Nga Bardha Nergjoni
A e dini pse nga shumë llustraxhinj këpucësh që kam parë në trotuare më bëri përshtypje Fatmiri? Shumë nga ata që e kanë vënë re ndërsa kalojnë pranë rreth rrotullimit të “1 Majit” në Elbasan në trotuarin për tek Posta e kuptojnë arsyen pse ai të tërheq vëmendjen.
Fatmir Korra është pamja më e vuajtur e njeriut që gjithë jetën e tij e ka kaluar në pastrimin dhe llustrimin e këpucëve. Nëse e shikon, asnjëherë nuk do ta besosh se është 57 vjeç por shumë më tepër.
Është aq i përulur sa dhe kurrizi i është kërrusur nga vuajtjet. Ndërsa pret klientët e tij, gjithmonë e më të paktë, ai fikson atë karrige që gjithmonë e ka shpëtuar për t’u ushqyer dhe mbajtur familjen derisa kjo e fundit e braktisi.
Në shoqërinë e furçave të tij dhe kutisë tradicionale të bojës, Fatmiri edhe pse pa asgjë, nuk ndodh të ankohet.
Sot ka vetëm një strehë për të fjetur dhe atë ia ofron i vëllai. Nuk do të dalë asnjëherë në pension pasi ka ushtruar gjatë gjithë jetës zanatin e llustraxhiut. Nuk dëshiron që njerëzit të kenë mëshirë për të, por kujdeset që të gjithë t’i kënaqë me shpresën se do të kthehen sërish tek ai. E gjen aty sidomos në ditët me diell, ndërsa pret që dikush të ulet në atë karrige. Kryesisht ata që vijnë e njohin prej vitesh. “Merr shumë pak. Është një njeri shumë i vuajtur”, shprehet një klient i tij i vjetër. Si ai vijnë rrallë e më rrallë.
E megjithatë Fatmiri thotë se do të kërkohet gjithmonë llustër, sidomos për këpucët e çelta pasi njerëzit nuk mund t’a gjejnë atë lloj boje. Është nostalgjik për kohën e komunizmit pasi dita e dielë për të atëherë ishte ditë feste. Siç edhe tregon, të gjithë banorët e fshatit zbrisnin në qytet dhe nuk largoheshin pa lyer këpucët. E ndërsa pret me durimin e tij të përvuajtur një klient, ai tregon se tek llustra e tij kanë kaluar të gjithë, që nga sekretari i parë i partisë e deri tek të fortët e 97-tës. Në një bisedë Fatmiri sjell 40 vitet e tij me llustrën.
Ku dhe si e keni mësuar zanatin e llustraxhiut?
Ne kemi një lloj trashëgimie pasi unë e kam mësuar llustrën nga vëllai im më i madh. Ai llustronte dhe unë vendosa të bëhem si ai. Zanatin e kam mësuar qysh në ‘70-tën. Pasi u mora me punë të tjera të vështira, aty nga viti 1983 nisa të llustroj çdo ditë. Kam dalë edhe në vende të tjera të Elbasanit ku edhe kishte më shumë lëvizje në atë kohë. Një llustër atëherë ishte 5 lekë.
Kush ishin klientët që të siguronin më shumë para në atë kohë?
T’ju them një të vërtetë: Ju do mendonit që ata që llustronin këpucë atëherë ishin qytetarë? Jo, ishin fshatarët që vinin në qytet. Unë kisha festë pasi të gjithë zbrisnin ditën e dielë në qytet dhe kisha radhë për të lyer këpucët. Fitoja shumë në atë kohë, por sigurisht që atëherë nuk vije dot pasuri. Sa për të mëdhenj kisha edhe njerëz që në qytet ishin të rëndësishëm. Më kujtohet që vinin edhe sekretarë të parë. Mbaj mend Fatmir Selitën. Vinin edhe të tjerë të ngritur, por emrat nuk jua mbaj mend. Atëherë këpucët mbaheshin për shumë kohë se nuk kishte.
Po në demokraci si u gjende me llustrimin e këpucëve?
Në demokraci unë u ndava nga familja dhe mbeta pa asgjë. Pa shtëpi, pa katandi dhe pse jam bërë gjysh; jam vetëm siç më shikoni. Jetoj në rrugë dhe vetëm fle tek im vëlla.
Klientët e demokracisë ishin ndryshe nga ata të komunizmit. Ndërkohë që atëherë më mbanin fshatarët. Në demokraci, sidomos pas 97-tës, ishin djemtë e rinj. Ata që bënin dokumente në Tiranë, të fortë. Këta vinin tek unë të llustronin. Kam edhe klientë që vijnë tek unë prej shumë vitesh. Shpesh qajnë hallet, ankohen dhe më mbështesin.
Ju kanë vlerësuar ndonjëherë më shumë se ato pak para për punën që bëni?
Mua më ka mbetur në mendje një njeri. Para ca kohësh ulet për të lyer këpucët një shqiptar që jetonte në Kroaci. Pasi mbarova më tha se nëse do isha në Kroaci do të isha më i respektuari nga të gjithë. Janë shumë të paktë ata që e bëjnë këtë lloj pune. Të pastrosh këpucët e tjetrit duket përulje.
Sa lekë merr për një lyerje tani?
Leku varet sipas bojës. Ka bojëra të shtrenjta e sidomos ngjyrat që kushtojnë më shumë. Kështu bezha, grija, bluja janë më shumë se të zezat.
Sa fiton në një ditë normale?
Mund të arrij dy-tri lyerje këpucësh.
Kaq pak?
Ka rënë shumë.
Të kanë dhënë ndonjëherë para edhe pse nuk kanë lyer këpucë?
Po ka ndodhur. Një herë mbaj mend një vajzë e cila kaloi e më la 1500 lekë, por pa lyer këpucët. Kaloi edhe një herë tjetër e më la 10 mijë lekë. Ishte me të ëmën dhe mi fali ato lekë. Jam ndjerë keq. Unë dua t’a fitoj vetë lekun. Pak, pak por është leku im.
Do vazhdosh të dalësh këtu për të llustruar?
Derisa të ketë klientë që kanë qejf të lyejnë këpucët unë këtu do jem. Ai që ka qejf të lyejë këpucët, sidomos ngjyrat e tilla si bezha, grija, bluja, do të vijë. Nuk i shikoj llustraxhinjtë e tjerë pasi çdo njeri ka dorën e vet.
Keni probleme me shëndetin?
Si thoni ju. Të rrish gjithë ditën këtu me duart tek boja që është kimike nuk do kem probleme. Kam sa të duash probleme. Shëndetin e kam copë-copë por s’kam ç’bëj. Këtu do dal se nuk mund të bëj gjë tjetër.
Ju thatë që jeni 57 vjeç. Do të dilni në pension?
Nuk kam për të dalë ndonjëherë në pension. Nuk kam vitet me sigurime. Kam punuar në rrugë e nuk jam siguruar. Do të dal gjithmonë këtu sa të kem takat. Nuk kam asgjë, vetëm këto furça, karriken dhe klientët që vijnë dhe më respektojnë. /tesheshi.com/