Këtë javë, një populist i krahut të djathtë mbajti fjalime të zjarrta në Amerikën e Veriut, duke mëshuar kundër korrektesës politike, globalizimit dhe kërcënimit ndaj Islamit radikal. Njeriu politik në fjalë, që mund një ditë të zgjidhet president, tha se fuqitë e mëdha nuk po e marrin seriozisht kërcënimin nga muslimanët dhe paralajmëroi për rreziqet e pranimit të sirianëve
“Kushdo që dënon fondamentalizmin islamik akuzohet për islamofobi”, u tha gazetarëve.
Jo, nuk ishte Donald Trump. Ishte Marine Le Pen, liderja e partisë së të djathtës ekstreme, Fronti Kombëtar, një forcë politike në ngjitje për shkak të rritjes së frikërave rreth emigracionit dhe terrorizmit në Europë.
Le Pen, tashmë është krahasuar mijëra herë me Trump – ose më mirë Trump në mënyrë të përsëritur ka ngjasuar me Le Pen, e cila ka një të shkuar politike shumë më të gjatë e të dokumentuar. Fronti Nacional që peshon në ndjenjat anti -emigracion të krahut e djathtë dhe në nacionalizmin anti- BE, është përpjekur të lirojë veten nga stigma e fashizmit, racizmit dhe neonazizmit.
Në dhjetor, pasi Trump njoftoi propozimin e tij kontrovers për të ndaluar të gjithë muslimanët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, revista “New Yorker” e etiketoi atë si “Le Pen i Amerikës”.
Por, ndërkaq, Le Pen e Francës ishte në Kanada këtë javë në një tur gjashtëditor në provincën frëngjishtfolëse të Kebekut, destinacion popullor për pushuesit francezë nga ana tjetër e Atlantikut. Ajo ishte me mision politik – me synimin për të përdorur zemërimin kundër politikave liberale të kryeministrit Justin Trudeau, të cilin e shenjoi si “humanist fals” e nga ana tjetër apeloi për një nacionalizëm më të madh francez të qytetarëve të Kebekut.
“Mendova se është përgjegjësia ime të jap kontribut për idealet dhe vlerat e frankofonisë duke nënvizuar doktrinën time si një vlerë e madhe e frankofonisë për Francën sikundër edhe për të gjithë botën frankofone”, shkroi Le Pen në faqen e saj të internetit.
Por, gjërat nuk shkuan sipas planit. Udhëtimi i Le Pen u pa gjerësisht si një gabim trashanik, ndërsa liderja e së djathtës ekstreme u ndoq nga grupe të vogla antifashiste, protestues të majtë dhe iu dha një dush i ftohtë nga klasa politike kanadeze. Ajo u shfaq në një numër organesh shtypi me ndikim në Kebek, ku paralajmëroi se “një shoqëri multikulturore është një shoqëri në konflikt”, e megjithatë mesazhi i saj ishte qartësisht jo i mirëpritur.
Protestuesit ndërprenë një konferencë shtypi të Marine le Pen ne Kebek. Ndërsa fjalimi final në Montreal turpshëm u ricaktua të mbahej në një bar sportiv nga vendi i mëparshëm në një hotel, pasi mikpritësit e mëparshëm të Le Pen kuptuan se mund të bënin edhe pa kokëçarjen e organizimit të tubimit të saj. Le Pen, e cila ishte në Kanada në përfaqësim zyrtar si anëtare e Parlamentit Europian, nuk u prit nga asnjë politikan i rëndësishëm kanadez.
Kebeku, më shumë se pjesët e tjera të Kanadasë, ka pasur një debat të ngarkuar rreth Islamit dhe migrantëve muslimanë. Ligjvënësit e Kebekut në të shkuarën kanë ndërmarrë edhe masa që do të kufizonin përdorimin e shamisë tradicionale islamike.
Edhe pse të vetëdijshëm se mesazhi i Le Pen mund të ishte tërheqës për nacionalizmin aktual në Kebek, zyrtarët e partive kryesore të provincës që mbështesin ndarjen e saj, bënë më të mirën për t’u distancuar nga vizita e saj. “Ata përfaqësojnë askënd tjetër veç vetes së tyre”, tha lideri i “Parti Quebecois”, Pierre Karl Péladeau në reagim të lajmit se Le Pen kishte takuar të rinjtë, anëtarë të partisë së tij. “Doktrina, historia dhe prirjet e Frontit Nacional janë diametralisht të kundërta me vlerat e Parti Quebecois”.
Bernard Drainville, ithtari kryesor i një “karte vlerash” që nuk u votua, në provincë e që do të kishte imituar element të sekularizmit të ftohtë francez, tregoi pak simpati për Le Pen. “Ajo duhet vërtet të kthehet në shtëpi. Vërtet që duhet të marrë avionin”, ishin fjalët e tij, edhe pse Le Pen e kishte vlerësuar shumë legjislacionin e propozuar prej tij.
Përgatiti: Juli Prifti- /tesheshi.com/