OKB do të zbatojë rezolutën 1244 për Kosovën dhe nuk do të ndryshojë qëndrim. Komentet e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç pas debatit në OKB, fokusohen tek siguria që sipas tij, ka dhënë sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon se zbatimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit do të mbetet në qendër të politikës së OKB-së ndaj Kosovës.
Mediat në Beograd citojnë Daçiç të ketë thënë se Ban Ki-moon ka deklaruar se misioni i UNMIK-ut në Kosovë, e cili tani do të udhëhiqet nga një diplomat i ri, do të përmbahet në mënyrë të vendosur me Rezolutën 1244.
“Kjo është shumë e rëndësishme për ne, sepse ne besojmë se OKB-ja duhet t’i përmbahet dokumentit të vetëm të vlefshëm ndërkombëtar për Kosovën”, ka thënë Daçiç, duke theksuar se dokumenti është neutral ndaj statusit dhe si pasojë parandalon të gjitha lëvizjet e njëanshme nga Prishtina. /tesheshi.com/