Ministri malajzian i Mbrojtjes ka thënë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta bërë Jerusalemin kryeqytetin e Izraelit ishte “një shuplakë në fytyrë për të gjithë botën muslimane”, duke theksuar se ushtria e vendit të tij është e përgatitur të kryejë detyrën nëse kërkohet shërbimi i saj.
“Ne duhet të jemi të përgatitur për çdo mundësi. ATM (Forcat e Armatosura Malajziane) kanë qenë gjithmonë në gjendje gatishmërie, duke pritur udhëzime nga udhëheqja e lartë”, tha ministri Hishammuddin Hussein, raporton agjencia shtetërore malajziane e lajmeve Bernama. “Lutemi që kjo mosmarrëveshje të mos çojë në kaos”, shtoi Husseini.
Të dielën, rreth 10,000 indonezianë u mblodhën jashtë ambasadës amerikane në Xhakarta në mbështetje të palestinezëve, raportoi agjencia e lajmeve Associated Press. Protestuesit po mbanin pankarta në të cilat shkruhej: “Ambasada e SHBA-së, jashtë nga Al Quds”, “Jerusalemi dhe palestinezët të lirë” dhe “Ne jemi me palestinezët”. Al-Quds është emri arabisht për Jerusalemin.
Protesta e së dielës, e organizuar nga Partia e Drejtësisë Islame, ishte e dyta që nga vendimi i Trump të enjten. Presidenti Joko “Jokowi” Widodo ka dënuar ashpër masën e Trump, të cilin e përshkroi si një shkelje të rezolutave të OKB-së. Indonezia, si kombi musliman më i populluar në botë, ka kohë që ka qenë një mbështetës i fuqishëm i palestinezëve dhe nuk ka lidhje diplomatike me shtetin hebraik. /tesheshi.com/