Një projektrezolutë që parashikon sanksione mbi Sirinë për përdorimin e armëve kimike pret të votohet sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
E hartuar nga SHBA-ja, Britania dhe Franca, ajo do të ndalojë shitjen, furnizimin ose transferimin te qeveria siriane apo te forcat e saj të armatosura të helikopterëve dhe të materialeve përkatëse për to, përfshirë pjesët e këmbimit.
Sanksione do të ketë dhe për organizma e qytetarë sirianë të lidhur me sulmet kimike gjatë konfliktit gjashtëvjeçar në Siri.
Projektrezoluta pason një hetim të udhëhequr nga OKB-ja që në tetorin e shkuar arriti në përfundimin se forcat ajrore siriane kishin hedhur me helikopterë në vitet 2014-2015 bomba-fuçi me klor mbi tre fshatra të kontrolluara nga opozita.
Rusia ka premtuar se do të përdorë veton në votimin për projektrezolutën. Zëvendësambasadori rus në OKB, Vladimir Safronkov, e quajti ditë më parë projektrezolutën në fjalë si të njëanshme dhe të mbështetur në prova të pamjaftueshme.
Kjo do të ishte hera e shtatë që Rusia përdor veton ndaj projektrezolutave për Sirinë të sjella për votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. /tesheshi.com/