Nga Ahmet Zani
Tre familje në fshatin Mafsheq të Krujës me plot dhjetë fëmijë jetojnë mes varfërisë dhe dhe frikës. Prej dy vitesh banesat e tyre kanë rrëshkitur, muret janë çarë, çatia tërësisht e dëmtuar, ndërsa këta përjetojnë momente ankthi të vazhdueshëm, se mos dhe ajo jetë që bëjnë, tipike prej qeni rrugësh, iu ikën pas ndonjë shembjeje të tërësishme në banesave.
Mafsheqi është një fshat i thellë në malësinë e Krujës, një tjetër botë, gati-gati në kufijtë e primitives, edhe pse kasabatë e zhurrmshme me forma të jetës moderne, i ka afër në vijë ajrore, përfshirë dhe kryeqytetin.
Nel Xeka me tre fëmijët dhe gruan me një këmbë të thyer, mund të shërbejë për rubrikën e të rrallave të kësaj bote. E habitshme se çfarë e mban ndërtesën ku jetojnë pesë persona. “Dimri i sivjetëm ishte mjaft i vështirë”, thotë Neli 56-vjeçar i stërmunduar nga hallet e mëdha.
“Fëmijët me zorr e durojnë të ftohtin e madh, pasi errërat e forta depërtojnë brenda banesës nga hapja e mureve. Por meraku është është që të mos shembet dhe kjo, strehëz i thënçin, për të na zënë brenda”.
Dhe kjo duket e pritshme, pasi sipas të zotit të shtëpisë priten sërish rreshje të dendura dëbore dhe stuhi dhe kjo e merakos atë pa masë. “Janë të gjitha mundësitë që ta rrëmbejnë banesën dhe këta të gjorë do mbeten në qiell të hapur”, shton ai.
Tutje më thellë fshatit janë dy shtëpitë e vëllezërve Ferra, Ganiut dhe Bashkimit, të cilët kanë dhe dy prindërit në moshë shumë të thyer babain i cili i ka kaluar të 100-tat dhe nënën e sëmurë. Janë dhe plot dhjetë fëmijë. Shtëpia mbahet me disa shtylla druri, dhe këtu një Zot i ruan këta të gjorë. Ganiu rrëfehet për atë që ai përjeton në familjen e tij.
“Nuk ka më keq se ku të shkojë. Jemi si në mesjetë dhe askushi nuk kujtohet për këta jetë njerëzore, ndonëse janë në dijeni të këtij fakti. Shtrihemi për gjumë pa qenë të sigurt se a do zgjohemi të gjallë të nesërmen me makthin e ndonjë rreziku që të shembet banesa tërësisht. Shqetësohemi më shumë për fëmijët, rrijmë zgjuar thuajse tërë natën duke i ruajtur. I ftohti i sivjetëm ka rënduar dhe shëndetin e dy të moshuarve, sikurse nuk ka kaluar pa prekur dhe të vegjlit e familjes”.
Apeli i tre familjeve në Mafsheq është për institucionet që t’u vijnë në ndihmë nga rreziku që atyre u kanoset nga shembja e banesave.
Por mjafton të krahasohen këto foto me ato të disa politikanëve tanë dalë këto ditë në Uashington, të gjendur atje për ceremoninë e inaugurimit të Trumpit, për të kuptuar më së miri se përse kanë përfunduar në atë gjendje dhe pse ka pak shpresë që ajo të ndryshojë falë aty që i qeverisin, që luajnë pa asnjë brerje ndërgjegje me fatin e njerëzve, si këto që duken në foto.
Nëse do ishin sado pak të dhembshur ndaj njerëzve të thjesht, sado pak të ndërgjegjshëm për vuajtjet e qindra syresh kudo nëpër Shqipëri, së paku nuk do ia ofronin opinionit ato voto me vetet e tyre në dehje provinciale nga Amerika. Mjaftojnë ato foto dhe ajo mënyrë e shitjes së vetvetes, për të mos jua besuar kurrë votën. /tesheshi.com/