Nga Alessio Marchionna, Internazionale
Ka ndodhur më shumë se një herë që një president amerikan në detyrë të ketë dalë keq në debatin e parë televiziv përballë kundërshtarit të tij. Në vitin 2012, Barak Obama mori një qasje krejtësisht të gabuar dhe i dha republikanit Mit Romnit mundësinë për t’u rikthyer në garë (Obama u rikthye fuqishëm në debatin e dytë, dhe i fitoi lehtësisht zgjedhjet e atij viti).
Kështu ndodh zakonisht, sepse i zënë me punët e shumta që i imponon posti, presidenti nuk ka shumë kohë dhe energji mendore për t’iu kushtuar debatit, në dallim nga kandidati tjetër. Por nuk ishte ky rasti me Joe Biden. Në pritje të përballjes me Donald Trump më 27 qershor, presidenti kaloi një javë të tërë duke u përgatitur me bashkëpunëtorët e tij.
Ai e dinte se rreziqet për të ishin shumë më të larta se sa për çdo president tjetër në të kaluarën, pasi askush nuk ka kandiduar për një mandat të dytë me një nivel popullariteti kaq të ulët. Por edhe sepse atij i duhej një paraqitje e mirë dhe qëndrueshme për të kthyer gjërat në favorin e tij.
Kjo ishte edhe një nga arsyet pse e nxiti stafin e tij që të kërkonte një debat televiziv që në qershor, pra shumë më herët se sa zakonisht. Por gjërat nuk shkuan aspak mirë. Versioni i Biden që u prezantua para kamerave të CNN, është shumë i ngjashëm me atë që republikanët dhe Donald Trump janë përpjekur t’i shesin prej muajsh popullit amerikan: i pasigurt, i dobët, shumë i brishtë.
Dhe tani dyshimet e demokratëve mbi aftësinë e udhëheqësit të tyre për të menaxhuar fushatën elektorale, të pëshpëritura nën zë prej muajsh, janë të destinuara që të dalin hapur.
Por së pari le të shohim shkurtimisht se çfarë ndodhi mbrëmjen e të enjtes. Debati prodhoi disa momente vërtet të sikletshme për presidentin.
Sikurse raporton e përditshmja amerikane Washington Post, Biden foli në momente të ndryshme me një zë të ngjirur dhe të pafuqishëm. “Ai u pengua pas fjalëve dhe argumenteve të tij”- thekson ndër të tjeta WP. Momenti më i keq, në fillim të debatit, ishte çasti kur ai u përpoq të thoshte diçka mbi sistemin shëndetësor, por nuk mundi ta përfundonte dot mendimin e tij brenda kohës së përcaktuar.
Trump e përdori më vonë atë moment, kur debati u rikthye tek emigracioni. Biden tha: “Unë do të vazhdoj të marr masa, derisa të arrijmë tek ndalimi i plotë i përpjekjeve për të hyrë në vendin tonë”. Ndërkohë Trump tha me ironi: “Në fakt unë nuk e di se çfarë tha ai në fund të fjalisë!”.
Momentet e vetme, në të cilat Biden dukej i aftë të dëmtonte imazhin e Trump, ishte kur diskutimi u ndal tek sulmi i një turme ndaj Kongresit nga mbështetësit e kandidatit republikan më 6 janar 2021, si dhe tek problemet e shumta të ish-presidentit me drejtësinë. Biden kritikoi pretendimet e Trump se protestuesit e 6 janarit po persekutohen nga drejtësia, një mendim që nxit ende diskutime tek shumica e amerikanëve.
Ai vuri në dukje dënimet penale të Trump nga një gjykatë në Nju Jork, teksa përmendi gjyqet e tjera të ish-presidentit. Trump u kufizua në përsëritjen e pretendimit se gjyqet ndaj tij janë pjesë e një gjuetie shtrigash, një qasje që ndahet edhe nga votuesit e tij më besnikë, por që nuk është shumë bindës për votuesit e moderuar dhe ata që nuk identifikohen me asnjë nga dy partitë kryesore.
Sondazhet e kryera pas dënimit penal të Trump, treguan një rënie të kandidatit republikan në mesin e votuesve të pavarur. Kandidati republikan, i cili dukej shumë më komod në artikulimin e fjalimit të tij, konfirmoi edhe një herë prirjen për të bërë deklarata të rreme ose shumë të dyshimta.
Zgjedhja e moderatorëve për të mos ndërhyrë, përgënjeshtruar dhe rikthyer debatin tek faktet e ndihmoi jo pak Trumpin, dhe u kritikua nga shumë komentues dhe analistë. Trump tha se ishte ai, dhe jo Biden, që uli koston e insulinës për diabetikët; teksa nënvizoi se shtetet e qeverisura nga demokratët i vrasin foshnjat pas lindjes.
Po ashtu e akuzoi presidentin aktual se donte të katërfishonte taksat; dhe se Biden merr pagesa nga Kina nëpërmjet aktivitetit të djalit të tij Hunter.
Ish-presidenti konfirmoi gjithashtu se ka një koncept autoritar mbi demokracinë dhe institucionet. Ai u pyet dy herë nëse premton të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, por ai iu shmang dhënies së një përgjigjeje.
I pyetur për herë të tretë, Trump tha se do ta pranonte rezultatin, por vetëm “nëse zgjedhjet do jenë të drejta, të ligjshme dhe korrekte”. Për muaj të tërë, Donald Trump ka pretenduar pa prova, se demokratët po përgatisin manipulimin e procesit.
Ekipi Biden shpresonte për një debat, në të cilin do të zbuloheshin kufizimet e Trump, dhe më pas për ta vendosur atë që mbetet nga fushata zgjedhore si një referendum kundër Trump. Por në vend të kësaj, ndodhi dhe do të ndodhë e kundërta.
Nga sot e tutje, do të flitet mbi të gjitha mbi aftësitë mendore të Joe Biden, që në dallim nga sfidanti i tij duhet të vazhdojë të drejtojë edhe SHBA-në. Ndërkaq të krahasuara, kufizimet e Donald Trump do të duken më pak shqetësuese.
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, do të përcaktohet mbi të gjitha nga mënyra se si do të vendosin të votojnë njerëzit me opinione më pak solide dhe të neveritur nga radikalizmi politik.
Në këtë grupim, ka shumë njerëz që nuk e ndjekin politikën vazhdimisht, apo që nuk e ndjekin fare, por që gjithsesi atë ditë do të shkojnë të votojnë.
Ka të ngjarë që debati i të enjtes, i ndjekur nga dhjetëra miliona njerëz, të ishte qasja e tyre e parë ndaj fushatës zgjedhore. Një lajm ky aspak i mirë për Joe Biden.
Për të kuptuar nëse debati i 27 qershorit i ka ndryshuar ndjeshëm synimet e votuesve, duhet të presim sondazhet që do të kryhen në ditët në vijim. Ato të kryera para debatit televiziv të së enjtes, dhe pas dënimit të Trump për disa nga akuzat, treguan një rikuperim të lehtë për Joe Biden, edhe pse ai mbetet prapa rivalit republikan në shumicën e shteteve të lëkundura (si Uiskonsin, Pensilvania dhe Miçigan).
Debati i dytë dhe i fundit do të mbahet më 10 shtator, afro dy muaj para ditës së votimit. Një pyetje që do ta dëgjojmë edhe më shumë në ditët në vijim: Çfarë do të bëjnë demokratët? Që gjatë debatit, u vunë re shenjat e panikut të zyrtarëve dhe politikanëve demokratë.
Dhe ka nisur të flitet që tani për një konventë të hapur, pra për zëvendësimin në momentin e fundit të Joe Biden me një kandidat që zgjidhet nga delegatët e partisë gjatë konventës të partisë të parashikuar të mbahet në muajin gusht (në këtë fazë s’ka kohë për të organizuar zgjedhjet paraprake). Por mbërritja në atë pikë, kërkon që Joe Biden të pranojë të tërhiqet nga gara, një skenar që deri më tani ka refuzuar ta marrë në konsideratë.