Nga Vepror Hasani
Kafeneja më e famshme e qytetit të Korçës mban emrin “Panda”. Këtë emër ka patur edhe përpara një shekulli. Pas vitit 1920 u bënë përpjekje për t’ia ndërruar emërtimin, por rezultoi e pamundur. Asnjë emër tjetër nuk ngjiti te njerëzit. Me sa duket emri i saj ishte ngulitur në kujtesën e qytetit. Shkurt quhej “Panda”, më gjatë e quanin “Pandë Osmanlliu”, por saktësisht emri i plotë i kafenesë ishte: “Klubi i Osmanllinjve”.
Në këtë kafene, mblidheshin intelektualët e kohëve të para një shekulli: mësuesë, mjekë, deputetë, inxhinierë, juristë, arkitektë, zyrtarë, oficerë, muzikantë, poetë etj. Aty luhej teatër, këndoheshin këngë, recitohej, vinin muzikantë dhe prestigjiatorë për të shpalosur talentin e tyre, bëheshin mbledhje për vëllazërimin e të gjitha komuniteteve që jetonin në qytetin e Korçës, ndihmoheshin të varfërit etj. Ishte selia ku mendimi intelektual gjente zgjidhjet e kohës. Kjo ishte dhe arsyeja pse kafeneja ishte bërë kaq e famshme dhe e frekuentuar nga të gjithë. “Banda e Lirisë”, ishte gjithnjë e pranishme në ambientet e kësaj kafeneje.
Veç sa më sipër, kafeneja gjendej në krye të qytetit, pa vajtur te birra “Korça”, te një vend mjaft i bukur, i mbuluar nga pemët, mes gjelbërimit, buzë lumit të Moravës, ku freskia nuk mungonte kurrë, (tashmë lumi nuk ekziston më), por kafeneja ose siç quhej ndryshe “Klubi i Osmanllinjve”, gjendet përsëri aty ku ka qenë para një shekulli. Në të vërtetë zanafilla e “Klubit të Osmanllinjve” është shumë më e hershme se kaq.
Kafeneja merrte një pamje edhe më idilike, pasi buzë lumit ngriheshin disa mullinj. Aty ndodhej edhe pellgu i madh i Ujit të Bekuar, ku hidhej kryqi çdo fillim janari. Frekuentimi i kafenesë nga intelektualët më të njohur të Korçës, i jepte asaj një status të veçantë.
Poeti Ziko sjell këtë përshkrim për kafenenë “Panda”:
“…Shtrati i tij (i lumit) ishte i ndryshëm dhe i çregullt, dhjetë, dymbëhjetë e më shumë metra i gjerë. Në kafeneja e Pandës ishte i thellë dhe midis dy brgjeve të tij ishte hedhur një urë e varur e drunjtë pa parmakë anash që lëkundej po të ecje me nxitim. …Më poshtë nga kjo urëz, ishte mulliri i Xhoxhit dhe një urë e ngushtë prej betoni, pas së cilës ndodhej gropa e thelluar, që zihej dhe bëhej një pellg i madh ku hidhej kryqi ditën e Ujit të Bekuar çdo gjashtë janar. Më poshtë, mbi një shkëmb masiv të zi në mes të shtratit të lumit ishte mulliri i Pilos…” (“Vangjush Ziko, “Korça, qyteti dhe kujtime”, f. 24)
Nga intelektualët më të njohur të Korçës të vitit 1909, po përmendim: botuesi i gazetës së parë shqiptare në Korçë, Sami bej Pojani; Mytesarifi i Korçës, z Nazim; deputeti Shahin Kolonja; prokurori në Selanik, Abdyl bej Ypi; kryetari i Bashkisë Korçë, avokati Belul efendiu; mjeku i Bashkisë Korçë, Zejnel efendiu; mjeku i Manastirit, Haki Mborja; avokati Nuri Efendi; mytesarifi i Sivereqit, Shefqet Frashëri; mytesarifi i Samsunit, Medi bej Frashëri; Qani pashë Leskoviku, Ismail bej Leskoviku, deputet i Bali-Qesrës, Siri bej Leskoviku; nëpunës i Bankës së Follorinës Riza efendi; drejtor i Postës së Korçës, Mehmet Ali Dibra; gjykatës në Konicë, Xhafer Ypi; kajmekan i Kolonjës, Rifat Habib beu etj. Megjithse shumë prej tyre punonin larg Korçës, ata ishin gjithnjë frekuentues së kafenesë së famshme.
Kafeneja ishte pronë e Mirahorëve, e njerëzve që themeluan qytetin e Korçës. Personi me emrin Pandë, (ose Pandi), e kishte në përdorim me qira. Veç lokaleve të tjera, Mirahorët kishin edhe një klub tjetër po kaq panoramik, i cili quhej kafeneja “Plakoci”, pasi aty shërbente një plak me emrin Koci. Lokali ishte ndërtuar në krye të një lëndine të quajtur ndryshe “Lëndina e Lotëve”. Edhe kjo lëndinë ishte pronë e Mirahorëve, ashtu sikurse lulishtja “Themistokli Gërmenji”, “Bregu i Shëndëllisë”, territoret pranë kishës së “Shën Triadhës” dhe pjesa te lokali “Valbona”. Disa prej trojeve u ishin dhënë komuniteteve ortodokse për varreza.
Megjithatë, “Klubi i Osmanllinjve” vijonte të mbetej kafeneja më e famshme e qytetit të Korçës. Për problemet e tyre, myslimanët mblidheshin te medreseja pranë Xhamisë së Madhe, ortodoksët te Mitropolia, kurse vllehët dëgjonin fjalën e Papallambro Ballamaçit, por kur shihej e arsyeshme që myslimanë dhe ortodoksë të mblidheshin bashkë në të njëjtin vend, përzgjidhej ose “Klubi i Osmanllinjve”, ose kafeneja e Plakocit e cila më pas mori emrin birrari “Dinamo”. Në këto dy lokale intelektualët mblidhnin përfaqësues të komuniteteve sa herë që mes tyre shfaqeshin konflikte:
“Të premten që na shkoi, më 18 të këtij, u mblodhë në Medrese të gjithë ndënjësit e Kasabasë (qytetit të Korçës), pas thirrjes nga ana e Mytesarifit dhe u vëllazëruan. Të nesërmen, më 19, Mytesarifi thirri të gjithë ndënjësit e Korçës si myslimanë dhe të krishterë, shqiptarë, grekomanë dhe vllenj që t’i paqësojë dhe që të gjithë u mblodhë në “Klub të Osmanllinjve”. Pas shumë këshillave që u dha Mytesarifi u vendos se, që sot e tutje populli duhet të harrojë çdo armiqësi midis tij edhe të vëllazërohet, që të mundë të mbretërojë një paqe e plotë…” (Gazeta “Korça” 15 vjesht’ e II-të 1909)
Jo rrallë herë komunitetet e ndryshme fetare kishin probleme mes tyre, për këtë arsye, intelektualëve u duhej të jepnin ndihmesën e tyre për bashkim dhe përparim. Në kronikën e mëposhtme bëhet fjalë për kontradiktat mes vllehëve dhe Mitropolitit të Korçës:
“Në mbledhjen që u bë pardje në klubin “İttihat ve Terakki” (Bashkim dhe Përparim), u ndodh edhe Mitropoliti i Korçës, i cili ishte i pari që trokiti duart duke vërtetuar fjalën e Mytesarifit. Në atë mbledhje, si kundër fort bukur u muar vesh, u bë fjalë për vëllazërimin e kundërshtimtarëve që rrojnë në Korçë, edhe u vendos prej të gjithve një zotim për të mbajtur vëllazërinë. Po kundër gjithë zotimeve, Mitropoliti i Korçës, në dëshirën që shfaqi prifti vllah Papallambro, me ca vllenj të tjerë, për ta vizituar për emrin e tij, u përgjigj se s’mund t’i qasë në Mitropoli, duke rrëfyer kështu një armiqësi kundër këtyre vëllëzërve. I lutemi shoqërisë “İttihat Anasir” të marrë ato masa që lipsen për këtë punë, që të harrohen ato të parat, të cilat thamë t’i lëmë”. (Gazeta “Korça”, 15 vjesht’ e II-të 1909)
Siç e thamë edhe më sipër, intelektualët e qytetit të Korçës mblidheshin edhe për të ndihmuar të varfërit. Për arritjen e këtij qëllimi organizoheshin shfaqje teatrale, jepeshin koncerte etj, me qëllim mbledhjen e fondeve. “Klubi i Osmanllinjve” ishte gjithnjë në shërbim të aktiviteteve të tilla:
“Ca ditë më përpara oficerët e Korçës lojtën një thjatro, ku u mblodhën 3.500 grosh. Këto të holla u ndanë nëpër të vërfërit myslimanë e të krishterë. Oficerët, për këtë mirëbërje, i urojmë”
(Gazeta “Korça”, 31 mars 1909)
(Gazeta “Korça”, 31 mars 1909)
Aktivitetet kulturore ishin të shumta:
“Këto ditë nën kryesinë e mytesarifit të Korçës për të ndihmuar shkollat e myslimanëve që ndodhen nëpër fshatrat e Korçës do të luhet një thjatro nga nëpunësit e nga gjithë mësonjësit e shkollave oficiale. Shpresohet se mjaft të holla do të mblidhen. Padyshim asnjeri do të mos mbetet pa vajtur të shohë këtë thjatro, q’e cila do të bëhet me një vërejtje të madhe. Urojmë gjithë ata zotërinj që mejtojnë të këtilla mirëbërje që janë të dobishme për atdhenë”. (Gazeta “Korça”, 1 vjesht’ e II-të 1909)
Vëmendja e intelektualëve drejtohej herë pas herë ndaj nxënësve të shkollave. Në Klubin e Osmanllinjve mund të akomodoheshin deri në 600 veta:
“Më 24 tetor të këtij muaji, në sallën e “Klubit të Osmanllinjve” me shtytjen dhe nën mprojtjen e mytesarifit, zotit Nazim, i cili është një zot i zotëruar sipas kohës dhe pas dëshirës t’atyre që dëshirojnë lirinë dhe mbrothësinë për fitim të shkollave të myslimanëve nga ana e oficerëve dhe të nëpunëseve përpara 600 shpirtrave u lojt një dramë fort e bukur sa të gjithë dëgjonjësit mbetën në habitje dhe në kënaqje të madhe. Atë natë “Banda e Lirisë” lojti marshet e bukura si mbyllej nap’ e thjatros, (perdja), ku secilit do i përgëzoheshe dhe i lëftonte zemra, dyke dëgjuar ato këngë e shijime që delnin prej atyre veglave që mbanin ata të lartrit djem shqiptarë. Kjo thjatro, thomi, se la më shumë se 60 lira turke, një fitim që të cilat do të prishen për mbrothësitë e shkollave që thamë më sipër. Urojmë gjithë organizatorët e kësaj vepre të nevojshme q’është një çap për përparimin e vendit dhe u lutemi që gjithnjë të mendojnë të këtilla shërbime që të qeshë syri dhe fytyra e kombit”
(Gazeta “Korça”, e enjte, 29 vjesht e II-të 1909)
Edhe drama “Besa” e Sami Frashërit një nga dramat më të bukura të luajtura në qytetin e Korçës, u shfaq te “Klubi i Osmanllinjve”:
Pas zëdhënieve që u botuan në Korçë edhe afisheve që u ngjitën nëpër mure, të dielën që shki, më 13 të këtij, u lojt drama “Besa” prej amatorësh shqiptarë në sallën e Klubit të Osmanllinjve”. Biletat, të cilat nisnë të përndahen që dy-tri ditë më pare, u shitnë pothuaj që të gjitha, po sikur të ishte salla më e madhe do të ishin shitur edhe më shumë bileta, po komisioni i theatros kishte vendosur që të shesë vetëm aq bileta sa frona nxinte salla, që të mos rrinte bota në këmbë. Nisjen e theatros e bëri “Banda e Lirisë”, duke luajtur ca marshe shumë të bukura…”.
(Gazeta “Korça”, e premte 18 dhjetor 1909)
“Banda e Lirisë” ishte shoqëruesja e denjë e intelektualëve të “Klubit të Osmanllinjve”, e cila interpretonte këngët më të bukura shqiptare, ndryshe nga Mitropolia e cila shoqërohej nga grupi muzikor “Anagjenisi” (Përlindja), që përpiqej të helenizonte kulturën e Korçës. Kronika e mëposhtme sjell një atmosferë të tillë
“Pas programit të hyqymetit, më orën 2, u mblodhë në oborr të hyqymetit duke ardhur me radhë Katundaria, klubi “Dituria Shqip”, “Banda e Lirisë” që habiti gjithë botën me rrobat e bukura, Mitropolia me muzikën, “Klubi Osmanlli” e të tjerë… Më orën 10, “Banda e Lirisë” zbriti duke kënduar në “Klub të Shqiptarve” ju këndojti gjer në orën 11, pastaj me pleqësinë në krye, vanë në kafenenë të Plakocit. Në tryezë fjalën e mbajti Mytesarifi duke dëftyer shënimin e kësaj dite të shënuar. Të dytën fjalë e mbajti Avni beu, kryesonjës i cemietit ( komunitetit), duke iu lutur Perëndisë për të shtuar vëllazërinë e dashurinë e të gjithë kombeve, të tretën fjalë e mbajti z. Idhomene Kosturi në emër të “Klubit të Shqiptarëve”. Pas z. idhomene mbajti fjalë dhespoti, pastaj z. M. Bullamaçi, Fundin e fjalëve e mbajti z. Belul efendiu, kryekatundar i qytetit të Korçës…”
(Lidhja ortodokse, e premte, 31 korrik 1909)
Në një rast tjetër thuhet:
Në orën 4 të natës vizituan “Bandën e Lirisë” zyrtarët e “Klubit të Osmanllinjve”, ku direktori i gjimnastos (Sami bej Pojani, botues i gazetës “Korça”), mbajti një fjalë të bukur, duke mbaruar (me fjalët): Rroftë kombi shqiptar, përjetë rroftë!
(Lidhja Ortodokse, e hënë, vjesht e III-të 1909)
Tashmë dikush mund të thotë, si ka mundësi që jo vetëm kafene “Panda” dhe kafene “Plakoci”, por edhe “Lëndina e Lotëve” edhe “Bregu i Shëndëllisë”, edhe lulishtja “Themistokli Gërmenji”, vendet më të bukura të Korçës, paskan qenë pronë e Mirahorëve?! Përgjigja është e thjeshtë. Gjithçka ka mbetur e shkruar në kronikat e një shekulli më parë. Kur varrezat u hoqën nga “Lëndina e Lotëve” dhe nga “Bregu i Shëndëllisë”, pasardhësit e Mirahorëve deshin t’i merrnin sërish sepse ishin prona të tyre. Kjo kërkesë e vitit 1923, u shndërrua në çështje dite:
“Çështja e ditës, është çështja e kopështit “Themistokli Gërmenji” dhe “Lëndina e Lotëve”. Këto vise kërkon të zapotojë i përndershmi Kadi Myfti i Korçës duke thënë se këto janë vise të Vakëfit…, Gjithë kështu dëgjohet se Mytevelinjtë e Korçës kërkojnë të zaptojnë bregun e Shën Ilisë…
(Gazeta “Koha”, 10 mars 1923)
Çështja e mësipërme shkoi deri në Qeveri:
“Ministria e Punëve të Bendshme dha autorizimin që të mblidhet jashtëzakonisht për tri ditë Kuvendi i Bashkisë së këtushme (Korçë) për të biseduar mbi çështjen e truallit të vorrezave, çështje për të cilën Bashkia e qytetit është në konflikt me Vakëfin”.
(“Gazeta e Korçës”, e diel, 3 mars 1935)
(“Gazeta e Korçës”, e diel, 3 mars 1935)
Edhe pjesa nën rrugë e “Lëndinës së Lotëve”, pranë lokalit “Valbona”, ishte gjithashtu pronë e Mirahorëve:
Një tokë prej gjashtë dynymësh, që ndodhet kundrejt kafenesë së Plakocit nxirret në ankand. Kush dëshiron të blerë këtë arë, le të adresohet në zyrën e Vakëfit
Nga zyra e Vakëfit Korçë.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 15 gusht 1925)
Megjithatë, edhe pse që nga zanafilla e “Klubit të Osmanllinjve” ka kaluar më shumë se një shekull, edhe sot e kësaj dite ai mbahet mend si “Klubi i Osmanllinjve” i intelektualëve të Korçës, që u përpoqën për bashkim dhe përparim. Gjithashtu, edhe pse u tentua t’i vihej një emër tjetër, ta quanin “Parajsa”, përsëri as ky emër nuk ngjiti. Kujtesa e qytetit nuk mundi të zhbëhej:
“E plotësuam kafenenë tonë me tërë sendët e duhura sipas sistemit të ri, që të mbushë dëshirat e popullit që të shkojnë një kohë të ëmbël. Për çdo të diel dhe të kremte do të dëgjojnë të famshmin Rushan Hajro në kafenenë tonë.
Pandë V. Osmanlli”
(Gazeta “Koha”, e shtunë, 7 korrik 1923)
Edhe Pandi që shërbentë në këtë lokal, për shkak të emrit që mbante kafeneja, u quajt Pandë Osmanlliu. /tesheshi.com/