Bulliqi, profesor i gjeografisë, ka thënë se e ka pritur një konkludim të tillë çfarë sot e prezantoi Komisioni Ndërkombëtar për Demarkacion me Malin e Zi.
Sipas tij, formimi i komisionit është bërë në mënyrë të tillë që rezultati të mos jetë tjetër, ndërsa është shprehur i habitur me procedurat e ndjekura nga ai.
“Nuk është pritur diçka ma tepër nga ana e këtij komisioni, pasi vetë formimi i tij është shkuar në atë formë që të vije ky rezultat. Vendimi që thotë se është në rregull, të gjitha faktet që i kemi hulumtuar e thojnë të kundërtën, na është thënë edhe nga ky komisioni sepse nuk do të shkojmë në substancë vetëm do ta vlerësojmë procedurën, kështu që ka qenë e pritshme kjo”, tha Bulliqi për Klan Kosova.
Murat Meha: Kam qenë i bindur në punën time
Më i lumturi me vendimin e Komisionit Ndërkombëtarë është padyshim kryetari i Komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, Murat Meha i cili në një deklaratë për media ka thënë se e ka pritur këtë vendim.
“Unë kam qenë i bindur në atë që është bërë nga komisioni për demarkacion të kufijve. Kemi qenë edhe të bindur në punën që është bërë. Vlerësimi i ndërkombëtarëve mbi këtë për ne është edhe lehtësim dhe vërtetim i punës sonë. Këtë fakt e kemi thënë edhe në çdo herë”, ka thënë Mehaj për Express.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka thënë se Komisioni ndërkombëtar rikonfirmoi se Kosova, as nuk ka humbur as nuk ka falur tokë.
Përgatiti: Blendi Gashi – /tesheshi.com/