Juventusi e reflektoi dhe në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë formën e shkëlqyer që ka në kampionat. 3-0 ka përfunduar për torinezët përballja e mbrëmshme ndaj Interit, duke u dhënë atyre një avantazh të qartë për takimin e dytë.
Morata, sulmuesi spanjoll, ka hapësira të kufizuara në kampionat, por atëherë kur i jepet mundësia shfaq të tërë potencialin e tij, gjë që e bëri dhe mbrëmë. Dy gola erdhën prej këmbëve të tij, një në minutën e 36-të dhe një në të 63-tën.
Goli i sigurisë u shënua nga Dybala shtatë minuta para mbarimit të ndeshjes. Ndërkohë që Interi qe detyruar pak më herët të luante me dhjetë lojtarë, pas daljes me të kuqe të Murillo-s.
Ndërsa asgjë nuk ka mbaruar, pasi gjysmëfinalja e dytë do të luhet më 2 mars, duhet thënë se misioni i Interit për eliminimin e Juventusit duket thuajse i pamundur. Megjithatë, deri në mars gjithçka mund të ngjasë, Juventusi të pësojë rënie në lojën e vet, e Interi të bëjë të kundërtën. /tesheshi.com/