Nga Bashkim Kastrati
Edhe pse që nga viti 2013 Distribucioni i Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) i është nënshtruar privatizimit dhe vepron si kompani private në Kosovë, është e liruar nga pajisja me aparate elektronike fiskale. Pajisje këto që nevojiten për lëshimin e kuponëve fiskalë pas çdo pagese të faturës.
Lirimi nga ky obligim është bërë në bazë të një udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, që ka hyrë në fuqi në mars të vitit të kaluar.
Në udhëzimin administrativ në fjalë, thuhet se ndërmarrjet e energjisë, shërbimet komunale të telekomunikacionit si dhe ndërmarrjet tjera publike nuk janë të obliguara të pajisen me aparate elektronike fiskale.
Por Konzorciumi i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm – KOSID, e ka kundërshtuar vazhdimisht udhëzimin administrativ, pasi që KEDS duhet të trajtohet e barabartë me kompanitë tjera private, e të mos jetë e privilegjuar.
KEDS është i liruar nga vendosja e printerëve fiskalë dhe kjo është arsyeja pse kjo kompani nuk i pajis qytetarët me kuponë fiskalë. Pra në këtë rast TVSH-ja llogaritet në bazë të inkasimit dhe jo faturimit.
Por, përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht kanë deklaruar se që nga koha e privatizimit, kjo kompani është favorizuar nga Qeveria e Kosovës. KEDS e ka privatizuar rrjetin e distribucionit me një kosto prej 26 milionë euro, shumë kjo që është konsideruar qesharake nga ekspertët dhe qytetarët, pasi që vlera reale ka qenë qindra miliona euro.
Mosdhënia e kuponit fiskal shkel të drejtat elementare të konsumatorit
Selatin Kaçaniku kryetar i organizatës “Konsumatori”, ka thënë për tesheshi.com se si gjithë operatorët tjerë biznesor, edhe ato që ofrojnë shërbime publike, në veçanti KEDS-i duhet ta pajisin qytetarin konsumator me kuponë fiskal.
Ai thotë se pa marrë parasysh mënyrën e privatizimit, TVSH është tatim të cilin e paguan qytetari konsumator taksapagues dhe gjenerues kryesor i Buxhetit të Republikës së Kosovës i cili shpërblehet për bashkëpunim argati rreth disiplinimit të bizneseve për mbledhjen, grumbullimin e dorëzimin e tatimeve në Arkën e Shtetit.
“Është shkelje e shumëfishtë e të drejtave, interesave dhe e dinjitetit të qytetarit konsumator, sepse i mohohet e drejta që nga kuponët fiskal të energjisë elektrike të rimbursojë që t’i kthejë në xhepin e tij, një shumë simbolike parash. I pamundësohet që nëpërmes kuponëve fiskalë të energjisë elektrike të bëj realizim e rimbursim më të lartë. Favorizohet KEDS-i e diskriminohen 460.000 qytetarë e biznese konsumatore pronarë njehsorësh të energjisë elektrike”, thotë Kaçaniku.
Ai thotë se gjithashtu prishet balanca mes operatorësh ekonomik – biznesor që mund të reflektojë me konkurrencë jolojale, mos “dëgjueshmëri” juridiko-ligjore e etiko-profesionale, uljen e kënaqëshmërisë së qytetarit konsumator, prishjen e tregut…E që çmimin final të këtij disproporcioni do ta paguaj blerësi i fundit që është qytetari konsumator.
Sipas tij, fakti që KEDS nuk paguan TVSH i bëhet lak obligimit për transparencë sepse nga qytetari konsumator e taksapagues fshihet TVSH-ja, fshihet sasia e grumbulluar e saj, fshihet destinacioni i kalimit / investimit / buxhetimit të tatimeve të grumbulluara nga TVSH-ja e energjisë elektrike – që është goxha një shumë e lartë parash.
“Mos të harrojmë se qytetarit konsumator, taksapagues asnjë ndërmarrje publike, asnjë shërbim publik nuk i ofron kupon fiskal, as Arsimi, as shëndetësia, as uji, as pastrimi, as ngrohtorja, asnjë pjesë e trafikut urban / ndërurban. Kjo na bën të dyshojmë se Institucionet e Shtetit, zyrtarët e tyre, nëpërmes menaxhmenteve e bordeve politike, me mungesë transparence e mos gatishmëri për llogaridhënie e ndarje të përgjegjësive – manipulon me këto mjete, njësoj siç na detyron që qytetari konsumator pagues besnik dhe i ndershëm i energjisë elektrike paguan edhe për ata të cilët nuk e paguajnë për t i mbuluar dështimet politike e të keq qeverisjes në këtë sektor”, theksoi Kaçaniku.
Qytetarët kërkojnë që të pajisen me kuponë fiskal nga KEDS
Për disa vite ka filluar procesi i pajisjeve me aparate elektronike fiskale për të gjitha bizneset aktive në Kosovë, por si i tillë vazhdimisht është neglizhuar.
Ndërsa Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore e Kosovës, vazhdimisht u ka bërë thirrje bizneseve për fiskalizim, madje gati qe një vit edhe shpërblen qytetarët të cilët grumbullojnë kuponë fiskalë.
Aktualisht plikot me më shumë se 30 kuponë dhe me vlerë nga 250 euro deri në 500 euro, rimbursohen në vlerën 10 euro. Plikot me më shumë se 40 kuponë dhe me vlerë nga 501 euro deri në 800 euro, rimbursohen në vlerën 15 euro dhe plikot me më shumë se 50 kuponë dhe me vlerë mbi 800 euro, rimbursohen në vlerën 20 euro.
Qytetarët që mbledhin kuponët fiskalë thonë se mospajisja e tyre me kuponë fiskalë nga ana e KEDS-it është e padrejtë për shkak se ata po ia bëjnë pagesën kësaj kompanie private.
“Nuk ka logjikë që KEDS mos të na jep kuponët fiskalë kjo për shkak se ne po ua paguajmë faturat atyre, si ka mundësi që faturat na i japin, ndërsa kuponin fiskal jo, duhet të na jepet kuponi fiskal për aq para sa paguajmë energjinë e shpenzuar”, thotë Burim Kelmendi, qytetar nga Prishtina.
Ndërsa Astrit Ibrahimi thotë se është e pakuptimtë se si një kompani private nuk pajiset me arkë fiskale dhe nuk lëshon kuponë fiskalë për konsumatorët e vet. Ai thotë se kjo tregon se kompania e në fjalë është e favorizuar në të gjitha aspektet.
“Të gjitha kompanitë tjera private po na i japin kuponët fiskalë, shembull edhe IPKO është kompani private nga Sllovenia, por i jep kuponët fiskalë. Një pjesë e qytetarëve që i mbledhin kuponët janë të dëmtuar pasi që iu duhen ato kuponë, por më së shumti dëmtohet shteti, pasi që KEDS nuk paguan fare TVSH”, thotë ai.
/tesheshi.com/