Mbi katër mijë emigrantë që kërkojnë të hyjnë në Maqedoni janë penguar nga njësitet speciale të vendit, e për rrjedhojë ata janë grumbulluar në pjesë të hekurudhës Selanik-Shkup, duke e bllokuar atë.
Agjencitë e lajmeve thonë se bllokimi ka ndodhur në pjesën e kufirit të Maqedonisë e një tren udhëtarësh e një mallrash kanë mbetur në territorin grek pa mundur të kalojnë kufirin.
Policia maqedonase pengoi njerëzit të hyjnë në territorin e saj, ndërsa në kufi tashmë ka mbërritur dhe policia greke.
Emigrantët ndeshen me një situatë të vështirë në Maqedoni, ku mbërrijnë me synimin që përmes saj, të kalojnë në Serbi e më pas në vendet perëndimore të Bashkimit Europian.
Në Greqi dhe Maqedoni gjendja e emigrantëve është e rëndë dhe fotografitë e tyre ndërsa përpiqen të hyjnë në trenat që do i dërgojnë në Serbi kanë bërë xhiron e botës. /tesheshi.com/