Sekretari amerikan i Shtetit planifikon ta vizitojë Turqinë gjatë këtij muaji, duke shënuar të parën vizitë të një shtetari të lartë perëndimor që pas puçit të 15 korrikut.
“Mendoj se sekretari i Shtetit po vjen më 21 (gusht),” deklaroi presidenti turk në një intervistë të drejtpërdrejtë në transmetuesin shtetëror TRT.
Nëse vizita e sekretarit amerikan të Shtetit konfirmohet, atëherë ajo do të kryhet në një kohë tensioni mes dy aleatëve, posaçërisht për shkak të qëndrimit amerikan ndaj përpjekjes së dështuar ndaj puçit ushtarak.
I akuzuar si ideatori i përpjekjes së përgjakshme për grusht shtet, Fethullah Gyleni është kërkuar të ekstradohet në Turqi. Ai jeton prej vitesh në Pensilvani, dhe për të ka së fundi dy kërkesa zyrtare turke për autoritetet amerikanë që ta ekstradojnë.
Një kërkesë që deri tani nuk ka gjetur një përgjigje pozitive, pavarësisht pakënaqësisë së hapur të shprehur nga Turqia.
Gjatë intervistës, presidenti Erdogan ka njoftuar gjithashtu se një delegacion turk, i kryesuar nga ministri i Jashtëm dhe ai i Drejtësisë, do të udhëtojë në dy javët e ardhshme drejt SHBA-ve, posaçërisht për t’u shpjeguar nga afër zyrtarëve amerikanë rolin e Gylenit në puçin ushtarak.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, nuk ka pranuar të komentojë nëse Kerry do ta kryejë vizitën në Turqi. /tesheshi.com/