I mandatuari për formimin e qeverisë nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, nuk ka mundur të japë një përgjigje të prerë kur është pyetur sot nga gazetarët nëse nga 1 shtatori do të jetë në postin e kryeministrit të vendit.
Ai nuk ka preferuar të flasë me data, por ka paralajmëruar një qartësim të pozicioneve politike brenda një periudhe të shkurtër kohore duke mos dhënë detaje.
“Arsyeja pse mori më shumë kohë krijimi i institucioneve është se ishim të interesuar për një bazë sa më të gjerë jo vetëm numerikisht, pra me 61 vota. Tani jemi në fazën finalë edhe besoj se nuk shkon shumë kohë dhe fillojmë punë.
Mendoj se një qartësi politike do të vijë shumë shpejt. Implementimi mund të marrë më shumë kohë, por mendoj se një qartësi politike do të vijë shumë shpejt”, tha Haradinaj në një konferencë për media ku partia e tij prezantoi kandidat për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjinin dhe kandidat për kryetar të Pejës, Fatmir Gashin./tesheshi.com/