Zeqirija Ibrahimi, nr. i Lëvizjes BESA që ka vënë kandidaturën për kreun e komunës së Çairit në Shkup, i është drejtuar me një mesazh publik qëtetarëve shqiptarë të kësaj komune e më gjerë.
Komuna e Çairit, një bastion i BDI-së, që në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të kaluar dha shenja se nuk mund të vijojë të jetë i tillë, duke e zhvendosur votën pikërisht tek BESA.
Nga ana tjetër, Çairi mbahet dhe si një komunë simbol e shqiptarëve në Maqedoni, siç e saktëson dhe vetë Ibrahimi në mesazh.
Me anë të 9 pikave, ai ka hartuar një manifest të rrallë politik, shoqëruar nga një shqipe e shkëlqyer, me plot kumte intelektuale që rrallë hasen në politikën mbarëshqiptare, ku ajo që veçon është modeli frymëzues.
Kurajoz dhe aspak i kompleksuar, Ibrahimi zgjedh ta vendos veten tek precedenti historik i Tarik Ibën Zijadit, njeriut që shkeli në Andaluzi me aktin e djegies së anijeve që e çuan atje, për të mos u kthyer më pas.
Lexojeni mesazhin e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Të dashur familjarë,
Fort të respektuar aktivistë dhe simpatizantë të Lëvizjes BESA,
Të çmuar qytetarë të Çairit tonë,
Kam kënaqësinë, privilegjin dhe nderin e veçantë që sot edhe zyrtarisht ta konfirmoj kandidaturën time për kryetar të Komunës së Çairit. Me këtë rast i falënderoj organet e Lëvizjes për besimin e dhënë, duke theksuar se nuk do të kursej asgjë nga vetja që ky besim të arsyetohet.
Me këtë rast më lejoni që para jush të theksoj edhe disa momente që janë të rëndësishme për këtë garë zgjedhore.
1. Ndonëse disa politikanë të deritanishëm e konsiderojnë garën në komunë si degradim, unë këtë e pranova si privilegj, sepse kjo është mënyra më e mirë që porosinë se “besimi dëshmohet që nga largimi i një pengese nga rruga” ta dëshmoj edhe praktikisht. Në këtë mënyrë do të kem mundësinë që shumë pengesa të heq nga rruga dhe t’ua hap rrugën qytetarëve në Çair. Se çka (nuk) është bërë në këto vite në Çair për këtë nuk ka nevojë të flitet. Këtë tashmë e dinë edhe zogjtë e malit, sepse në Çair as zogjtë nuk i ndërtojnë më foletë e tyre. Sidoqoftë, të bindur se megjithatë ka shpresë se mund të bëhet më mirë, prej sot jam argat i qytetarëve të Çairit, jam në shërbimin e banorëve të Çairit, që të merrem drejtpërdrejt me hallet e tyre, me gjërat më elementare të jetës së tyre. Unë nuk kursej asgjë nga vetja ime. Me vullnet dhe kënaqësi do t’i shërbej secilit qytetar të Çairit, pavarësisht bindjeve të tij politike, por edhe përkatësisë së tyre etnike e religjioze.
2. Kur tashmë është publikuar kandidatura ime, disa njerëz pyesin se cila është oferta dhe programi i jonë në këto zgjedhje. Dhe, ka të tillë që mendojnë se duhet shpikur diçka të jashtë zakonshme, diçka që buron nga jashtë, ndonëse harrojmë se alkimia e lumturisë (si te “Alkimisti” i Paulo Coelho-s) nuk buron nga jashtë, por është këtu në mesin tonë. Ne premtojmë transparencë, luftë kundër korrupsionit, ryshfetit dhe presionit politik, si dhe punë dhe punë. Në Çair, kudo që të prekësh, ka plot punë dhe do të jemi aty vetëm për të punuar.
3. Është e vërtetë se ata po ikin nga Komuna duke na lënë borxhe dhe shumë probleme të tjera dhe prandaj shumë miq tanë janë të mërzitur se si do të përballemi me bërllokun që do ta lënë pas, por insistimi im është që as ajo nuk do të na pengojë në suksesin tonë. Nëse i lëmë më gjatë në pushtet, edhe borxhet do të rritet, ndërsa bashkë me borxhin do të rritet edhe mjerimi jonë. Këtu është koha që t’i themi NDAL këtij degradimi.
4. Për neve Çairi nuk është vetëm njëra nga komunat e Qytetit të Shkupit, por është epiqendra e Qytetit dhe shqiptarisë jo vetëm në Shkup. Zaten Shkupi u bë qytet nga Çarshia e Çairit tonë. Prandaj, duke e ribërë Çairin tonë pjesë të rëndësishme të qytetit, ne e rikthejmë Shkupin në boshtin e tij urban, ndërsa shqiptarinë e Shkupit e ngremë në identitetin emblematik të Qytetit.
5. Tashmë të gjithë jemi dëshmitarë se kandidatura ime në Çair e ka tmerruar partinë që deri tash ka qeverisur me Çairin, andaj kjo parti e frikësuar kërkon përkrahje nga një parti tjetër, e cila deri dje ia zbulonte krimet e korrupsionin partisë së Maxhar Telekomit, ndërsa sot i mbështet pikërisht ata, që së bashku të na fitojnë. Kjo është shenjë se ato asnjëra nuk kanë besim në veten e tyre se fitojnë dhe është shenjë se ne jemi zëri i popullit dhe se jemi në rrugë të mbarë. Në fakt, urtësia e lashtë thotë se “shih kë e ke armik, që ta kuptosh a je në rrugë të drejtë!”. Prandaj ne i këshillojmë që ta marrin edhe pjesën tjetër të regjimit, siç e quante deri dje LSDM-ja koalicionin VMRO-BDI, pra le ta marrin edhe VMRO-në, sepse kemi dëshirë që të përballemi me të gjithë. Unë nuk dua fitore me çdo kush dhe me çdo çmim. Unë dua fitore me nder, dua fitore që vjen nga bashkimi i të mirëve e jo fitore që vjen nga bashkimi i kriminelëve dhe të korruptuarve. Ta shash deri dje BDI-në në Çair për korrupsion, krime e abuzime, ndërsa sot ta mbështesësh, kjo është përtej amoralitetit. Prandaj, ky është një moment i mirë reflektimi për votuesit e ndershëm të LSDM-së, që mos të bëhen viktimë e manipulimit që e bën lidershipi i tyre. Ata e votuan LSDM-në, për shkak se nuk e deshën BDI-në, ndërsa sot LSDM-ja i dërgon përsëri ata në BDI. Por, fakti që këto parti janë në gjendje të këtillë panike dhe gabimesh trashanike, flet se kujt i përket kjo fitore.
6. Me këtë rast dua të theksoj se do të jem kryetar i të gjithëve në Çair. Për mua po aq sa janë të rëndësishme votat e Lëvizjes BESA dhe votat shqiptare në përgjithësi, po aq janë të rëndësishme edhe votat e maqedonasve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe torbeshëve të Çairit. Ata janë bashkëqytetarë të mi dhe unë dua të kujdesem njësoj edhe për ata. Dua që, përmes kësaj fitoreje, të dëshmojmë se për ne të gjithë ata janë qytetarë të barabartë dhe ne nuk i ndajmë mbi asnjë bazë kur duhet t’u shërbejmë atyre.
7. Këtu dua t’u drejtohem edhe të gjithë të punësuarve në Komunën e Çairit, qofshin në administratën e Komunës ose nëpër shkollat e Çairit e gjetiu, që të mos frikësohen dhe të mos druajnë. Nuk do të ketë hakmarrje ndaj askujt. Gjithsesi ne do ta ndalojmë politizimin e shkollave dhe nuk do të lejojmë që drejtorët të abuzojnë me të punësuarit për qëllime politike, por askujt asnjëherë nuk do t’i hakmerremi për shkak të bindjeve politike. Secili ka të drejtë të besojë çka të dojë dhe të jetë në cilëndo parti, por ne nuk do të lejojmë që asnjë institucion i Komunës së Çairit t’i shërbejë politikës së ndonjë partie.
8. Kjo është garë zgjedhore, kur duhet të fitojë kandidati më i mirë, oferta më e mirë dhe programi më i mirë. Prandaj, të gjithë ata që më respektojnë mua dhe BESËN tonë, të mos e ulin për asnjë çast nivelin e komunikimit ndërmjet nesh. Unë do të jem fort i dëshpëruar nëse dikush nga aktivistët e BESËS e ofendon ndonjë nga kundërkandidatët tanë në Çair. Unë kam njësoj respekt për personalitetin dhe familjen e secilit nga kundërkandidatët tanë. Pavarësisht rezultatit, ne nesër përsëri duhet të bashkëjetojmë në Çair dhe duhet të lëmë hapësirë të shikohemi në fytyrë!
9. Meqë këto ditë po shtrohet edhe çështja se çfarë do të bëj me detyrën time si deputet, dua ta njoftoj opinionin se, në konsultim me Kryetarin dhe Kryesinë Qendrore të Lëvizjes, në vigjilje të kësaj fushate përfundon edhe përvoja ime si deputet. Unë nuk do të jem më deputet i Lëvizjes BESA, sepse ligji nuk e lejon të jesh edhe kryetar i Komunës, edhe deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Të dashur vëllezër, motra, prindër, shokë, familjarë, kolegë, fqinj, miq, aktivistë të BESËS e shokë nga Çairi, unë prej sot jam argati juaj. Ashtu si Tarik Ibën Zijadi, i cili kur më 711 shkeli në Andaluzi, për ta sjellë rilindjen në Europë, i dogji anijet në shenjë të mesazhit se nuk ka më kthim prapa, unë prej sot i kam djegur anijet dhe kthim prapa nuk ka. Çairi do të rilindë patjetër, sepse ne nuk kemi alternativë tjetër!
Na priftë e mbara, paçim ndihmën dhe bekimin e Perëndisë dhe mirutakofshim në fitore!
Zeqirija Ibrahimi, Shërbëtor i qytetarëve të Çairit.
/tesheshi.com/