E mbani mend verën e vitit 2015 kur Athina bëri namin për një ndërtesë në Dhërmi që u prish nga IKMT-ja? Një ndërtesë e degraduar nga ana arkitektonike, por që sipas Athinës, por edhe kryesisë së Kishës Ortodokse ishte një trashëgimi e rëndësishme e kultit dhe nuk duhej të prishej.
Ministria e Jashtme greke e cilësoi si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe lirisë së ndërgjegjes.
Madje prifti i Kosturit “ç’kishëroi” dhe Ramën duke e mallkuar atë si autorin e rrënimit.
Por sot pas 3 vjetësh Kisha e Shën Thanasit ka marrë formë dhe është kthyer siç ka qenë para se të prishej nga komunizmi.
Në atë kohë në opinionin publik u bë edhe një debat mbi arkitekturën e ndërtimit të Kishës, ku KOSH nuk mbronte variantin që sot është ndërtuar.
Ndërkaq, aktualisht bie në sy mosprononcimi i krerëve të Kishës Ortodokse dhe vetë enturazhit të Janullatosit për këtë çështje.
Jani Prifti, një banor i bregut ka ndarë në Facebook fotot e kishës së ndërtuar dhe ka shkruar: “E bënë siç ishte …..Kishën e Shën Thanasit në Dhërmi.E bëri i zoti shtëpisë, ashtu si dikur. i Zoti shtëpisë duhet të vëjë dorë edhe në shkolla, qëndra shëndetësore e çdo gjë produktive. Në çdo fshat të Bashkisë Himarë. Lëmosha, mohimi i traditës, kulturës, historisë të të parëve ,nuk është kurrë alternativë e mirë…” /tesheshi.com/