Nga Vepror Hasani
Keqkuptimi i ortodoksëve të Korçës ishte i madh, aq sa nuk kishte vend ku të rrinte. Pas rënies së Perandorisë Osmane pati nga ata që menduan se tashmë Bashkia e qytetit nuk do të ishte gjë tjetër veçse një Mitropoli. Arsyeja pse po ndodhte kështu e kishte shpjegimin e vet. Në vitin 1504-1505, Iljaz bej Mirahori, qytetin e Korçës ku banonin myslimanët dhe fshatin Peskëpi ku banonin ortodoksët, i shpalli vakëve. Që nga kjo kohë, administrimi i dy vendbanimeve të cituara më sipër, nisi të bëhej nga një strukturë e quajtur “Vakëf”, që shumëkush e identifikonte me xhaminë. Në analogji me këtë qeverisje, tashmë ortodoksët mendonin se kishte ardhur koha që Korça të qeverisej nga Mitropolia. Keqkuptimi rridhte edhe nga e kaluara që kishin patur. Pranë Mitropolisë kishte ushtruar gjithnjë veprimtarinë e vet Dhimogjerondia (Këshilli i Pleqve), Llasoja (arka publike) dhe shkollat greke. Kjo ishte qendra e fshatit Peskëpi. Keqkuptimi u bë i dukshëm gjatë kohës që po bëheshin përpjekje për ndërtimin e godinës së re të Bashkisë. Ndokush mund të thotë: kjo nuk është e mundur, nuk mund të kenë nodhur keqkuptime të tilla. Është e pabesueshme. Njerëzit kishin nisur të jetonin shekullin e XX. Frynte një erë e re! Atëherë, nëse dëshironi t’i hiqni këto dyshime, vijoni të ndiqni rrjedhën e rrëfimit.
Në vitin 1929, Vasil Avrami, (kryetar Bashkie që nga viti 1922), hodhi idenë e ndërtimit të një ndërtese te re për Bashkinë Korçës. Ndërtesa do të ishte e lartë, e bukur, me shumë ambiente, me arkitekturë të veçantë, mbi të gjitha madhështore, aq sa të huajt të mbeteshin të mahnitur kur të ndaleshin para saj. Vërtet Korça kishte shkëlqyer gjatë Perandorisë Osmane dhe ishte krahasuar me qytete të famshme, por tashmë shkëlqimi i saj do të ishte i një lloji tjetër dhe shumë më i bukur. Vasil Avrami nxitonte ta shihte të realizuar projektin më ambicioz të jetës së tij: ngritjen sa më parë të godinës më madhështore që kishte parë Korça deri atëherë. Kështu e quante ndërtesën dykatëshe që do të ngrihej, kur në të vërtetë edhe Bashkia e vjetër me dy kate ishte. Këshilli i Bashkisë e miratoi projektin e ri pa ndonjë vonesë. Udha për ndërtimin e Bashkisë së re ishte hapur.
Mbetej vetëm përcaktimi i vendit ku do të ngrihej ndërtesa e re e Bashkisë. Për të gjitha këto kishte menduar kryetari i Bashkisë, z. Vasil Avrami. Godina madhështore me dy kate do të ndërtohej pranë kishës së Shën Gjergjit. Vasil Avrami kishte hyrë në bisedime me këshillin e kishës në fjalë. Kërkesa e tij ishte pritur me dashamirësi. Kisha ishte e gatshme të bënte jo vetëm uljen e çmimit të arës (truallit) që do të shiste, por edhe favorizime të tjera për shlyerjen e pagesave. Këtë moment e sjellin më të qartë kronikat e kohës:
“Sikundër kemi botuar para disa kohësh që Asambleja Muncipiale vendosi të ngrihet një godinë e re për Bashkinë, pasi ajo e sotmja nuk u përgjigjet gjithë nevojave të saj. Pardje, kryetari z. Vasil Avrami bleu prej Këshillës së Shën Gjergjit për 50.000 franga ar, arën që gjendet pranë kishës. Këshilla e Mitropolisë duke marrë parasysh qëllimin për të cilin do të përdoret vendi në fjalë, ia shiti Bashkisë 10.000 franga ari më pak nga çmimi që i kishin paraqitur të tjerët dhe i bëri lehtësira të tjera në pagim. Siç marim vesh, ndërtimi do të fillojë sa të jetë e mundur më shpejt dhe do mbarohet gjer në fund të vitit të ardhmë. Planin do ta përgatitë arkitekti Italian Di Fausto, i cili po bën planet e pallatit mbretëror dhe të ministrive. Godina e Bashkisë Korçë do të jetë tepër madhështore, q’ashtu të jetë një lavdi për qytetin tonë. Ndërtimi i godinës së re të Bashkisë, në vendin në fjalë, u prit me gëzim të madh dhe gjithë qytetarët e pëlqejnë këtë vepër pasi do të zbukurohet qyteti me një godinë madhështore”. (“Gazeta e Korçës”, e martë, 23 prill 1929)
Nëse e vini re, “Gazeta e Korçës”, shkruan:
“Ndërtimi i godinës së re të Bashkisë, në vendin në fjalë, u prit me gëzim të madh dhe gjithë qytetarët e pëlqejnë…”. Por e vërteta nuk ishte aspak kështu. Myslimanët e Korçës nuk e pritën mirë përcaktimin e vendit ku do të ngrihej Bashkia. Ajo nuk mund të ndërtohej as pranë kishës së Shën Gjergjit dhe as pranë Xhamisë së Iljaz bej Mirahorit, themeluesit të qytetit të Korçës. Shteti dhe feja ishin dy gjëra të ndryshme. Mirëpo ortodoksët e Korçës e shihnin Bashkinë sikur të ishte Mitropoli. Për ta nuk kishte rëndësi sa lekë u ble trualli, shtrenjtë apo lirë, sepse, sipas tyre, të hollat dilnin nga një xhep dhe hynin në xhepin tjetër. Bashkia dhe Mitropolia ishin e njëjta gjë. Këtë mentalitet të ortodoksëve të Korçës e gjemë të përshkruar në shtypin e kohës:
“Bashkia jonë bleu vendin që ndodhet mbi Shën Gjergjin prej Mitropolisë së Korçës për të ndërtuar një bashki të re në gjithë kuptimin e fjalës. Bashkitë në të gjithë botën ndodhen në mes të qytetit dhe janë ndërtesa të mbaruara dhe shëmbëlla për ndërtesat e tjera… Në kjo (ndërtesë) do të vijnë të huaj dhe që këtu do të merret përshtypja e parë. Dhënia e këtij vendi Bashkisë prej arës së Mitropolisë, bëri përshtypjen më të mirë në gjithë popullin se Mitropolia është e Korçës, por edhe Bashkia gjithashtu është e Korçës. Tani Bashkia zë vendin e Mitropolisë me rastin e hyrjes në fuqi të Kodit Civil të ri. Gjithë veprimet e martesës, lindjes dhe të tjera, aty do të bëhen. Kësisoj që ishte mëkat të rrinte Bashkia në ndërtesën e parë. Mandej, që vendi (ara e kishës së Shën Gjergjit) të çmoheshe pak më shumë, po kjo nuk bën ndonjë përshtypje, meqë të hollat që mund të merreshin më shumë, hynë nga njëri xhep në tjetri, në trashëgimtaren e të drejtave të Mitropolisë, të cilat kjo i ka patur gjer më sot. Prandaj është për t’u lëvduar dhe falenderuar Dhimogjerondia dhe kryepeshkopi ynë Visarion që i dhanë një zgjidhje të pëlqyer kësaj çështjeje. Nuk ka asnjë korçar që të mos e shikojë me sy të mirë, këtë veprim, meqë është një e mirë e përgjithshme e qytetit, veçse ndonjë që shikon të “peshkojë” për interesa të veta”. (“Zëri i Korçës”, e martë 23 prill 1929)
Përsëri këmbëngulet në idenë se “nuk ka asnjë korçar që të mos e shikojë me sy të mirë, këtë veprim, meqë është një e mirë e përgjithshme e qytetit veçse ndonjë që shikon të “peshkojë” për interesa të veta”. Me shprehjen “veçse ndonjë që shikon të “peshkojë” për interesa të veta”, kishin parasysh myslimanët. Sigurisht, këta të fundit nuk mund të ndiheshin mirë. Gjatë qeverisjes së Mirahorit ishin bërë përpjekje të shumta që edhe fshatin Peskëpi ku banonin ortodoksët ta bënin pjesë të qytetit të Korçës. Dhe ishte kjo arsyeja që Bashkia e asaj kohe u ndërtua në lagjen “Kala”, vend ky që ndodhej midis bulevardit “Shën Gjergji” dhe qytetit të Korçës, kurse tashmë Bashkia do të ndërtohej pranë kishës së Shën Gjergjit. Merita për ngritjen e Bashkisë në këtë vend i takonte Vasil Avramit, i cili në atë kohë mbajti për një kohë mjaft të shkurtër postin e zëvëndëskryetarit dhe më pas përsëri të kryetarit të Bashkisë. Ja çfarë shkruhet në kronikat e atyre ditëve:
“Më tjetër anë, duhet përgëzuar Këshilla e Bashkisë që dha vendim për të blerë vendin si dhe Zëvëndëskryetari i saj, Vasil Avrami, që u përpoq të blihet vendi, se me këtë vepër i shtimë themelet që i meriton një Bashki. Do t’i lutemi vetëm që ndërtesa e Bashkisë së re të ndërtohet pas një plani më të mbaruar dhe kjo ndërtesë të jetë një shembull për çdo ndërtesë tjetër, mbesojmë se edhe kjo do të jetë në programin e dirigjonjësve të Bashkisë, andaj urojmë ta trashëgojë Korça, Bashkinë e re”. (“Zëri i Korçës”, e martë 23 prill 1929)
Blerja e arës pranë kishës së Shën Gjergjit u bë fakt i kryer:
“Sikundër kemi botuar para disa kohësh që asambleja muncipiale vendosi të ngrihet një godinë e re për Bashkinë, pasi ajo e sotmja nuk u përgjigjet gjithë nevojave të saj. Pardje kryetari Vasil Avrami bleu prej Këshillës së Mitropolisë vendin pranë kishës së Shën Gjergjit për 50.000 franga ari.
Këshilla e Mitopolisë”.
(“Gazeta e Korçës”, 23 prill 1929)
Ndërkaq kishte mbërritur arkitekti italian për hartimin e projektit të godinës së re të Bashkisë:
“Javën e shkuar urdhëroi arkitekti italian z. De Fausto. Zotëri e tij ardhi të merrej vesh me kryetarin e Bashkisë z. Vasil Avrami mbi planin e godinës së re të Bashkisë. Pasi ndenji nja dy ditë, u kthye në Tiranë ku do të përgatitë planin brenda një muaji. Godina e re e Bashkisë do të ngrihet me dy kate, do të ketë njëzet oda, dy salone të mëdhenj dhe përpara një kopësht të madh. Në krye të godinës do të vihet një sahat i madh. Punimet do të fillojnë me të arrirë plani dhe mbesohet që gjer në fund të këtij viti të ngrihet kati i parë. Sikundër kemi botuar e tjatër herë, godina e re e Bashkisë do të jetë një ndërtesë tepër madhështore dhe do t’i japë një zbukurim të madh qytetit tonë”. (“Gazeta e Korçës”, 30 maj 1929)
Në të vërtetë, ideja për ngritjen e Bashkisë së re në territorin e ish-fshatit Peskëpi ishte hedhur nga drejtuesit e Bashkisë që nga viti 1921. Për këtë arsye, pikërisht në këtë kohë, nga ana e myslimanëve u kërkua që godina e re e Prefekturës të ndëtohej përsëri aty ku kishte qenë e ndërtuar nga Iljaz bej Mirahori. Kronikat e kohës pohojnë:
“Këshilla administrative vendosi që të ngrihet një ndërtesë e madhe ku të përmblidhen të gjitha zyrat qeveritare. Por, me qenë se për ndërtimin e kësaj, arka publike jep vetëm 93.000 franga ar, dhe se për të mbushur shumën duhet të formojë një komision për të mbledhur të holla nëpër popull. Ndërtesa do të ngrihet përsëri në atë vend ku ishte Hyqymeti i vjetër në kohën e Turqisë”. (“Posta e Korçës”, 6 shtator 1921)
Mirëpo tashmë pas tetë vitesh, (1921-1929), po shihej se Bashkia e Korçës kishte menduar vetëm për ndërtimin e Bashkisë së re dhe aspak për ndërtimin e Prefekturës. Kjo gjë i la edhe më të pakënaqur e myslimanët. Shqetësimi mbërriti deri në qeveri. Duket se edhe Qeveria nuk e priti mirë atë çka “ishte gatuar” në Korçë nga drejtuesit e Bashkisë.
Vasil Avrami me t’u kthyer nga Greqia ku kishte qëndruar me pushime për një muaj bashkë me zonjën, kërkoi dorëheqjen:
“Ministria e Punëve të Brendshme e pranoi dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë Vasil Avrami dhe ngrarkoi zëvëndësin e tij z. Ymer Fazlli, me të kryerin e asaj detyre gjer sa të emërohet titullari definitiv”. (“Posta e Korçës”, 16 janar 1930)
Dështimet e Vasil Avramit kishin qenë të shpeshta. Nuk mundi të siguronte ujë të pijshëm për lagjet e Varoshit. Sahatin e Korçës e la të rrënohej, ndërsa tani ishte bërë shkak për pakënaqësinë mes dy komuniteteve. Vendin e Avramit e zuri nënkryetari i Bashkisë, Ymer Fazlli, i cili e drejtoi atë deri në vitin 1933, kur në krye të Bashkisë u dekretua Rustem Ymeri. Fondi për ndërtimin e godinës së re të Bashkisë nuk u miratua. Që nga kjo kohë, (1933) e në vijim, Bashkia e Korçës u drejtua nga intelektualë të ardhur nga rrethe të tjera të vendit. Ndërtimi i godinës së Bashkisë u mundësua gjatë qeverisjes së Rustem Ymerit:
Pasi buxheti i Bashkisë u vërtetua prej Këshillës Ministriale këto ditë do të çpallet adkudikatë për ndërtimin e pallatit të Bashkisë. Punimet do të fillojnë shpejt dhe karabinaja do të mbarohet krejt këtë vit. (“Gazeta e Korçës”, e premte 5 prill 1935)
Ndërsa u dha lajmi për ndërtimin e Bashkisë së re, në të njëjtën kohë kryebashkiaku Rustem Ymeri dhe Prefekti Ismet Kryeziu sollën edhe lajmin tjetër. Për ndërtimin e godinës së Prefekturës do të fillonte menjëherë mbledhja e fondeve në gjithë qarkun e Korçës, pasi godina e saj do të ishte disa herë më e madhe se ajo e Bashkisë. Prefektura do të ngrihej përsëri te vend ku kishte qenë e ndërtuar nga Iljaz bej Mirahori. Mirëpo kësaj radhë ishin ortodoksët ata që nuk donin që Prefektura të ngrihej në atë vend që kishte qenë. U hartua një listë e tërë me emra tregtarësh e nënshkrime, e cila iu drejtua Odës së Tregtisë që kjo e fundit të bënte ndërhyrjet e nevojshmë, që Prefektura të mos ndërtohej aty ku kishte qenë në kohën e Mirahorit:
“Odës së Tregtisë iu paraqit një shkresë me shumë nënshkrime prej tregtarëve të qytetit, të cilët kërkojnë prej asaj Ode, që të intervenojnë pranë komisionit për ngritjen e godinës qeveritare, që kjo të mos ngrihet atje ku është vendosur, por në vendin ngjitur me Bankën Kombëtare, pasi ky vend është në qendër dhe më i përshtatshëm.(Gazeta e Korçës, e premte 24 janar 1936).
Sigurisht, as kërkesa e ortodoksve nuk u mor parasysh.
Guri i parë në themelet e Bashkisë u vu më 7 gusht 1935
“…nën regjimin mbretëror të L.M.T., Zog I-rë, sot më 7 gusht 1935 me iniciativën e kryetarit Rustem Ymeri dhe të kuvendit të Bashkisë u hodh guri i parë i themeleve të kësaj ndërtese”. Këto fjalë shkruheshin mbi një beze me stemën mbretërore. Nën këto fjalë pasuan nënshkrimet e autoriteteve dhe të popullit, të cilat u vazhduan në një kartë, ky dokument u mbyll në një shishe bashkë me disa monedha të vogla, duke u vulosur me dyllë të kuqe që të mbetet në themelet e ndërtesës. Prefekti z, Ismet Kryeziu vuri gurin e parë duke thirrur: “Rroftë L.M.T., Mbreti Zog! Rroftë Shqipëria! Dhe u therën dy kurbanë. Pallati i Bashkisë do të ketë 2 kate me nga 5 metra lartësi të dhomave dhe qilare me lartësi 3 metra. Pjesa e sipërme e ndërtesës do të jetë taracë e thurur me një mur prej 1 m lartësi. Kati i parë do të jetë një metër përmbi sipërfaqen e tokës dhe lartësia e godinës do të jetë 12 metra veç qilareve e themelive Ndërtesa e bukur do të ketë 16 dhoma dhe sallone të mëdhenj”. (“Gazeta e Korçës”, 8 gusht 1935)
Ndërsa themelet e godinës së Prefekturës u hodhën të hënën e 10 gushtit 1936, në orën 09.00 Ndërtesa do të kishte 2 kate, 85 dhoma dhe një numër të madh qilaresh. Godina do të ishte disa herë më e madhe nga ajo e Bashkisë. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Punëve të Brendshme, z. Et’hem Toto me zonjën, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Ing. Qemal Butka, i cili kishte përgatitur planin e ndërtesës madhështore dhe prefekti Mark Kodheli, i sapoemëruar
Më në fund gjithkush pati mundësinë të kuptonte se feja nuk duhej ngatërruar me punët e shtetit. /tesheshi.com/