Rreth 200 refugjatë u përpoqën të hyjnë në eurotunel gjatë natës, në Francë, duke u përleshur me policinë dhe stafin dhe duke bërë të detyrueshme pezullimin e shërbimit të trenave.
Ndërpreja ndodhi pas një serie incidentesh të kësaj natyre kur refugjatët që janë të strehuar përreth portit francez të Kalesë janë përpjekur të marrin trenat apo të kalojnë përgjatë tunelit, me shpresën se mund të shkojnë në Britaninë e Madhe.
Punonjësit e eurotunelit thanë se rreth 200 refugjatë hynë me forcë në terminalin francez dhe dolën në shina. Përpjekjet e tyre ishin të organizuara dhe kompania u detyrua të thërrasë përforcim nga policia.
Shërbimi i trenave për pasagjerët dhe mallrat u ndërpre, por në rinisjen e tyre ka ngadalësim rreth zonës në fjalë.
Kaleja është shndërruar në një nga vatrat e nxehta në krizën më të madhe të refugjatëve që ka përfshirë Europën, e cila ende nuk ka një zgjidhje për të menaxhuar fluksin e madh të njerëzve që largohen nga vendet e tyre për shkak të luftës apo varfërisë. /tesheshi.com/