Në vitet 1870, turistët perëndimorë u dyndën në Japoni në shifra të larta, të paduruar për të njohur një vend që vetëm së fundmi ishte hapur për vizitorët. Gjatë qëndrimit të tyre, këta shëtitës të globit blenë të gjitha llojet e suvenirëve, përfshirë edhe albumet fotografike të personazheve tradicionalë japonezë dhe vendeve popullore të vendit.
Samurai, geisha, performues dhe shitës rruge ishin të gjithë në këto fotografi, të cilat ishin projektuar në një mënyrë të tillë që sollën imazhin e shoqërisë japoneze si një shoqëri thelbësisht artistike dhe harmonike. Studio të pafundme perëndimore dhe japoneze u hapën në portin e mbipopulluar të Jokohamës, pak më në jug të Tokios, për të plotësuar atë që dukej si uri e tregut për momente të tilla “japonezçe”.
“Dy gra Aino” (1872)
Një fotograf i asaj kohe, aristokrati austriak, baroni Raimund von Stillfried, luajti një rol kyç në projektimin e imazhit ndërkombëtar të Japonisë. Ashtu si shumë fotografë të tjerë perëndimorë, ai udhëtoi në Jokohama në vitet 1860 në kërkim të mundësive të reja tregtare dhe subjekteve për kamerën e tij. Fotografitë e baronit portretizuan shoqërinë japoneze si të padëmtuar nga bota moderne, pavarësisht ndryshimeve të shpejta ekonomike dhe sociale që po ndodhnin në vend dhe albumet e tij të prodhuara me bukuri e finesë – të dekoruara me dorë nga artistët japonezë të ngjyrave dhe të veshura me lëkurë e korniza të praruara – ishin shumë të kërkuara nga turistët e shtresave të larta që i mbanin si kujtime të vizitave të tyre.
Stillfried ishte teknikisht dhe estetikisht më mirë sesa konkurrentët, dhe paraqitja e tij ndërkombëtare sikundër ambicja ndihmuan që ta transformonte një tregti të vogël provinciale të fotografive të tilla në një industri globale eksporti.
Në kulmin e vet, studio e quajtur madhërisht si Shoqata Fotografike Japoneze, kishte 39 ndihmës japonezë, disa prej të cilëve më pas do të hapnin studiot e tyre që do të rivalizonin madje, edhe punëdhënësin e mëparshëm, duke e vënë në konkurrencë baronin. Në fund, paaftësia e Stillfried për t’iu përshtatur një tregu me konkurrencë të ashpër bëri që ai ta humbte biznesin në fund të viteve 1870. Por, masa e suksesit të tij të jashtëzakonshëm dhe pesha tregtare u vu re kur të drejtat e emrit të tij u bënë objekt gjyqesh të ashpra mes ish- bashkëpunëtorëve të tij të biznesit.
Pavarësisht atmosferës së qetë dhe të kënaqur të fotografive të tij, Japonia e baronit ishte ajo e një konkurrence të ashpër dhe e shkëmbimeve të vazhdueshme me botën jashtë saj.
Sot, fotografitë e Stillfried janë shpërndarë në disa arkiva publike dhe koleksione private rreth e qark botës. Në shumë raste, ato mbeten pa atribuim dhe të harruara – edhe pse disa mund të shihen fare mirë në ekspozita fotografike si ajo e mbledhur nga Andreë Carnegie.
Gjashtë fotografitë e përzgjedhura më poshtë nga albumi që ndodhet në bibliotekën shtetërore të Viktorias në Melburn,janë shkrepur në vitin 1875, kur karriera e Stillfried ishte në kulmin e vet. Ato tregojnë japonezët si anëtarë fisnikë e të rregulltë të një shoqërie ideale – që tërhiqte vizitorët perëndimorë në kërkim të arratisë nga grevat e punonjësve dhe trazirat që po ndodhnin në vendet e tyre.
“Zonja e re” (1875)
Ky portret ilustron procesin e kujdesshëm të prodhimit nga ana e Stillfried, që nga përkujdesja dhe paraqitja e personazhit e deri tek aplikimi i bojërave të ujit për printim. Në ndryshim nga fotografë të tjerë, Stillfried duket se ka mbajtur standarde strikte, pasi ka pak variacion në ngjyrat e përdorura për printime të ndryshme të fotografive të tij. Titulli i autorit për këtë imazh – “Zonja e Re” – po ashtu përfaqëson caktimin e hollë të moshës, gjinisë dhe klasës që vizitorët e huaj ishin të ftuar të dallonin në tiparet e fytyrës, në qëndrim dhe në veshjet e modeles.
“Fermerët” (1875)
Në rininë e tij në Trieste, Stillfried mësoi pikturën me bojëra vaji në studion e Bernhard Fiedler, artistit prusian dhe mësimet e këtij trajnimi akademik janë të qartë në këtë skenë. Secili model është rregulluar në një pozicion dallues në secilën anë të figurës së gjatë në qendër që është vendosur përballë derës. Modelet mbajnë vegla tradicionale që përdoreshin për korrjen dhe mbledhjen e orizit, por funksioni etnografik i fotografisë nuk shkëputet shumë nga forma artistike.
“Dy Zyrtarët” (1875)
Stillfried përdorte shpesh sfonde të pikturuara me kujdes në punën e vet, e në këtë rast bëhet fjalë për një peisazh të këndshëm të malit Fuji. Përmes fotografive të tilla si kjo që iu shitej klientëve perëndimorë sikur të ishin autentike japoneze, duket qartë sesi ishte biznesi ndërkombëtar i kohës, me sfonde të pikturuara që vinin me anije nga ana tjetër e botës (kjo këtu vinte nga Vjena) dhe me artistë japonezë të punësuar për të ngjyrosur me dorë versionin përfundimtar të fotografisë.
Personazhet e këtij imazhi janë modele të paguara: ne e dimë këtë pasi ata jo vetëm dalin në fotografi të studiove të tjera, por gjithashtu edhe për shkak se qeveria e kishte shkrirë klasën e samurajve dhe e kishte ndaluar mbajtjen e shpatave në publik. Rrudhat në rrobat e tyre sugjerojnë se modelët janë veshur posaçërisht për fotografinë.
“Dyqani i kurioziteteve” (1875)
Vizitorët e kamur blenin shumë suvenire. Elizah Scidmore, një turiste amerikan deklaronte për vizitën e saj në Jokohama: “dyqanet hapnin krahët drejt jush… vitrinat e tyre ftonin publikun”. Me shfaqjen e armaturave të samurajve, tabakave të shkëlqyeshme, objekteve prej bronci, qeramike dhe pikturat-dorëshkrime të varura, fotografia e
Stillfried memorizon jo vetëm kënaqësinë e blerjes së kurioziteteve por edhe operacionet e zgjeruara të biznesit të tij. Ai shiste kuriozitete nga njëra anë dhe i përdorte ato si njoftime në fotografitë e veta, duke e rregulluar mallin në mënyrë të tillë që turistët e huaj të përballeshin me të në lagjet tregtare të qytetit.
“Zjarrfikësi” (1875)
Kjo fotografi mund të duket si një përshkrim i qartë i një zjarrfikësi veshur me pajisjet mbrojtëse dhe që mban edhe bexhin e brigadës së tij, por subjekti ka një kuptim të veçantë për fotografët komercialë të cilët punonin me kimikate tepër të ndezshme në lagjet e ngarkuara e të ndërtuara me dru në qytetet japoneze. Zjarri ishte një rrezik i gjithë-pranishëm dhe studiot fotografike shpesh shkatërroheshin prej tij. Ndonjëherë ato ishin vatra e zjarrit. Një nga pronat e Stillfried në Jokohama u dogj tërërisht përpara se të bëhej kjo fotografi, që mund të shihet si një homazh personal ndaj guximit të zjarrfikësve.
Në vitin 1881, Stillfried u largua përgjithmonë nga Japonia. Pas disa vizitave në Vladivostock, Hong Kong dhe Bangkok, ai me gjasa u vendos në Vjenë në vitin 1883. Ai vijoi punën si fotograf, artist dhe restaurues arti deri në vitin e vdekjes, 1911, por mbetet më së shumti i njohur sot për kontributin në formimin e imazhit të Japonisë si një shoqëri e qetë me geisha të përmbajtura, samuraj fisnikë dhe punëtorë piktureskë.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/