Ka kaluar shumë kohë që nga Marrëveshja e Dejtonit dhe premtimi i liderëve të BE-së në Selanik për të hapur derën për Ballkanin Perëndimor dhe tani është “koha që BE-ja ta përshpejtojë atë, pasi shpresa në rajon po humb”, tha Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të enjten në Budapest.
Rezoluta, e shpjeguar nga deputeti grek Jorgo Papandreu dhe e miratuar nga Komiteti i Çështjeve Politike dhe Demokracisë, bëri thirrje që “BE të përshpejtojë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor duke vazhduar negociatat me Serbi-Malin e Zi, duke filluar bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maedoninë e Veriut, si dhe të vendoset një regjim pa viza për popullin e Kosovës”.
Paqe, siguri dhe stabilitet demokratik
Koha e gjatë që nga premtimet e paplotësuara të BE-së, tha deklarata, “shkaktuan zhgënjim, humbje të shpresës, nxitën aspiratat etnocentrike dhe dëshirat nacionaliste, duke minuar besueshmërinë, besimin e publikut në BE në rajon dhe duke i hapur rrugën ndikimit të faktorëve të tjerë gjeopolitikë”.
Komiteti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vëren në rezolutë se “mbështetja për reformat demokratike, pajtimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor janë thelbësore për paqen, sigurinë dhe stabilitetin demokratik në të gjithë Evropën”.
Rëndësia e forcimit të shtetit ligjor
Ndaj, siç nënvizohet, duhet shtuar mbështetje për ngritjen e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit, zhvillimin e një kulture më të fortë demokratike me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve, administratën publike në përputhje me normat evropiane.
Rezoluta u bën thirrje organeve të Këshillit të Evropës që të kontribuojnë në një proces të tillë reformash dhe thekson që të ofrohen metoda të prekshme për të mbështetur “perspektivën e qartë evropiane të Ballkanit Perëndimor”. /tesheshi.com/