Nga Eva Gjura
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një intervistë për “tesheshi.com” bën një analizë të situatës ekonomike në vend. Sipas saj, tashmë pas dy vjetësh qeverisjeje të vendit nga e majta shqiptarët kanë kuptuar se kjo qeveri ka hedhur në koshin e plehrave të ashtuquajturën kontratë me shqiptarët.
PD po harton platformën e saj ekonomike duke u përgatitur kështu për zgjedhjet e ardhshme. Në platformën e saj ekonomike, PD-ja propozon taksën e sheshtë me nivelin më të ulët në Ballkan,që do të mbështesë biznesin, do të hapen vende pune etj. Çfarë ju bën të besoni se shqiptarët do t’ju besojnë kur edhe më parë PD garoi me pothuajse këto premtime, po humbi thellë?
Në këto tre vjet qeverisje të gjithë qytetarët e kanë të qartë që qeveria e ka hedhur në koshin e plehrave të ashtuquajturën kontratë me shqiptarët. Paketat fiskale të tre viteve si edhe ligjet e gjobave, janë dëshmi e filozofisë armiqësore dhe gati-gati banditësh që qeveria ka ndaj biznesit dhe sipërmarrjes private. Kuptohet ndaj atij biznesi dhe sipërmarrje që nuk është e lidhur me qeveritarët dhe oborrin në një mënyrë apo në një tjetër.
Përballë një oferte të gënjeshtërt që ka sjellë si produkt taksa dhe tarifa më të larta që kanë vështirësuar jetën e qytetarëve duke rritur kostot e çdo shërbimi apo të mirë ndërsa të ardhurat janë gjithnjë e në rënie. Biznesit i ka vendosur gjoba, mjafton t’ju kujtoj që në 2015 biznesi pagoi 1.7 mln euro gjoba, pra 2 herë më shumë se sa viti 2014, po këtij biznesi qeveria në dy vjet i ka rritur taksat me mbi 44 mld lekë.
Partia Demokratike ka një ofertë që ka si synim çlirimin e biznesit duke mos i rënduar me taksa dhe tarifa që shkojnë për fasadat qeveritare, por që ato para të përdoren nga biznesi për të rritur pagat dhe punësimin. Në dy vjet, vendi nuk ka pësuar asnjë rritje të pagave jo vetëm buxhetore, por edhe ato të kompanive private dhe kjo është një e dhënë e INSTAT.
Gjithashtu, paketa e opozitës ka si synim që të rikthejë konkurueshmërinë që është parimi primar i Ekonomisë së Tregut. Nga parlamenti që në votimin e Paketës së parë fiskale kemi drejtuar gishtin ndaj paketave fiskale që favorizojnë biznese në oborrin qeveritar. Paketa jonë fiskale dhe ekonomike është e tillë që zhduk këto diferencime, një taksim i sheshtë që është më i ulëti në Ballkan dhe një sistem taksash lehtësuese për bizneset nuk jep mundësi për favorizime.
Madje, paketa është e ndërtuar që të mundësojë dhe të rrisë investimet e huaja që për të tretin vit në radhë kanë pësuar rënie. Në thelb, mendojmë që shqiptarët do të gjykojmë më lehtësisht ofertën e opozitës duke jetuar me premtimet e lugës bosh që kjo qeveri dha këto tre vjet.
Qeveria ka dhënë me koncesion TVSH. A është normale një procedurë e tillë, është praktikë e ndjekur edhe në ndonjë vendet tjetër, apo kjo tregon se shteti po falimenton?
Nuk ka asnjë praktikë të tillë në asnjë prej vendeve të botës duke qenë se mbledhja e të ardhurave është një praktikë tërësisht shtetërore. A tregon kjo që shteti po falimenton? Unë mendoj që kjo tregon që qeveria është e paaftë të qeverisë një vend. Pjesëtarë të kësaj qeverie mund të jenë shumë te aftë në arredimin dhe mobilimin e zyrave, mund të jenë shumë e aftë si kuratorë apo restauratore fasadash, por kjo nuk ka lidhje të drejtë për drejtë me parimin kryesor të një qeverie.
Të dorëzosh mbledhjen e të ardhurave e sidomos një të ardhure kaq të rëndësishme si ajo e TVSH-së me koncesion, një kompanie që është fantazmë dhe që sipas investigimeve të fundit është një kompani guaske është më së paku paaftësi. Këtu nuk kemi të bëjmë më me një justifikim “qeveria nuk e bën dot”, nëse qeveria nuk kryen dot mbledhjen e te ardhurave atëherë ajo qeveri jep dorëheqjen dhe drejtimin e merr një qeveri tjetër.
Pas dhënies me konçesion të TVSH duket se qeveria do të japë me konçesion edhe taksa mbi pronën. Çfarë do të thotë kjo, është normale që të jepet me konçesion gjithçka, po shteti çfarë bënë ?
Një qeverie, e cila nuk është e zonja dhe e aftë që të mbledhë taksa dhe t’i shpenzojë ato në mënyrë efiçente atëherë është një qeveri e dështuar. Por, siç edhe jemi koshient kjo qeverisje dhe kjo mazhorancë është shumë pak e arsyeshme në veprimet që bën dhe për këtë shkak ne duhet të presim prej kësaj pikërisht të papritshmen. Kostot e këtyre konçesioneve do të jenë të mëdha dhe të gjitha rëndojnë në buxhetin e shtetit, duke qenë se kjo qeveri do të përpiqet të nënshkruajë kontrata të rënda në kurriz të shqiptarëve për interesat e saj personale.
Është bërë publike në media se Crown Agents i ka raportuar kryeministrit Rama për punën e keqe në dogana. Sipas tyre, ky institucion është zhytur në korrupsion e kontrabandë. Por qeveria nuk ndan të njëjtin mendim. Duke e parë në këtë këndvështrim kush nuk po thotë të vërtetën qeveria apo Crown Agents?
Përpara se të bëhej publike raporti i kompanisë britanike, ne kemi patur plot evidenca dhe të dhëna të tjera që faktojnë abuzimet dhe korrupsionin. Për dy vjet me radhë kemi patur mosrealizime të mëdha nga ana e drejtorive të Doganës dhe Tatime, mosrealizime në raport me rritjen e taksave dhe të ardhurave. Më sipër përmenda që në total taksat janë rritur 44 mld lekë në dy vjet, vallë a kemi një rritje të të ardhurave në këtë nivel? Natyrisht që jo. A kemi ulje të kontrabandës? Absolutisht që ka ndodhur e kundërta, sidomos në mallrat e akcizës si nafta dhe cigarja ku trajektorja e kontrabandës është në rritje.
Veç të dhënave që shihen në buxhetin e Ministrisë së Financave, mjaftojmë t’ju kujtojmë se një nga zv. drejtoreshat e Doganave është arrestuar për çështjen e naftës Virgin. Raporti i KLSH-së raporton abuzime me shifra marramendëse sa i takon drejtorisë së Doganave. Prandaj, raporti i Crown Agents është thjesht një tjetër provë që dëshmon këtë banditizëm të qeverisë. E rëndësishmja e raportit mund të përmblidhet në dy pika; së pari, qeveria pagoi 8.2 mln euro nga taksat e shqiptarëve në dy vjet që Crown Agents të prodhonte një raport që tregonte se në një vit doganat kanë abuzuar me mbi 15 mln euro, duke konfirmuar pretendimin e opozitës. Së dyti, Crown Agents rivërtetoi edhe një herë që qeveria drejtorët më të korruptuar nuk i procedon penalisht, por i gradon me poste publike të rëndësishme. Mjafton të shohim se ku ndodhen sot drejtorët e akuzuar nga Crown Agents për periudhën Shkurt 2014-2015. Prandaj nuk kam ndonjë habi që shoh mohimin e deri linçimin publik të atyre që demaskojnë abuzimet.
Ministri i financave Cani ka deklaruar se tashmë paketa fiskale e 2017-s do miratohet që në korrik. Çfarë ndryshimi ka nëse bëhet në gusht apo në nëntor e dhjetor, çfarë përfitojnë shqiptarët nga kjo?
Këto janë deklarata në kuadrin e propagandës së qeverisë, që shumica e shqiptarëve gjykoj se “ia ka pirë lëngun” tashmë. Si përgjigje ndaj kësaj pyetje mund t’ju them se Ministria e Financave që në mbledhjen e parë të Komisionit të Ekonomisë deklaroi se kishte gabuar sa e sa parashikime sa i takon të ardhurave. Ministri i Financave deklaroi dhe se kishin bërë gabim, që nuk ishin konsultuar me bizneset për rritjen e taksave e në vijim do të konsultoheshin. Po çfarë vlere ka kur nuk ka ngelur me takse pa u rritur? Do ta ftoja qeverinë dhe veçanërisht ministrinë e Financave që të jenë më të vëmendshme në buxhetin aktual që me sa duken gjasat do të jetë një tjetër dështim i suksesshëm dhe për fatin e keq janë shqiptarët që vuajnë nga kjo.
FMN “harron” të lëvrojë dy këstet e kredisë për Shqipërinë, pse ky qëndrim i FMN, çdo të thotë kjo për ekonominë shqiptare?
FMN ka kuptuar tanimë që kjo është qeveria e “shumë fjalë e pak vepra”. Përpara disa javësh FMN deklaroi se qeveria ka sjellë në kuvend dhe ka aprovuar paketa fiskale klienteliste, po kështu ka vërejtur edhe kundërshtimet e opozitës që ka argumentuar se qeveria paratë e marra nga FMN i ka përdorur për fasada dhe jo në shërbim të ekonomisë. Mos lëvrimi i këstit për qeverinë tregon se kjo qeveri edhe ndërkombëtarisht nga një institucion që e solli me bujë dhe që e përdori për reforma të dhimbshme për qytetarët e vendit ka ngelur në klasë. Ka shume raporte ndërkombëtare qe citojnë problematikat e financave publike. Raporti i fundit i KE ngrinte shqetësim për rënien e të ardhurave e shpenzime, por sidomos të investimeve kapitale me 17,9%. Të gjithë këto sigurisht që pohojnë shqetësimet që kemi ngritur me kohë! /tesheshi.com/