Ekipi i Skënderbeut do të përfitojë në total 3.3 milionë euro nga UEFA për shkak të kualifikimit në fazën e grupeve të Europa League.
Pas barazimit 0-0 në “Elbasan Arena” përballë Dinamo Zagreb, korçarët u kualifikuan për më tej për shkak të golit të shënuar në fushën kundërshtare, pasi edhe takimi i parë kishte përfunduar në barazim (1-1).
Tashmë Skënderbeu ka ripërsëritur suksesin e sezonit 2015/2016 në kompeticionin europian të klubeve, duke siguruar një vend në fazën e grupeve.
Vetëm nga kualifikimi, klubi korçar do të përfitojë 2.6 milionë euro nga UEFA. Ndërkohë që 675 mijë euro të tjera i përkasin kalimit të tre tureve. /tesheshi.com/