Nga Stavros Tzimas
Në dhjetorin e vitit 2016, të diplomuarit e parë të programit të sapo-krijuar “Hyrje në Studimet Muslimane” në Universitetin Aristotel të Selanikut, nisën të studiojnë Islamin larg stereotipeve dhe paragjykimeve. Por projekti, për të cilin vendimi ishte marrë që në vitin 2014, pati edhe kundërshtime.
Një pjesë e Kishës Ortodokse Greke, komuniteti universitar dhe klasa politike konservatore reagoi zëshëm, duke pretenduar se ekzistonte rreziku i shndërrimit të universitetit në një “terren pjellor për ekstremizmin islamik” dhe për “prodhimin masiv të imamëve fanatikë”.
Madje, disa akademikë dhe jo-akademikë iu drejtuan Këshillit të Shtetit, gjykatës më të lartë administrative të Greqisë, ku në fund humbën.
Kathimerini shkoi të ndiqte një leksion të klasës së parë të studentëve në vitin 2017, kurioz për të parë se cilët ishin të rinjtë që dëshironin të studionin Kuranin.
“A ju dukem si një terrorist?”, na pyeti me ironi Janis Palamidis. Të njëjtën gjë na tha edhe Atanasia Avramoglu, një e re gazmore e ulur pranë tij. Tetë vjet më vonë, Kathimerini kontaktoi me dy ish-studentët, tashmë të diplomuar në shkollë. Janis nuk është bërë imam, dhe Athanasia nuk është mbuluar.
Palamidis ka përfunduar strudimet master. Tani po kryen shërbimin e tij ushtarak dhe planifikon t’i bashkohet trupit diplomatik. Ai na tha se ka përfunduar një praktikë gjashtëmujore në një ambasadë greke jashtë vendit. Ndërkohë pas përfundimit të masterit, Avramoglu jep mësim në gjuhën arabe, të cilën e ka mësuar në shkollë dhe dëshiron të thellohet në studimin e letërsisë arabe.
Që të dy të rinjtë shprehen se janë të kënaqur me shkollën që zgjodhën. “Ai kurs më hapi horizontin dhe unë ndalova së pari Islamin me paragjykim dhe me frikë”, thotë
Atanasia, që ashtu si Janisi beson se ka përfituar burime të rëndësishme për rrugën e saj profesionale.
“Ne jetojmë në një shoqëri multi-fetare dhe multi-kulturore. Dijet rreth fesë janë thelbësore për kohezionin shoqëror dhe paqen sociale”, thotë Nikos Magioros, profesor i të drejtës kishtare dhe drejtues i Departamentit të Teologjisë në Universitetin Aristoteli.
Tani, vetë programi mbi fenë Islame është i konsoliduar. “Është e vërtetë që kemi pasur vështirësi, siç ndodh me çdo fillim. Por këto gjëra i përkasin së shkuarës. Programe të ngjashme kanë vite që funksionojnë në shumë universitete publike dhe kishtare evropiane”, shton Magioros.
Programi universitar i Studimeve Muslimane i Departamentit të Teologjisë, është i pari dhe deri tani i vetmi program 4-vjeçar që funksionon në Greqi. Ai ka nisur në vitin akademik 2016-2017, dhe deri më sot janë diplomuar rreth 60 persona, thotë ai për Kathimerini.
“Gjatë hartimit të tij, ne morëm parasysh si nevojat e shoqërisë moderne greke për komunikim, respekt të ndërsjellë dhe pajtim, ashtu edhe të drejtën e qytetarëve grekë, muslimanë dhe jomuslimanë, për t’u specializuar në studimin e Islamit. Studentët tanë vijnë jo vetëm nga pakica muslimane e Trakës, por nga e gjithë Greqia”, nënvizon profesori.
Dhe çfarë mund të presin të diplomuarit në këtë degë sa i përket punësimit të tyre?
“Ata mund të mësojnë Islamin në shkollat publike të rajonit të Trakës, apo të emërohen si drejtues në
xhamitë e zonës. Për më tepër, të diplomuarit kanë përgatitjen e nevojshme shkencore për të vazhduar studimet e tyre në nivelin pasuniversitar, jo vetëm rreth studimit të Islamit, por edhe në përgjithësi rreth fesë dhe marrëdhënieve të saj me shoqërinë dhe politikën.
Të diplomuarit tanë janë të kualifikuar për të punuar si menaxherë të organizatave fetare, kulturore dhe sociale, në agjencitë që merren me emigracionin, diplomacinë etj. Profili i një të diplomuari nga një kurrikul serioze – teologji, studime fetare, histori, filozofi – mund të forcojë komunikimin e dyanshëm ndërmjet tregut dhe shoqërisë. Për shembull, një kompani që operon në Lindjen e Mesme, ka nevojë për drejtues që njohin gjuhën, kulturën, veçoritë fetare të vendit”, shpjegon më tej ai.
Magioros nënvizon se programi mësimor promovon diskursin shkencor që kapërcen ndarjet dhe ekstremizmin.
“Kjo është e rëndësishme, sepse sot është më e dukshme ana negative e fesë, e cila lidhet me fondamentalizmin, radikalizimin dhe dhunën që shkakton.
Programi universitar i Studimeve Islame ofron trajnime në fushat e studimit që përfshijnë shprehjet e ndryshme të Islamit, studimin e gjuhëve të lidhura me të (me theks të veçantë gjuhën arabe dhe perse), studimet kuranore dhe tradita myslimane, statusin fetar dhe politik të Islamit në hapësirë dhe kohë, sistemet e tij juridike, marrëdhënien e tij me kulturën juridike evropiane dhe konsideratat moderne mbi të drejtat të njeriut dhe lirisë fetare, marrëdhëniet shekullore të Islamit me Krishterimin Lindor, dialogu ndërfetar dhe atë ndërkulturor”, shpjegon ai.
Minoriteti musliman i Trakës pati një qëndrim shumë pozitiv për projektin, thotë Maghioros, duke shtuar se në kurs ka studentë edhe nga ky komunitet. Edhe qëndrimi i kishës greke ka qenë në tërësi pozitiv “me disa përjashtime, të cilat mendoj se ishin të izoluara”, shprehet Magiorios.
“Secili ka të drejtën e një mendimit ndryshe. Por duhet ta shprehë atë me argumente dhe respekt, e jo për arsye sensacionale apo keqinformimi. Mitropolitët e Trakisë e mbështetën programin, sepse e kuptojnë se është shumë e rëndësishme të kesh praktikantë fetarë të arsimuar, jo vetëm për çdo komunitet fetar, por edhe për të gjithë shoqërinë”, thekson Magiorios. Çdo të premte, Muhamedi, një student egjiptian në Universitetin Aritstotel, nxiton të shkojë në Shkollën Teologjike. Me vete ka edhe sexhaden mbi të cilin kryen lutjet e përditshme. Atje ai do të takohet me studentë të tjerë muslimanë, një pjesë e të cilëve kanë qëndruar në Selanik edhe pas përfundimit të studimeve dhe tani kanë krijuar familjet e tyre.
Ata do të dëgjojnë nga imami ajetet nga Kurani dhe do të falen.
Prej disa vitesh Shkolla Teologjike ka krijuar një vend adhurimi për muslimanët, duke iu përgjigjur një kërkesës së vetë komunitetit të tyre. Në një kat tjetër të shkollës ndodhet një kishë e krishterë ortodokse, Trinia e Shenjtë, e cila përdoret nga studentët që duan të praktikojnë liturgjinë.
Çdo të enjte aty ka një shërbesë fetare, por edhe shërbesa përkujtimore apo ceremoni të tjera fetare. Në prag të njëvjetorit të aksidentit hekurudhor në Tempi, aty u mbajt një ceremoni përkujtimore për 13 studentët e Universitet Aristoteli që humbën jetën por edhe për të gjithë viktimat e tjera.