Këshilli për Mbrojtjen dhe Liritë e të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ) e ka cilësuar cenim të integritetit territorial dhe shkelje të sovranitetit të Kosovës festimin e Shën Vidit në Gazimestan gjatë ditës së djeshme.
“Serbia e ushtron sovranitetin 100% kurse institucionet e Kosovës e ushtrojnë këtë sovranitet 0%. Paraprakisht e sollën dhe e mbollën Car Llazarin në veri të Mitrovicës që e kanë spastruar nga shqiptarët dhe jo serbët”, thuhet ndër të tjerash në reagim.
Ky këshill, kritikat më të mëdha i ka pasur për përfaqësuesit serbë në Qeverinë e Kosovës, të cilët dje morën pjesë në shënimin e kësaj feste serbe në Kosovë.
KMLDNJ madje tha se, duke parë se si po veprojnë ata, dhe se si shteti i Kosovës nuk po vepron karshi këtyre veprimeve, “lehtë mund të ndodhë që edhe Nikoliqi, Vuçiqi, Vulini, Daciqi dhe të tjerë nesër të bëhen ministra të qeverisë së Kosovës; të këtij kryeministri apo ndonjë kryeministri tjetër”. /tesheshi.com/