Nga Blendi Gashi
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili është kryetar i parlamentit, ka një kohë të gjatë që sillet sikur të jetë kryeministër i vendit.
Ai, me premtimet që po jep në terren po tejkalon tërësisht kompetencat që i takojnë një kryekuvendari, e po luan rolin jo veç të kryeministrit, por edhe të udhëheqësit të dikastereve qeveritare.
Bën premtime a thua se Kuvendi i Kosovës ka buxhet të veçantë, për të ndihmuar të varfërti dhe të jep shpërblime në sport, e që vendim të tilla mund të marrë vetëm qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse.
Por Veselit siç duket aspak nuk i bën përshtypje një gjë e tillë, apo ndoshta e bën me qëllim që të lë jashtë loje kryeministrin Isa Mustafa dhe dy ministrat e tij, të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe ministrin e sportit Kujtim Shala.
Ja ministrat e qeverisë “Mustafa” që la jashtë Kadri Veseli me premtimet që bëri
Tri rastet më të freskëta që tregojnë se kryeparlamentari Veseli po del jashtë përgjegjësive të tij janë; premtimi për miratimin e ligjit për “Trepçën”, premtimi për shpërblimin e futbollistëve të përfaqësueses me 100 mijë euro dhe premtimi për ndërtimin e një shtëpie për një ish luftëtarë të UÇK-së.
Në vizitën që bëri me datë 1 tetor në gjigantin metalurgjik “Trepça”, kryekuvendari Veseli la në hije bashkëpartiakun e tij, ministrin e zhvillimit ekonomik, Blerand Stavileci.
Në vend se ky i fundit të premtonte se qeveria do ta procedojë projektligjin për “Trepçën” për miratim në Kuvend, këtë e bëri Veseli.
“Gjatë vizitës në horizontin e dhjetë të ‘Trepçës’, i sigurova minatorët se në ditët e ardhshme do të procedohet për miratim projektligji për ‘Trepçën’. Me ligjin e ri, ‘Trepçës’ do t’i hapet rruga për rivitalizm dhe do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Veseli.
Një rast tjetër që tregon se kryeparlamentari del jashtë përgjegjësive të tij është premtimi që bën për futbollistët e përfaqësueses që në rast se Kosova kualifikohet në Botërorin që mbahet në Rusi.
Një premtim të tillë ka kompetenca ta jep kryeministri apo ministri i Sportit, Kujtim Shala, por Veseli la në hije edhe këtë të fundit.
“Në Drenas, kalova çaste të veçanta me lojtarët e përfaqësueses sonë të futbollit gjatë stërvitjes së tyre. Me këtë rast, konfirmova shpërblimin prej 100 mijë euro për secilin pjesëtar të reprezentacionit, nëse arrijmë të kualifikohemi në Kampionatin Botëror. Lojtarët ishin entuziastë për lojën ndaj Kroacisë, ndërsa unë bashkë me mijëra tifozë, do t’i përcjellim dhe do t’iu japim përkrahje në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër”, tha më date 3 tetor Veseli gjatë një vizite që i bëri përfaqësueses së futbollit.
Premtimi i tretë ku Veseli del jashtë kompetencave të tij është ai i bërë nga se do të ndërtojë një shtëpi për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lavdim Ademin, në fshatin Stantërg të Mitrovicës.
“Jam sot këtu në familjen e juaj, pikërisht në Ditën e bamirësisë që Kuvendi e ka shpallur 5 Shtatorin. Ne si Kuvend, tanimë, kemi marrë vendim dhe jemi duke pritur që brenda pak ditësh edhe Komuna e Mitrovicës ta ndajë një parcelë dhe të fillojmë ndërtimin e shtëpisë para sezonit të dimrit. Këtë e kemi obligim ndaj fëmijëve të Lavdimit, ndërsa nuk do të ndalemi së ndihmuari edhe familjet tjera në nevojë”, u ka thënë Veseli familjarëve të Lavdim Ademit, gjatë vizitës që i bëri kësaj familje me date 5 shtator.
Edhe ky premtim është vlerësuar jashtë kompetencave të kryeparlamentarit dhe si i tillë është dashur të bëhet nga ministri për punë dhe mirëqenie sociale që drejtohet nga ministri i LDK-së Arban Abrashi.
Adem Salihaj i LDK-së: Kadri Veseli po tregon fuqinë e SHIK-ut
Deputetë të LDK-së dhe analistë në vend thonë se kryekuvendari Kadri Veseli po sillet sikur të jetë kryetar qeverie duke dale tërësisht jashtë përgjegjësive të tij.
Adem Salihaj thotë se Kadri Veseli po mundohet të jetë njëkohësisht kryeministër, president dhe kryetar parlamenti.
Ai thotë se është situatë tepër e keqe për Kosovën që ka në krye të organit më të rëndësishëm një njeri mafioz e kapo të krimit të organizuar.
“Ai (Veseli) po mundohet të jetë gjithçka e kudo, t’i luajë të gjitha rolet, edhe të kryeministrit,edhe dhe të ministrit të kulturës e sportit, më përgjegjësinë e të cilit është çështja e shpërblimit të sportistëve. Askush nuk ka të drejtë të premtojë në atë mënyrë dhurata qindra mijëra eurosh, pa asnjë kriter ligjor dhe pa asnjë kompetencë. Këto çështje janë të rregulluara me akte nënligjore dhe administrative. Marrja e kompetencave të kryeministrit, të presidentit, të ministrit të sportit, ministrit të punës e mirëqenies sociale, nuk është asgjë tjetër, përveç një përpjekje për të grumbulluar kompetencat e të gjithëve dhe për ta treguar fuqinë e organizatës kriminale SHIK dhe dominimin e saj mbi të gjitha organet legale të Kosovës”, thotë deputeti Salihaj, për tesheshi.com.
“Veseli ndoshta po e ngatërron qëllimisht postin që e ushtron”
Poashtu edhe analisti politik, Faik Krasniqi, thotë se kryekuvendari Kadri Veseli nuk duhet të bëj premtime të tilla, pasi janë kompetencë vetëm e kryeministrit dhe qeverisë.
“Ose z.Veseli është duke e ‘ngatërruar’ postin të cilin e ushtron, ose këtë gjë është duke e bërë qëllimisht, sepse me këtë po tregon që në një të ardhme shumë të afërt, ai do ta merrë timonin e qeverisë, pasi në terren vazhdimisht është duke bërë premtime të tilla.
Sidoqoftë, premtime të tilla të realizueshme do të ishte mirë të bëheshin nga ana e kryeministrit Mustafa, sepse është motivim i madh për futbollistët e përfaqësues tonë dhe ndihmë për njerëzit me gjendje të rëndë ekonomike”, thotë Krasniqi, për tesheshi.com.
Rregullorja e Kuvendit: Neni 17
Përgjegjësitë e kryetarit të Kuvendit
- Kryetari i Kuvendit e përfaqëson Kuvendin, e propozon rendin e ditës së mbledhjeve të Kuvendit, i thërret dhe i kryeson mbledhjet, i nënshkruan aktet e miratuara nga Kuvendi, kujdeset për rend e rregull në mbledhje dhe ushtron funksione të tjera, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kryetari e bën interpretimin përfundimtar të Rregullores gjatë mbledhjes plenare.
- Kryetari i Kuvendit, në përputhje me nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e ushtron funksionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, nëse Presidenti përkohësisht nuk është në gjendje t’i kryejë detyrat kushtetuese.
- Kryetari i Kuvendit mund ta ushtrojë postin e ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës deri në gjashtë (6) muaj. /tesheshi.com/