Ne e dijmë se disa arte kërkojnë talent të lindur. Ashtu si dhe disa sporte. Nëse nuk ke vesh muzike, gjë që është e lindur, nuk mund të merresh me muzikë. E gjithashtu, nëse nuk ia thua për futboll qysh në mituri, aty nga mosha 5 a 6 vjeç, kurrë s’ka gjasë të bëhesh futbollist profesionist.
Pos tyre, janë sa e sa dhunti që lindin bashkë me njeriun. Më pas, në varësi të llojit të shtigjeve në rrugëtimin jetësor, ato o marrin udhën e tyre e zhvillohen, o kurrë nuk zbulohen, o shuhen pa u shfrytëzuar.
Kjo vlen dhe për aftësitë politike.
Ka diçka të lindur dhe në dhuntinë politike, ku ndërthuren apo ngërthehen disa aftësi të tjera, të lindura gjithashtu, ku veçon ajo ligjëruese, e cila shërbën dhe për frymëzim apo motivimin masash. Shërben gjithashtu dhe si forcë imponuese. Dhe nuk dihet nëse ekipi që po merret me aplikimin e një pakete të re komunikimi publik të kreut demokrat, shtënë në punë këto ditë me një lloj aktrimi, i cili që në “çak”-un e parë e derisa përfundon minzaskena është i dënuar të ngjajë me një aktrim, për më tepër jo profesionist por amator, kanë marrë në konsideratë pikërisht cenin më të madh në individualitetin e kryedemokratit: mungesën e qartë e gati ulëritëse të ca dhuntive të lindura, ku ja bën muuu pikërisht paaftësia për të qenë frymëzues.
Kjo vërtetohet dhe nga modeli i tij jetësor para hyrjes në politikë, ku ka zero protagonizëm publik në diçka, e rrjedhimisht zero njohje publike.
Si tipologji sociale, Basha futet te njerëzit “pa ndenja”, pa kauza, gati-gati pa ëndrra, poetikisht bosh, por me një aftësi pragmatiste për t’i siguruar vetes shpejt një komoditet jetësor në rrafshin material, jo domosdoshmërisht në rrugë abuzive. Një pasuri prej 1 milion euro në moshën 35-vjeçare, ku veçon një shtëpi në Hollandë, pa qenë trashëgimtar pronash apo biznesmen, e shfaq si rrufjan të lindur në çështjet e parasë, por deri këtu. Tej vetes, si vokacion shoqëror, Basha as nuk ka dhënë e as nuk ka ende ç’të japë. Nëse ia heq statusin politik, është e vështirë të imagjinohet se për ç’tjetër gjë do njihej në publik.
Edhe shkollomi i tij si jurist është tejet i diskutueshëm, pasi deri më sot, si politikan, s’është dëgjuar prej tij asnjë fjalëmbajtje në terma juridikë për ndonjë çështje të mprehtë politike, e cila ndërlidhet me sfida juridike. Aty së paku, nëse do ekzistonte, do kishim rastin të njiheshim me një ekselent në lëmin juridik apo konstitucional, që së paku do kompensonte defiçencat politike. As këtë nuk ja jep dot shoqërisë.
Dhe ky është problemi më i madh në personalitetin e Bashës, në ato lloj mangësish që ai shpërfaq, ku nuk luan rol asnjë lloj përvoje, asnjë lloj shkolle jete, asnjë nxenie. Kjo, sepse i mungon ajo e lindura bashkë me të, e tjetra, sepse te e lindura përfshihet dhe paaftësia e ndërtimit të një personaliteti imponues, i cili farkëtohet nga përvëlimet që të sjellë jeta. Por siç e dijmë, jeta e Bashës është një linearitet nga i cili vështirë të dalë një personalitet, në kuptimin imponues të fjalës.
Ndaj, të gjitha ambalazhimet e reja që ai ka vendosur të bëjë, afërmendsh të ofruara nga këshilltarë PR-i, do ngjajnë me truke që në fund do kenë një feedback zero, madje mund t’i kthehen dhe në boomerang, duke e katandisur në anektodik.
Gjykuar këto me njeriun që ka përballë si rival të drejtëpërdrejtë e që synon t’i marrë pushtetin – Edi Ramën – Basha do kishte mundur të avantazhohej ndaj Ramës vetëm me një staturë të lartë morale, përkorësi sociale, dhe më kryesore, në një aftësi të provuar menaxhuese e krijuese në një drejtim të caktuar. Do mjaftonin këto të trija edhe sikur mos zotëronte talent ligjërues në funksion të frymëzimit të masave. Por nuk i ka as ato të trija.
Nuk ka moralin – e ka karrierën politike përplot akuza; nuk ka përkorësinë sociale – ka standart jetësor të afërt me një oligark (duhet theksuar: jo domosdoshmërisht nga rrugë abuzive); si dhe nuk ka ende një provë aftësie në një lëmë të caktuar. Mungesa e dellit krijues, në çdo gjë që e kërkon politika, e bën gjithashtu mishërim të një krize fantazie.
Të gjitha këtyre u shtohet dhe boshllëku identitar. Nga pikëpamja sociale, Basha ofron vetëm gjeneralitete të ftohta, pra zyrtare – si fjala vjen lindur në Tiranë në kaq e aq – pa ofruar në rrugë të tjera, dhe atë që doishte identeti i tij i fortë social, si pasojë e një trashëgimie të caktuar familjare me elementë kulturorë imponues.
Për krahasim, me Bashën nuk mund të ndodhë kurrë ajo që ndodhi me ish-presidentin Bamir Topi. Ky i fundit, edhe pse pati si at politik Berishën, duke qenë madje kryekreje investim i këtij të fundit, në një moment bëri atvrasje, pra iu kundërvu Berishës. Nuk qe thjesht dhe ngushtësisht çështje politike; qe kulturore, identitare. Topi, në një moment, u thirr nga një vetëdije, deri në atë çast në kompromis, gjë që te Basha nuk ekziston fare. Vetëdija vetëvlerësuese te Topi, i ka rrënjët te identiteti i tij i fortë social, më e pakta si “tirons i vjetër” e jo vetëm.
Ndaj, në gjykimin mbi Bashën, qasja mbi të duhet të marrë në konsideratë dhuntitë e (pa)lindura të tij, e më pas atë çfarë është kultivuar te ai përgjatë rrugëtimit jetësor.
Pyetja është: a ka një Bashë tjetër që do e zbulojë forma e re e komunikimit publik – me blerje domatesh në treg, ecejake me gjindjen në rrugë e vizita të shpenguara në shtëpi anonimësh duke iu inspektuar politikisht frigoriferin në përbetime (të panevojshme) për jopolitikë?
Vetë Basha na garanton që jo, nuk ka tjetër, me limitet e provuara të tij deri më tani.
Eshtë provuar që ky vend kërkon gjenialë për ta sjellë në terezi, qoftë në planin moral, qoftë në planin inspirues, qoftë në planin kreativ e menaxhues.
Dhe Basha e gjenialiteti nuk pikëbashkohen asgjëkundi! /tesheshi.com/