Nga Gani Gashi
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame dhe njëkohësisht Imam i xhamisë qendrore Isa Beg në Mitrovicë, prof Mulla Asllan Murati, ka reaguar kundër deklaratës dhe qëndrimit të Igumenës Makarija, të Manastiri të Sokolicës në Boletin.
Makarija është ngritur kundër pranimit të Kosovës në UNESCO, ku ka deklaruar ditë më parë në media se: “pranimi i Kosovës në UNESCO, është absurditet që mund të ndodhë; në Kosovë nuk ekziston asnjë monument i kulturës shqiptare”.
Sipas Makarijes, në Kosovë ekzistojnë vetëm dy monumente të Islamit nga periudha Osmane: Tyrbja e Sulltan Muratit në Gazimestan dhe Xhamia e Sinan Pashës në Prizren.
Dhe pas këtyre deklarimeve, ka ardhur reagimi i Mulla Asllanit:
“Makaria sikur ka harruar apo nuk e di se në Kosovë ekzistojnë mase 800 objekte të kultit fetar Islam – Xhamia, e disa prej tyre janë monumente historike si: Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut, Xhamia e Sulltan Muratit në Prishtinë dhe Xhamia Bajrakli në Prizren ku është mbajtur lidhja e Prizrenit më 1878; pastaj Xhamia e Hadum Agës në Gjakovë, Xhamia e Ali Beut në Vushtrri; të gjitha këto që prej shekullit XV. Makarija ka harruar ose nuk do ta dijë se në Mitrovicë ka ekzistuar Xhamia Isa Beg në qendër të qytetit e cila është ndërtuar qysh në vitin 1462, të cilën e ndërtoi Isa Beu, Xhaminë, Medresenë, Internatin dhe Sahat-Kullën e cila ka funksionuar deri në vitin 1926, kur komandanti i xhandarmërisë serbe Petar Kujunqiqi dhe Pera Daniqi e dogjën”.
Dhe sipas Mulla Asllanit, “kjo nuk është për t`u çuditur sepse djegia dhe shkatërrimi i xhamive ka qenë traditë e popullit serb”, ka thënë ai.
E më pas, nga Kosova kleriku mysliman ka vijuar t`i ofrojë kolegut të tij ortodoks serb, bilance nga vendi i tij, Serbia: “Dihet fare mirë se serbët pas viti 1918 në Beograd i shkatërruan 270 xhami, në Uzhicë 10 xhami, në Kralevë 12 Xhami, në Smederevë 8 xhami, e mos të flasim për Sanxhakun e Nishit ku me dhunë janë shpërngulur 716 fshatra vendbanime shqiptare.
E tëra ka ndodhur pas Kongresit famëkeq të Berlinit 1878, ku janë shkatërruar çdo gjë që ka qenë shqiptare dhe islame, siç janë Xhamia, varrezat etj.
Edhe në luftën e fundit 1998-1999 në Kosovë janë djegur dhe shkatërruar 218 xhami, dhe janë vrarë 32 imamë”, përkujton ai, që vijon më tej:
“E sa i përket luftës së fundit ku Makarija thotë se janë shkatërruar dhe plaçkitur 250 objekte të kultit ortodoks, unë i them se ku gjenden këto objekte, ku dihet se në Kosovë janë mase 30 komuna, ku në çdo qytet të Kosovës nuk ka më tepër se dy kisha; prandaj Makarija edhe që thotë se 250 kisha janë shkatërruar, kurse ministri i Serbisë thotë se janë shkatërruar mase 300 objekte të kultit Ortodoks, cila është e vërteta, asnjëra e as tjetra. Kjo është një gënjeshtër e kulluar, por nuk më habit fakti se gënjen ministri i Serbisë, sepse baba i kombit serb Dobrica Qosiqi, ua ka lan amanet gënjeshtrën kur ka thënë se gënjeshtra është gjest patriotik, mirëpo është për të çuditur me Makarija e cila është me petkun fetar e mbështjell me gëzof (lëkurë) të dhelprës kurse brenda ujk”.
Duke bërë këdo deklarime, Mulla Asllani ka kërkuar që për çdo kishë të shkatërruar të vërtetojnë se ku gjenden dhe fotografitë e tyre, kurse ai nga ana e tij, është i gatshëm t`ua paraqet librin me fotografi me 218 xhami të shkatërruara në Kosovë gjatë luftës së fundit, nga Makarija e njerëzit e saj.
“Nuk ka qenë traditë e shqiptarëve me i shkatërruar objektet e kultit fetar. Ju Makarije e dini se shqiptarët e kanë ruajtur Manastirin e Deçanit e Manastirin e Deviqit gjatë periudhës osmane, ku edhe sot ato familje që i kanë ruajtur manastiret quhen vojvodë.
Sa i përket shkatërrimit të kishave gjatë luftës së fundit, shqiptarët këtë e mësuan prej popullit serb, sepse ju më parë i shkatërruat 218 xhami gjatë viteve 1998-1999. Shqiptarët kanë pasur kohë pesë vite që të hakmerren dhe ti shkatërrojnë kishat ortodokse, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ndërsa prapë ju me 16 prill 2004 e dogjët Xhaminë Bajrakli në Beograd dhe Xhaminë Hajdar Pashë në Nish, dhe kjo i provokoi shqiptarët që t`i shkatërrojnë disa kisha”, është justifikuar kështu kleriku më i lartë i Mitrovicës lidhur me indcidentet e vitit 2004 ku një valë zemërimi shqiptar çoi në zjarr disa objekte kulti ortodokse serbe.
Dhe ja se e ka vijuar arsyetimin e tij Mulla Asllani: “Arsyeja tjetër ka qenë se Kisha gjatë luftës nuk e kanë kryer funksionin e tyre, por ka shërbyer si vendstrehim i paramilitarëve dhe kriminelëve, e këtë e vërteton më së miri që pranë Manastirit të Deviqit që pas luftës u gjenden 6 kufoma të shqiptarëve, ku janë masakruar në Manastir. Ky Manastir edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ka shërbyer si kamp përqendrimi apo kasaphanë kundër popullit shqiptar, duke detyruar më pas shqiptarët e Drenicës që ta djegin këtë Manastir; dhe se kur i kanë pyetur pse e keni djegur Manastirin ata janë përgjigjur: Ne Manastirin e kemi ruajtur me shekuj të tërë, por tani e kam djegur sepse ka shërbye si burg dhe kasaphanë”.
Kleriku mysliman ka përdorur më pas dhe argumenta diplomatike lidhur me deklarimet e Igumenës Makarija që i bëri thirrje qeverisë së Serbisë që të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për ta penguar Kosovën që mos të pranohet në UNESCO: Makarija ka harruar se Republikën e Kosovës e kanë njohur deri më tani 108 shtete më me influencë në gjithë botën, dhe se së shpejti do të pranohet në OKB .
Ju duhet të pajtoheni me realitetin dhe se duhet të këndelleni por se keni lehtë sepse ju ka zënë gjaku i shqiptarëve: ju duhet ta dini se ka kalua koha e ilija Garashaninit,Vlladan Gjerqoviqit dhe Vasa Qubrulloviqit, tani Kosova është krejt tjetër.
Por sakaq, kleriku kosovar ka tentuar ta sfidojë klerikun serb dhe në planin teologjik e atë historik: “Makarija thotë se Car Dushani e ka përgatitur një kishë në Prizren dhe vendin për varr të vet dhe të familjes, por ai është dashur ta dinë se toka e Kosovës nuk i pranon kriminelët, dhe se mirë dihet se Car Dushani në kodin e vet të vitit 1943 nenin 10 ka paraparë se kush nuk e pranon ritin ortodoks duhet me skuq hekurin ne zjarr dhe me ja djegë fytyrën. Car Dushani është dashur të përgatit vendin për varr prej nga ka ardhur përtej Karpateve. Mua nuk më çudit sjellja e Car Dushanit, Garashaninit e Gjerqoviqit e Vasa Qubrelloviqit e Dobrica Çosiqit e Millosheviqit, mirëpo më çudit sjellja e klerit të Kishës Ortodokse të cilët kanë rënë pre e politikës ditore, dhe i kanë harruar Porositë e Isait a.s ,(Jezusit) ku ai ka thënë: “Nëse dikush të bie shuplakë në njërën faqe, t`i ktheja edhe faqen tjetër”, “Lutuni për armiqtë tuaj”.
Makarija në vend që të lutet që Kosova sa ma parë të pranohet në UNESCO, ajo e quan absurd ma të madh pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Ju klerikët e Kishës Ortodokse gjithmonë i keni nxitur politikanët që të luftojnë kundër popujve fqinjë, duke ëndërruar në Serbinë e madhe, edhe Millosheviqi e keni bekuar dhe i keni thënë ecë përpara se Zoti është me ne, por kur NATO-o ju bombardoi, Millosheviqi i tha kreut të Kishës ne Beograd: “Pse me thoshit se Zoti është me ne, dhe tani shikoni se çfarë u bë, dhe më nuk do të ju besoi kurrë. Ju që jeni nën petkun fetarë duhet të pendoheni, dhe ju me gjithë popullin tuaj duhet të kërkoni falje për krimet që i keni bërë në Bosnje, Kroaci e Kosovë, mirëpo nuk mjafton vetëm kërkim falja verbale, por duhet paguar dëmin e luftës. Ju e dini se populli shqiptarë është autoktonë në vendin e vet qysh prej Pellazgëve Ilirëve, Dardanëve, qysh para 3000 vjetëve kanë jetuar në këto troje, kurse ju populli serb në Ballkan keni ardhur në vitin 616 shekullin e VII, keni kaluar Danubin dhe keni ardhë në Beograd. Sot kemi familje në Mitrovicë qe e mbajnë mbiemrin Beligradi, Nishliu, Kurshumlia, Kostanica, Pllana, Kastrati etj, nga vendet nga kanë ardhur në Kosovë, pra që ju serbët i ndoqët dhe i vratë.Sa i përket manastirit të Sokolocës, në Boletinit, ai është ndërtuar në pronën e Babës së heroit kombëtar Isa Boletini, ku babai i Isës, kishte një rroktarë, i cili punonte te Adem Boletini, ku një ditë prej ditësh ai rrogtari serb i thotë Adem Boletinit, kam parë ëndërr që këtu të bëjë një vend për lutje, dhe ai e lejoi, e ndërton një kasolle të vogël.
Pas luftës së Parë Botërore, pas viti 1919 pas vrasjes në pabesi të Isa Boletinit në Podgoricë, në vitin 1916 ju uzurpuat pronat e Isës dhe e morët edhe ujin nga çeshma e Isa Boletinit dhe e çuat në kishë.Gjithashtu ju e keni marr-vjedhur edhe pikturën e Marisë nga kisha Katolike Sase në Trepçe dhe e keni vendosur në kishën tuaj.
Ju fare mirë e dini se në kishat ortodokse ka afreska e nuk ka piktura, kurse në kishat katolike ka piktura. Ju e dini se tani është rinovuar në jug të Mitrovicës konaku i Kishës dhe kapela te Varrezat serbe në jug, shqiptarët nuk kanë reaguar pse po rinovohen objektet e kultit Ortodoks, kurse ju nuk qe 16 vite që e keni shkatërruar Xhaminë e Ibrit deri në themel, dhe nuk lejoni që ajo Xhami të rindërtohet në vendin e vet. Ju fare mirë e dini se në pjesën përtej Ibri jetojnë shumë shqiptarë boshnjakë e turq të besimit Islam, dhe se nuk kanë ku ti kryejnë ritet fetare. Ju është dashur dhe duhet që ta ngritin zërin dhe të kërkoni nga politikanët tuaj që sa ma parë të ndërtohet Xhamia e Ibrit sikur që është ndërtuar konaku i kishës dhe kapella te varrezat ortodokse.
E përfundon kështu Mulla Asllan Murati, Imam në Mitrovicë, deklaratën tij ndaj klerikut serb. /tesheshi.com/