Nga Blendi Gashi
Bashkimi Evropian, përmes të dërguarës së saj në Kosovë, Natalia Apostolova, ka bërë të qartë se pret që të formohet një qeveri e qëndrueshme që do përshpejtojë dhe zbatojë agjendën drejt rrugës evropiane dhe njëkohësisht të bëjë reforma të thella në fushën e sundimit të ligjit, në arsim, shëndetësi, ekonomi etj.
Këto janë problemet me të cilat kosovarët po përballen edhe 19 vjet paslufte, dhe të cilat asnjë prej qeverive të kaluara nuk ka mundur t’i japë zgjidhje edhe përkundër premtimeve të mëdha që kanë bërë gjatë zgjedhjeve.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistët politikë, thonë se problemet e njëjta do të mbesin, pavarësisht kush vjen në pushtet, ndërsa jetëgjatësia e ekzekutivit do të varet nga koalicionet qeverisëse që do bëhen.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës mendon se numrat do e përcaktojnë si jetëgjatësinë e qeverisë ashtu edhe reformat që mund t’i bëj ajo në fusha të ndryshme.
“Nëse qeveria do të themelohet me 61 deputet dhe do ketë një opozitë shqiptare në opozitë, pra VV dhe LDK, nuk mendoj se do ketë jetë të gjatë, për arsye se do ketë shumë raste kur do kërkohen 2/3 e votave. Në anën tjetër nëse do të ketë një shumicë shqiptare, pra qeveri me shumë numra, atëherë mund të shkojë deri në fund”, thotë Murati për tesheshi.com.
Duke u ndëridhur me premtimet që kanë bërë pretendentët për ta udhëhequr vendi, Murati thotë se problemet që janë të trashë trashëguara në shumë fusha nuk mund të zgjidhen brenda natës.
“Munden me u zgjidh por jo në kohë rekorde, pra jo siç po preklamohet nga politikanët që po duan të marrin drejtimin e qeverisë, siç është rasti i prmetimit për heqjen e vizave brenda tre muajsh. Normalisht se për të arritur rezultate duhet kohë, por megjithatë mendoj se do ketë disa lëvizja pozitive sepse kjo është detyra e qeverisë dhe ajo që do duhej të ndodhte”, thotë Murati.
Leon Duhanaj, njohës i rrethanave politike, thotë se është dëshmuar se politika kosovare punon kryekëput për interesa personale e jo për zhvillim të vendit.
Duhanaj mendon se as qeveria e re nuk do ta përfundojë mandatin katërvjeçar pasi kalkulimet do bëhen për pushtet e jo për shtet zhvillimor.
“Praktika e deritanishme ka dëshmuar se në Kosovë, një qeveri nuk e fillon dhe mbaron një mandat të plotë qeverisës. Kjo vjen si pasojë e kalkulimeve për pushtet të subjekteve politike. Kjo tregon që politika kosovare, nuk është e sinqertë karshi qytetarëve. Ta marrim një shembull konkret. Vetëvendosje nga dita e parë e qeverisë Mustafa, nuk ka lënë gurë pa rrotulluar, madje edhe me mjete të jashtëligjshme, vetëm e vetëm që ta rrëzojnë qeverinë. Ata e akuzuan kryeministrin Mustafa me të gjitha epitetet, madje duke e quajtur edhe tradhëtar. Tani, kur kemi një rezultat zgjedhorë, i cili le dyert hapur për kombinime të ndryshme, luftojnë me cdo kusht që të bëjnë koalicion me po të njëjtin z. Mustafa. Këtë e bëjnë duke e kundërshtuar fuqishëm krijimin e qeverisë Haradinaj, edhe pse deri dje ishin në bashkëpunim të plotë kundër qeverisë Mustafa. Tani, akuzohet z. Haradinaj për dështime imagjinare, duke e cilësuar si ‘Klani Pronto’. Krejt kjo dëshmon se tek ne, politika nuk ka parime por ka interes kryekëput partiak e klanorë”, thotë Duhanaj për tesheshi.com.
Ai më tej shton se partitë sipas interesave të tyre dreqin dhe prishin koalicione, pa e analizuar se çfarë dëme i bëjnë vendit.
Kurse analisti politik Fadil Lepaja, thotë se për të kuptuar çfarë ndryshime mund të bëhet nga qeveria e re duhet pritur se kush do ta merr drejtimin e saj.
“Nëse qeveria formohet nga koalicioni PDK-AAK-NISMA do të ketë ecje përpara të proceseve europiane. Por nëse formohet nga Lëvizja Vetëvendosje do të mund të priten reforma të brendshme. Pra e gjitha varet prej prioriteteve që do ketë ekzekutivi i ri”, thotë Lepaja për tesheshi.com.
Kujtojmë se sot Ramush Haradinaj u ka bërë ftesë zyrtare VV-së dhe LDK-së që të takohen për të biseduar për krijimin e institucioneve të reja, por këto parti kanë deklaruar se nuk pranojnë në asnjë mënyrë të lidhin koalicion qeverisës me PAN-in, por që mund të bisedojnë me Aleancën vetëm nëse ndahet nga PDK-ja. /tesheshi.com/