Ripoll, qyteti ku u radikalizuan një duzinë djemsh e burrash, shumica marokenë, lidhjet e të cilëve u zbuluan pas sulmit në Barcelonë, nuk është një geto, por një komunitet i vogël e me prosperitet modest.
Një spirale shkallësh të çon në katin e shtatë, në një apartament në qytetin e vogël katalanas të Ripolit, prej nga ky Abdelbaki Es Satty dyshohet se ka krijuar celulën terroriste që goditi në Barcelonë të enjten e shkuar.
Një shishe me aromë marokene qëndron në një anë, një rrënjë bimore që ai përdorte për të pastruar dhëmbët qëndron në një raft, ndërsa Kur’ani është mbështetur pas televizorit ku ai shihte të rejat e ditës.
“Nuk fliste shumë”, thotë shoku i tij i dhomës Nordin. “Ai dukej normal. Fytyra dhe fjalët e tij ishin normale. Nuk e dija se çfarë problemesh mbante në kokë”.
Hera e fundit që Nordin e ka parë Es Satty-n ishte të martën në mëngjes, kur imami u largua nga shtëpia me një valixhe, duke thënë se do të vizitonte familjen në Tétouan, në veri të Marokut.
“Më përshëndeti dhe më tha se do të kthehej në kohë për festivalin e Fenerëve më 1 shtator”, kujton Nordin, i cili thotë se imami u largua me një makinë të madhe të bardhë. “Nuk vura re asgjë të pazakontë”.
Të hënën, sidoqoftë, policia katalanase konfirmoi se Es Satty nuk shkoi kurrë në Marok. Në vend të kësaj, ADN e tij u gjet në mbetjet mes rrënojave të një uzine që fabrikonte bomba që shpërtheu ditën pasi ai la shtëpinë.
Hetuesit spanjollë të anti-terrorizmit po punojnë tashmë në pistën se imami ishte katalizatori i radikalizimit të më shumë se dhjetë burrave dhe djemve të rinj, shumica marokenë, në Ripoll, ku ai drejtonte faljet dhe jepte mësime arabishteje për të paktën dy vjetët e fundit.
Mes terroristëve të dyshuar kishte edhe vëllezër nga tre familje të ndryshme, shumë prej të cilëve shkonin në shkollën lokale Abat Oliba dhe luanin futboll në breg të lumit.
Ripoll nuk është një geto muslimanësh, por një qytet i qetë e modestisht në prosperitet vendosur mes kodrave të Pirenejve. Eshtë i famshëm për manastirin e tij, Santa Maria de Ripoll, themeluar në shekullin e nëntë nga konti Uillfrid, një figurë e rëndësishme mes nacionalistëve katalanas.
Rreth pesë për qind e popullsisë prej 11 mijë banorësh, janë muslimanë. Pjesa më e madhe janë marokenë që nisën të vijnë në fillim të viteve 1990 për të punuar në uzinat lokale.
Banorët e qytetit shprehen të tronditur që djemtë që konsideroheshin studentë të mirë të ishin kthyer deri në atë pikë sa të jenë përgjegjës për sulmin e javës së shkuar.
Papunësia është rritur gjatë viteve të fundit, mirëpo zyrtarët lokalë e hedhin poshtë këtë si faktor të rëndësishëm në radikalizimin e celulës terroriste, për shkak se ata ishin në punë ose studentë. “Jemi të tronditur. Këta djem u rritën mes nesh. Nuk ka geto këtu, ata ishin fqinjët tanë”, thotë një banor.
Të afërm, miq dhe fqinj fajësojnë Es Satty-n. Pas ardhjes së tij në qytet, burrate rinj muslimanë kalonin më shumë kohë në xhami. Një nga banorët tregon se luante futboll me Younes Abouyaaqoub, i cili u konfirmua se ishte personi që ngau furgonin përmes turmës në Las Ramblas.
“Ai ishte një djalë i qetë që nuk shfaqej kurrë i dhunshëm”, tha ai për marokenin, i cili u rrit në këtë komunitet.
Vëllai i Younes, Houssaine, i cili u qëllua nga policia të premten në mëngjes, punonte në një dyqan qebapësh dhe ishte miqësor me të gjithë klientët e tij. “Duhet t’ia kenë shplarë trurin”, thotë një shok i shkollës për të. “Përndryshe, nuk shoh asgjë përse ai mund ta bënte këtë”.
Një 21-vjeçare spanjolle e cila nuk jep emrin për shkak se jeton në një qytet të vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, thotë se kishte njohur një nga grupi, Mohamed Houli, që kur ishin fëmijë.
“Ishte një mik i mirë”, thotë ajo. “Në shkollë nuk ka pasur kurrë probleme, me askënd. Ai e donte futbollin dhe çiklizmin. Të gjithë mendonin se ishte katalanas”.
Houli u gjet gjallë në rrënojat e shpërthimit të uzinës së bombave. Ai u arrestua dhe dëshmia e tij mendohet se ka qenë vendimtare në zbardhjen e hetimeve.
Es Satty ishte identifikuar si person me interes për hetim, edhe përpara se ADN-ja e tij të konfirmohej në uzinën e bombave.
Ai ishte vetëm një nga 12 të dyshuarit me të dhëna kriminale. Sipas raportimeve në median spanjolle, ai ishte dënuar për trafik marijuane dhe kishte kaluar kohë në burgun Castellón në Valencia, ku thuhet se ka takuar të paktën një nga autorët e sulmit të madh terrorist në Spanjë, shpërthimin e Madridit të 11 marsit 2004. Media lokale thotë se emri i tij ka dalë edhe në raportimet për rekrutimin e të rinjve spanjollë që shkuan në Siri për të luftuar me ISIS.
Komuniteti tashmë po përpiqet të shërojë plagët. “Shpresoj që njerëzit këtu të jenë aq inteligjent emocionalisht sa të dallojnë ISIS me komunitetin musliman. Grupet muslimane dëshirojnë marrëdhënie të mira dhe luajnë rol në shoqëri, të tjerët duan të na ndajnë e të na çorodisin jetën”, thotë kryebashkiaku i qytetit.
“Ne mund t’i luftojmë duke vazhduar të luajmë futboll me miqtë muslimanë”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/