Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shprehu shqetësimin për vonesat në furnizimin e barnave, anestetikëve, infuzioneve dhe materialit tjetër shpenzues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës-QKUK.
KOMF shpreh shqetësimin sidomos për mungesën për një kohë të barnave në Klinikën e Pediatrisë, Pediatrisë Intensive dhe Repartin e Hematologjisë, ku mungesa e terapisë së nevojshme për fëmijët mund të sjellë pasoja katastrofale madje dhe vdekjeprurëse për fëmijët dhe shëndetin e tyre.
KOMF kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të ndërmarr veprimet e nevojshme për sigurimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të barnave, anestetikëve, infuzioneve dhe materialit tjetër shpenzues në QKUK, për të garantuar që këto barna esenciale të mos mungojnë asnjëherë në repartet e lartpërmendura.
“Fëmijët kanë të drejtën për të gëzuar një gjendje shëndetësore sa më të mirë dhe për të përfituar nga shërbimet për trajtimin e sëmundjes dhe riaftësimin e shëndetit”, thuhet në reagim.
KOMF thekson se të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për fëmijët e garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për Shëndetësi. /tesheshi.com/