Duke iu referuar një raporti të DASH pak ditë më parë, kreu demokrat Basha shkruan se situata ekonomike, veçanërisht ajo e biznesit, është e atillë sa nuk fshihet dot.
“Është alarmante situata e investimeve të huaja në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti, shifra e rënies së investimeve është 100 milionë euro.
Çuarja e ekonomisë shqiptare buzë greminës së falimentit, është një nga shqetësimet kryesore të pasqyruara në raportin e përvitshëm të DASH, që rendit si arsye korrupsionin e qeverisë shqiptare, shkatërrimin e tregut dhe konkurrueshmërisë nga PPP-të, ligjet abuzive në lidhje me pronat dhe gjithashtu konçesionet korruptive. Asgjë nuk e fsheh dot më rritjen e varfërisë dhe papunësisë, ekonominë e rrënuar dhe largimin masiv të shqiptarëve.
Çdo raport ndërkombëtar flet qartas për mungesën e klimës pozitive për biznesin dhe investimet e huaja”, pretendon njeriu në krye të opozitës.
Basha thotë më tej se ai do mund ta zgjidhë këtë situatë.
“Në këto kushte, një nga angazhimet e mia parësore, është që t’i kthej shqiptarëve mundësinë e tregut të lirë dhe frymëmarrjen konkurrencës së ndershme në çdo sektor të ekonomisë.
Lufta kundër korrupsionit, anullimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze, që bashkë me zhvillimin ekonomik do të sjellë dhe rritjen e numrit të vendeve të reja të punës me paga dinjitoze”, shkruan kreu i opozitës. /tesheshi.com/