Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un tha në një takim të Byrosë Politike të Partisë së Punës në pushtet se vendi i tij arriti të parandalonte dëpërtimin e virusit koronar në vend.
“Ne kemi parandaluar plotësisht shfaqjen e virusit dhe kemi mbajtur një situatë të qëndrueshme epidemiologjike pavarësisht krizës globale shëndetësore, gjë e cila është një sukses i madh,” tha Kim Jong-un.
Ai paralajmëroi dhe u bëri thirrje popullit të Koresë së Veriut që të mbetet “jashtëzakonisht i kujdesshëm”.
Takimi i Byrosë Politike të enjten vjen në një kohë kur shumë vende po lehtësojnë bllokadat, përkundër faktit se bota po ecën me shpejtësi drejt numrave të zymtë: 10 milion te infektuarve dhe gjysmë milion jetëhumbjeve.
Koreja e Veriut ka rihapur shkollat, por ka mbajtur një ndalim të tubimeve publike dhe ka diktuar veshjen e detyrueshme të maskave në vendet publike, tha të mërkurën një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetit.
Edhe pse shteti nuk ka konfirmuar ende ndonjë infeksion, Ministria e tij e Shëndetësisë ka raportuar se 922 persona janë testuar negativ deri më tani.
Qindra njerëz, kryesisht ata të punësuar në porte ose në kufij, rregullisht janë karantinuar për vëzhgim. /tesheshi.com/